16/05/2012
Përfaqësues të disa vendeve në rajon u mblodhën në Shkup për të ndihmuar në promovimin e bujqësisë bio. Gjithashtu në lajmet nga biznesi: Sarajeva organizon Forumin e saj të tretë të Biznesit ndërsa ekonomia e Kroacisë pritet të tkurret me 1% këtë vit.
Shkupi hapi Konferencën e 6-të të Prodhimeve Bio të Rrjetit Mesdhetar të Bujqësisë Bio të martën (15 maj). Rrjeti bashkon ministritë e bujqësisë së 24 vendeve evropiane dhe mesdhetare duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kroacinë, Qipron, Greqinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë. Evenimenti treditor synon të nxisë shkëmbimin e informacionit dhe praktikave të mira në këtë sektor, si dhe të nxisë strategjitë e përbashkëta për zhvillim në të ardhmen.
***
Punimet për ndërtimin e tunelit të tretë më të gjatë në botë filluan në Turqi gjatë fundjavës. Tuneli, i cili do të kalojë përmes malit Ovit, do të kalojë gjatësinë 17 km, dhe do të lidhë distriktet Rize dhe Erzurum. Autoritetet besojnë se ai do të rrisë ekonominë e rajonit të deteve të Ballkanit dhe do të çojë në përdorim më të madh të porteve.
***
Serbia është rivali kryesor i Bullgarisë në tërheqjen e investimeve të drejtpërdrejta të huaja (FDI), tha ministri bullgar i ekonomisë Delyan Dobrev në një konferencë për investimet në Sofje të premten (11 maj). Ai vërejti se vendi i tij ka humbur një numër investimesh të mëdha gjatë vitit të kaluar për shkak të konkurruesve nga Serbia, Hungaria, Maqedonia dhe Turqia.
***
Sarajeva organizon Forumin e saj të tretë vjetor të Biznesit nga e mërkura (16 maj) deri të premten. Evenimenti, i cili synon të përfaqësojë Bosnjë e Hercegovinën dhe rajonin përpara investitorëve ndërkombëtarë, do të prezantojë më shumë se 130 projekte në fushat e infrastrukturës, energjisë, bujqësisë, turizmit, ndërtimit dhe financës.
***
Qiproja njoftoi të premten (11 maj) se ka marrë 15 oferta nga 13 shtete për shpime eksploruese në raundin e dytë të licencimit për shfrytëzimin e depozitave të naftës dhe gazit në det. Autoritetet thanë se interesi e ka tejkaluar atë që prisnin ata. Kandidatët përfshijnë Francën, Izraelin, Mbretërinë e Bashkuar, Rusinë dhe Kanadanë.
***
Investimet e drejtpërdrejta të huaja në Turqi u shtuan me 76% vitin e kaluar duke arritur 16 miliardë dollarë, tha kryeministri Rexhep Tajip Erdogan të premten (11 maj). Sipas tij, nga viti 2002 deri në 2011, vendi ka tërhequr investime të drejtpërdrejta tëhuaja me vlerë 110,5 miliardë dollarë.
***
Ekonomia e Kroacisë do të tkurret me 1% këtë vit, paralajmëroi guvernatori i Bankës Qendrore Zeljko Rohatinski javën e kaluar. Ai vërejti se nevojiten reforma strukturore për të nxitur rritjen e PBB-së, e cila ishte e pandryshueshme vitin e kaluar.
***
Ekonomia e BE-së është aktualisht në një recesion të butë, por shihet në horizont një rikuperim gradual, tha Komisioni Evropian në Parashikimin Ekonomik Pranverë 2012, të publikuar të premten (11 maj). Nga vendet e saj anëtare, Greqia është në fund të listës, me PBB-në e saj që pritet të tkurret me 4,7% këtë vit. Qiproja do të regjistrojë një rritje negative prej -0,8%, ndërsa Bullgaria dhe Rumania do të jenë në territor pozitiv me 0,5% dhe 1,4% përkatësisht, parashikoi komisioni.
(Burime të ndryshme -- 09/05/12-16/05/12)