Stambolli shpreson të ndërtojë një aeroport të tretë

25/04/2012

Një tender për një aeroport të tretë në Stamboll do të hapet këtë vit. Gjithashtu në lajmet nga biznesi: Qeveria e BiH-së miratoi një buxhet për 2012-tën e Rumania planifikon të riorganizojë sistemin e saj të taksave.

Ministri i Transportit i Turqisë Binali Jilldirim njoftoi të shtunën (21 prill) se qeveria do të zhvillojë një tender këtë vit për të ndërtuar një aeroport të tretë në Stamboll në një përpjekje për të lehtësuar trafikun në dy aeroportet ekzistuese. Aeroporti Ndërkombëtar Ataturk në qytet u shërbeu 20,3 milionë pasagjerëve në linjat ndërkombëtare e 11,8 milionë pasagjerëve në fluturimet brenda vendit më 2010.

***

Banka Botërore është e gatshme t'i japë Maqedonisë një hua prej 100 milionë dollarë (75,7 milionë euro) për përparimin e reformave ekonomike e për të përmirësuar kujdesin shëndetësor, arsimin e mirëqenien shoqërore në vend, njoftoi ministria e financave në Shkup të dielën (22 prill). Deklarata erdhi pas takimeve mes Ministrit të Financave Zoran Stavreski e zyrtarëve të Bankës Botërore/FMN-së në Uashington.

***

Qeveria qëndrore e Bosnjë dhe Hercegovinës miratoi buxhetin shtetëror mjaft të vonuar për 2012-tën më 18 prill. Kuadri fiskal parashikon shkurtime në paga e shpenzime ndërsa vendi kërkon të sigurojë bisedimet për një hua të re me zyrtarët e FMN-së muajin e ardhshëm.

***

Dhoma Serbe e Tregtisë hapi zyrtarisht një zyrë në Zagreb më 18 prill, duke synuar shtimin e pranisë së biznesit të vendit në Kroaci e përmirësimin e lidhjeve ekonomike dypalëshe. Dhoma Kroate e Tregtisë ka patur zyrën e saj në Beograd prej dhjetë vitesh. Tani rreth 200 ndërmarrje kroate veprojnë në Serbi, ndërsa prania e bizneseve e investimeve serbe në Kroaci ka qenë minimale.

***

Bullgaria është mes shteteve anëtare të BE-së me nivelet më të ulëta të borxhit qeveritar, treguan të hënën (23 prill) të dhënat e Eurostat-it. Vitin e kaluar, borxhi shtetëror i Bullgarisë arriti në 16,3% të PKB-së, niveli i dytë më i ulët në bllok pas Estonisë (6%). Rumania vjen më pas me 33,3% të PKB-së. Defiçiti buxhetor i Bullgarisë ra në 2,1% të PKB-së më 2011, krahasuar me mesataren e BE-së prej 4,5%. Greqia ishte mes vendeve me defiçitin më të lartë buxhetor prej 9.1%, e dyta vetëm pas Irlandës.

***

Banka Evropiane e Investimeve (EIB) ka nisur të përfshijë klauzola në kontratat e saj me ndërmarrjet greke, duke u lejuar tyre të ripaguajnë huatë në euro në monedha të tjera, njoftuan mediat të hënën (23 prill). EIB mohoi spekulimet nga disa analistë, të cilët e shohin veprimin si një masë mbrojtëse mes shqetësimeve mbi daljen e mundshme të Athinës nga zona euro.

***

Ministri i Financave i Rumanisë Bogdan Dragoi u zotua javën e kaluar se vendi do të riorganizojë sistemin e taksave të tij për të nxitur paraqitjen e tyre në internet, ndarjen e informacionit mes agjencive shtetërore e për të pakësuar burokracinë. Një sondazh i kohëve të fundit nga Banka Botërore tregoi se Rumania zë vendin e dytë në botë për sistemin më të ndërlikuar të taksave, ku bizneset vendase priten të bëjnë deri në 113 pagesa të veçanta të taksave në vit.

***

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov e Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi inauguruan forumin e dytë rajonal Produktet Vendase e Investimet e Huaja në Shkup të premten (20 prill). Veprimtaria, e organizuar nga Dhoma Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, u zhvillua nën sloganin "Bli produkte vendase."

***

Ndërmarrjet në Serbi paguajnë 730 milionë euro në vit në taksa të fshehta siç janë tarifat për tokën, ujin e ndotjen, tregoi një sondazh i zhvilluar nga USAID e Aleanca e Serbisë për Zhvillimin Ekonomik Vendor të enjten (19 prill). Shuma përfaqëson 2% të prodhimit ekonomik që bizneset mund t'a kishin vendosur në investime, theksuan ekspertët.

***

Investime e huaja të drejtpërdrejta (FDI) në Malin e Zi rregjistruan një rënie të thellë në dy muajt e parë të këtij viti, treguan të dhëna të Bankës Qendrore të premten (20 prill). Gjatë kësaj periudhe, FDI arritën në 33,3 milionë euro ose 57,4% më pak sesa e njëjta periudhë vitin e kaluar.

(Burime të ndryshme -- 18/04/12-25/04/12)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.