18/04/2012
Një qytet në Serbinë qendrore hapi uzinën e parë të automobilave Fiat në vend. Gjithashtu në lajmet nga biznesi: Turistë maqedonas dynden në vendpushimin malor bullgar të Banskos, ndërsa papunësia në Greqi arrin shifra rekord.
Fiat Srbija (FAS) hapi një uzinë automobilash të hënën (16 prill) në qytetin e Serbisë qendrore të Kragujevacit, ku do të prodhohet modeli i ri i Fiat 500L. Uzina, e bazuar në themelet e prodhuesit të mëparshëm serb të automjeteve Zastava, do të krijojë 2400 vende pune deri në fund të këtij viti e do të ketë një prodhim vjetor prej 300.000 makina.
***
Turistë nga Maqedonia vërshuan drejt vendpushimit më të madh malor të Bullgarisë në Bansko gjatë festave të Pashkës, tha të dielën (15 prill) kryetarja e Bashkimit të Bizneseve Turistike të Banskos, Janka Rahova. Edhe grekët përbënin një pjesë të madhe turistësh. Ndërkohë më shumë se 100.000 bullgarë vizituan Greqinë për pushime.
***
Papunësia në Greqi arriti një rekord të ri në janar, duke u ngjitur në 21,8%, dy herë më e lartë sesa mesatarja e zonës euro, njoftoi zyra greke e statistikave ELSTAT të enjten (12 prill). Niveli i papunësisë ishte 17,7% më 2011, krahasuar me 12,5% më 2010. Në dhjetor të vitit të kaluar, ajo qëndroi në 21,2%.
***
Investimet e drejtpërdrejta të huaja në Kroaci arritën në 1,05 miliardë euro vitin e kaluar, krahasuar me 295,3 milionë euro më 2010, sipas të dhënave të bankës qendrore të vendit të botuara të premten (13 prill). Investimet më të mëdha u bënë në sektorin bankar -- 267,3 milionë euro, i ndjekur nga pronat e paluajtshme -- 264,4 milionë euro e industria kimike -- 236,8 milionë euro. Ndërmarrjet hollandeze kryesojnë listën e investitorëve të huaj, të ndjekura nga ato nga Gjermania e Austria.
***
Punëtorët në ndërmarrjen e transportit të Serbisë Dunav Agregati organizuan një bllokadë tre ditore të trafikut në Lumin Danub më 11 prill, duke protestuar për pagat e papaguara. Bllokada u hoq të premten pasi arritën një marrëveshje me administratën e ndërmarrjes.
***
Ishulli kroat Porer është përfshirë në listën e dhjetë ishujve privatë me çmim më të përballueshëm në botë sipas revistës Business Insider. Ishulli i vockël në jugperëndim të Istrias mund të shëtitet në më pak se një minutë, ka një far e mund të merret me qira për rreth 630 dollarë në javë.
***
Zëvendës/Kryeministrja e Kosovës Mimoza Kusari Lila tha të dielën (15 prill) se vendi i saj do të nënshkruajë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë. Deklarata u bë në një takim të tregtarëve në Bursa të organizuar nga Shoqata e Industrialistëve e Tregtarëve të Rumelisë.
***
Papunësia në Turqi ra me 1,7% në një nivel vjetor prej 10,2% në janar, njoftoi instituti turk i statistikave Turkstat të hënën (16 prill). Sipas të dhënave, në janar kishte 2.664.000 të papunë, krahasuar me 3.044.000 gjatë të njëjtës periudhë të një viti më parë.
(Burime të ndryshme -- 11/04/12-18/04/12)