11/04/2012
Duke premtuar përjashtime nga taksat, kryeministri i Shqipërisë u bën thirrje ndërmarrjeve turke që të investojnë. Gjithashtu në lajmet nga biznesi: Përfaqësues të 50 vendeve u mblodhën në Stamboll për të ndjekur Takimin e 15të të Nivelin të Lartë Ekonomik të Euroazisë.
Kryeministri shqiptar Sali Berisha u bëri thirrje ndërmarrjeve turke që të investojnë në vendin e tij, duke u premtuar një përjashtim nga taksat për një periudhë tetë vjeçare. Thirrja u bë të premten (6 prill) në një Forum Biznesi turko-shqiptar të zhvilluar në Ankara. Veprimtaria u ndoq nga më shumë se 100 tregtarë nga Turqia dhe 60 përfaqësues të ndërmarrjeve shqiptare.
***
Shërbimet e trageteve drejt ishujve në Greqi u ndalën nga një grevë 48 orëshe të martën (10 prill) në një protestë të organizuar kundër shkurtimit të përfitimeve e pagave të papaguara. Veprimi vjen pak ditë përpara Pashkës Ortodokse të dielën, që tradicionalisht është periudhë me shumë turistë.
***
Kisha qipriote dëshiron të investojë në sektorin e energjisë së ishullit e në banka, tha Kryepeshkopi Krisostomos II të hënën (9 prill). Kisha është duke shqyrtuar në veçanti mundësitë për të prodhuar panele diellore e për të ndërtuar një uzinë të prodhimit të energjisë, shtoi Krisostomos II, duke shpjeguar se qëllimi është të ndihmohet përmirësimi i ekonomisë e krijimi i vendeve të punës.
***
Përfaqësues të 50 vendeve u mblodhën në Stamboll, Turqi të martën (10 prill) për Takimin e 15të të Nivelit të Lartë Ekonomik të Euroazisë. Pjesëmarrësit përfshinë Presidentin shqiptar Bamir Topi, atë të Malit të Zi Filip Vujanoviç dhe të Maqedonisë Gjorge Ivanov.
***
Petar Koteski nga Bitola fitoi çmimin e këtij viti për idenë më të mirë të biznesit në Maqedoni. Ai mori vendin e parë dhe një çmim prej 10.000 euro për projektin e tij që synon të zhvillojë e të shesë lojëra elektronike në tregun botëror. Konkursi, që tërhoqi 104 ide të biznesit nga 23 qytete, zhvillohet si pjesë e projektit "Fabrika e ideve të biznesit".
***
Agjencia e vlerësimit Moody's Investors Service uli vlerësimin e kredisë spekullative të Bosnjë dhe Hercegovinës një pikë nga B2 në B3, duke përmendur një gjendje financiare në përkeqësim e rreziqe të lartë politikë në vend. Agjencia paralajmëroi se ulje të tjera mund të vinë në të ardhmen.
***
Rumania ka vendosur të tërhiqet nga një marrëveshje për të shitur minierën e saj më të madhe të bakrit Cupru Min Abrud për ndërmarrjen kanadeze Copper Corp., njoftoi Ministri i Ekonomisë Lucian Bode të shtunën (7 prill). Të dyja palët nuk arritën të bien dakort mbi marrëveshjen, shpjegoi Bode. Roman Copper fitoi një tender për minierën muajin e kaluar, duke ofruar 200,8 milionë euro në konkurrim me OZ Minerals Ltd. nga Australia, Dundee Holding nga Hollanda e Ellatzite Med AD nga Bullgaria.
***
Banka Qendrore e Serbisë njoftoi të premten (6 prill) se ka shitur 50 milionë euro për të ngadalësuar ritmin e rënies së monedhës vendase pasi ajo ra në nivelet më të ulëta në disa javë. Dinari ka humbur 4.27% të vlerës së tij që nga fillimi i këtij viti.
***
Banka Gjermane për Zhvillim, Kreditanstalt fuer Wiederaufbau, njoftoi më 4 prill se po jep hua 17,5 milionë euro për gjashtë qytete serbe për të përmirësuar sistemet e tyre të furnizimit me ujë dhe të ujrave të zeza. Banka po përgatit 90 milionë euro të tjera për projekte të ngjashme në 11 bashki të tjera.
***
Turqia e Kina nënshkruan një sërë marrëveshjesh të hënën (9 prill), duke përfshirë marrëveshje mbi bashkëpunimin në përdorimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore. Marrëveshjet u nënshkruan në Pekin në prani të Kryeministrit turk Rexhep Tajip Erdogan e homologut kinez Uen Jiabao.
(Burime të ndryshme -- 04/04/12-11/04/12)