08/02/2012
Udhëheqësit e Ballkanit bien dakort që të rrisin bashkëpunimin ekonomik në një takim në Sarajevë. Gjithashtu në lajmet nga biznesi: Sekretarja e Shtetit e SH.B.A.-së Hillari Kllintën i bën thirrje Bullgarisë të shtojë burimet e furnizimeve të saj me naftë e gaz.
Presidenti serb Boris Tadiç, Ivo Josipoviç i Kroacisë dhe anëtarët e presidencës tre-palëshe të Bosnjë e Hercegovinës ranë dakort në një takim pranë Sarajevës të premten (3 shkurt) se vendet e tyre duhet të forcojnë lidhjet ekonomike për të kapërcyer krizën financiare botërore. Udhëheqësit diskutuan mbi një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë mundësinë e përdorimit të fondeve të BE-së për bashkëpunimin rajonal.
***
FMN e Rumania arritën një marrëveshje të hënën (6 shkurt) mbi dhënien e një linje kredie prej 505 milionë euro nga marrëveshja e gatishmërisë e vendit prej 20 miliardë euro me Fondin. Ndërkohë, FMN ul parashikimin e saj për rritjen ekonomike të Rumanisë këtë vit nga 1.8-2.3% në 1.5-2%, duke përmendur uljen e eksporteve drejt Evropës Perëndimore, partneri kryesor tregtar i vendit.
***
Një valë protestash filloi në Bullgari e Rumani javën e kaluar, pasi të dyja vendet nënshkruan të ashtuquajturën Marrëveshje Kundër Tregtisë së Mallrave të Falsifikuara (ACTA), e cila synon të luftojë mallrat e ilaçet e përgjithshme të falsifikuara, si dhe shkeljet e të drejtave të autorit në internet. Mes frikës publike se do të kufizohet liria e fjalës, autoritetet siguruan se do të zhvillohet një dialog me shoqërinë civile përpara sesa të ratifikohet marrëveshja -- një hap i nevojshëm që ajo të hyjë në fuqi në këto vende.
***
Sekretarja e Shtetit të SH.B.A.-së Hillari Kllintën i bëri thirrje Bullgarisë të dielën (5 shkurt) që të presë varësinë energjetike të saj nga Rusia, duke shtuar burimet e furnizimit me gaz e naftë. Vizita e Kllintënit erdhi pak pasi autoritetet bullgare vendosën një ndërprerje të eksplorimit të planifikuar të rezervave të gazit argjilor në verilindje të vendit, duke përmendur shqetësime mjedisore.
***
Falimentimi i linjës ajrore hungareze Malev javën e kaluar la shumë qytete në Ballkanin Perëndimor pa lidhje të drejtpërdrejta me Budapestin. Fluturimet e linjës ishin gjithashtu një pikë kryesore tranziti për destinacione të tjera në Evropë.
***
Gjiganti rus i gazit Gazprom njoftoi të enjten (2 shkurt) se është i interesuar të blejë stacionet e karburantit të OMV AG të Austrisë në Bosnjë e Hercegovinë e Kroaci. Në dhjetor, OMV njoftoi planet e shitjes së filialeve të saj në Ballkan për të hequr pasuritë e saj më pak fitimprurëse.
***
Stambolli organizoi forumin e parë të biznesit Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit-Turqi me synim paraqitjen e diskutimin e mundësive për bashkëpunim mes të dy rajoneve. Veprimtaria, e organizuar të hënën (6 shkurt) e të martën, u përqëndrua në Burimet për Energji të Pastër, naftën e gazin, transportin, bankat e financat, bujqësinë e sigurinë ushqimore, SME-të e sipërmarrjet e grave. Forumi tërhoqi më shumë se 165 tregtarë nga vendet arabe të Gjirit.
***
Mali i Zi mund të bëhet pjesë e projektit të tubacionit Rrjedha e Jugut. Lajmi erdhi pasi përfaqësues të Gazpromit rus, i cili do të fillojë ndërtimin e tubacionit deri në fund të këtij viti dhe autoriteteve malazeze u takuan në Podgoricë të premten (3 shkurt).
(Burime të ndryshme -- 01/02/12 - 08/02/12)