19/03/2010
Ministri turk i ekonomisë parashikon se PKB do të rritet me më shumë 3.5% këtë vit. Gjithashtu në lajmet e biznesit: KE miraton programin e stabilitetit të Bullgarisë, Kroacia planifikon të investojë në një central të energjisë së erës dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje me një firmë austriake mbi një projekt ndërtimi ure.
Turqia do të rregjistrojë një rritje të PKB mbi 3.5% këtë vit, tha të mërkurën (17 mars) Ministri i Ekonomisë Ali Babaçan. Ai kujtoi se FMN kishte parashikuar që PKB të rritej me rreth 3.7% për Turqinë, ndërsa parashikimet e institucioneve financiarë ndërkombëtarë të tjerë arrijnë deri në 4.5%.
***
Komisioni Europian njoftoi të mërkurën (17 mars) se ka miratuar programin e stabilitetit dhe të konvergjencës së Bullgarisë. Sipas programit, buxheti i pushtetit qendror do të balancohet këtë vit dhe do të japë një tepricë të vogël më 2011-2012.
***
Federata Pan-Helenike Hoteliere e Greqisë i kërkoi të mërkurën (17 mars) anëtareëve të saj që të ulin tarifat e tyre për të tërhequr më shumë turistë vendas, duke patur parasysh shpenzimet më të ulta të pushimeve që priten këtë vit. Sipas federatës, turistët grekë duhet të jenë në gjendje që të gëzojnë të njëjtat çmime më të ulta që u ofrohen turistëve të huaj.
***
Ndërmarrja inxhinjerike kroate e energjisë Koncar Elektroindustrija do të investojë 27.6 milionë euro në ndërtimin e një centrali energjie ere pranë Splitit, njoftoi të mërkurën (17 mars) CEO i ndërmarrjes Darinko Bago. Koncar do të financojë projektin me 11 milionë euro nga fondet e tij dhe me pjesën tjetër të dhënë nga kreditë prej bankave tregtare. Centrali do të përbëhet nga një gjenerator 2.5 MW dhe 15 gjeneratorë më të vegjël me nga 1 MW.
***
Kosova dhe Mali i Zi kanë në plan që të krijojnë grupe pune të përbashkët për të luftuar evazionin fiskal dhe kontrabandën, sipas një marrëveshjeje bashkëpunimi të nënshkruar të martën (16 mars). Kjo është marrëveshja e tretë e nënshkruar nga Doganat e Kosovës. Të tjerat kanë qenë me Shqipërinë dhe Turqinë.
***
Serbia ka një shans të mirë që të bashkohet me OBT më 2011, tha të martën (16 mars) Ministri serb i Ekonomisë Mllagjan Dinkiç. Ky i fundit dhe Teruhiko Shinada, përfaqësues i Ambasadës Japoneze në Beograd, nënshkruan një protokoll mbi përfundimin e bisedimeve me Japoninë lidhur me pranimin e Serbisë në OBT. Beogradi paraqiti një kërkesë zyrtare në dhjetor 2004.
***
Ndërmarrja serbe e rrugëve publike Putevi Srbije nënshkroi të hënën (15 mars) një marrëveshje prej 58 milionë euro me firmën austriake Strabag për të rindërtuar Urën Gazela në Beograd. Rindërtimi është vendosur të fillojë brenda një jave dhe do të zgjasë 22 muaj. EIB theksoi se dhënia e 23 milionë eurove do të varet nga përmbushja prej Serbisë e një angazhimi për të strehuar siç duhet bashkësinë rome që jetonte nën urë.
***
Qeveria kroate do të paraqesë masat e reja kundër krizës deri në fund të muajit, tha të hënën (15 mars) Kryeministrja Jadranka Kosor. Plani është përqëndruar në ndërmarrjet që po përjetojnë vështirësi afatgjata, të njoftuara më parë se 1 korriku 2009. Përveç kësaj, qeveria ka ndër mend që të rrisë përpjekjet e saj kundër korrupsionit dhe të përcaktojë me ligj kontroll më të rreptë mbi subvencionet bujqësore, tha Kosor.
(Burime të ndryshëm -- 12/03/10-19/03/10)