Kulturë dhe sporte: Vllashiç e Kroacisë fiton në Katar

17/03/2010

Blanka Vllashiç e Kroacisë mori të artën në Kërcimin së Larti për Femra. Dhe në lajmet kulturorë: Shkupi organizon festivalin e tretë ndërkombëtar të pantomimës dhe Shoqata Shopen e Kosovës paraqet dhjetë koncerte.

Blanka Vllashiç e Kroacisë mbrojti titullin e saj të kampiones së botës në kërcimin së larti për salla të mbyllura në Doha, Katar të shtunën (13 mars). Ajo fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror për Salla të Mbyllura pasi kapërceu 2 metra.

***

Festivali i tretë ndërkombëtar i pantomimës u zhvillua nga e premtja (12 mars) deri të martën në Shkup. Në PANPHYS 2010 morën pjesë aktorë nga Maqedonia, Bullgaria, Israeli, SHBA, Bosnjë dhe Herzegovina, Japonia dhe Zvicra.

***

Shoqata Shopen e Kosovës po organizon dhjetë koncerte nga e hëna (15 mars) deri më 25 prill, për të shënuar 200 vjetorin e lindjes së Frederik Shopen. Artistët nga Kosova, Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Austria po interpretojnë kompozime të Shopen në piano, violinë dhe violoçel, të pasuar nga një koncert i Orkestrës Filarmonike të Kosovës më 25 prill.

***

Stilisti kroat Igor Galas fitoi çmimin e parë në iD Dunedin Emerging Designer Awards të zhvilluar në Dunedin të Zelandës së Re të enjten (11 mars). Galas, i cili fitoi gjithashtu hyrjen e drejtpërdrejtë në shfaqjen e modës Mittelmoda të Italisë në korrik, ishte i pari kroat që hyn ndonjëherë në çmimet iD.

***

Greqia, Italia, Spanja dhe Maroku dërguan një kërkesë në UNESKO të enjten (11 mars) për të shpallur dietën mesdhetare si trashëgimi kulturore të tyre. Greqia përfaqësohet në iniciativë nga qyteti i Koronit, në ishullin e Peleponezit. UNESKO do t'a shqyrtojë kërkesën në qershor.

***

Milan Stankoviç do të përfaqësojë Serbinë në maj në Festivalin e Këngës në Eurovizion në Norvegji. Këngëtari 22 vjeçar i popit dhe folkut fitoi shumicën e votave në një konkurim vendas të shtunën (13 mars) me këngën e tij "Ky është Ballkani", të kompozuar nga Goran Bregoviç.

***

Zyra e Komisionit Europian në Prishtinë do të financojë një projekt prej 2 milionë euro për të restauruar Kështjellën e Prizrenit gjatë tre viteve të ardhshëm. Më parë zyra sponsorizoi një projekt studimor për restaurimin me vlerë 500,000 euro. Veprimtaritë do të përfshijnë punë të hollësishme arkeologjike në muret e kështjellës, themelet e xhamisë dhe varret.

(Burime të ndryshëm -- 10/03/10-17/03/10)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne