22/07/2009
Pas 18 muajsh jashtë vendit, thesari i Panegjirishtes i Bullgarisë u kthye nga Japonia. Gjithashtu në lajmet kulturore: ekipi rumun i femrave të skermës merr medaljen e artë në Kampionatin Europian dhe një ekip shqiptar mund kundërshtaren e tij skoceze në kualifikimet e Ligës Europiane.
Thesari i artë i famshëm i Panegjirishtes i Bullgarisë u kthye në muzeun kombëtar të historisë të Sofjes pasi kaloi një vit e gjysmë në ekspozim në Japoni. Thesari është në ekspozim për publikun, tha muzeu të enjten (16 qershor). Koleksioni përbëhet nga një ampulë, një amforë dhe shtatë enë pirjeje në formë briri me një peshë të përgjithshme prej 6,164 kg ar 23-karat.
***
Medalja e artë në Kampionatin Europian të Skermës i shkoi ekipit të femrave rumune. Veprimtaria u bë në Plovdiv, Bullgari të shtunën (18 korrik). Në finale, rumunet mundën Poloninë 36-34.
***
Gjashtë muzeume turke do të konkurrojnë për Çmimin Vjetor Muzeu Europian 2010, njoftoi të mërkurën (15 korrik) agjensia e lajmeve Anadolu. Forumi Europian i Muzeumeve zhvillon konkurrimin çdo vit nën patronazhin e Këshillit të Europës. Gjashtë kandidatët turq janë Muzeumi Arkeologjik i Sinopit, Corum Muzeum, Turkiye Is Bankasi Museum, Besiktas Gymnastics Club Museum, Muzeumi i Artit Bashkëkohor i Stambollit dhe Muzeumi i Lojrave i Sunait.
***
Flamurtari i Shqipërisë mundi Motherwell të Skocisë të enjten (16 korrik) në një ndeshje në Vlorë. Shqiptarët shënuan një fitore 1-0 në lojën që u luajt si pjesë e kualifikimeve të Ligës Europiane. Të enjten, Motherwell do të presë Flamurtarin për ndeshjen e kthimit.
***
Maria Grozdeva e Bullgarisë fitoi titullin e saj të nëntë europian në sportin e qitjes në Kampionatin Europian në Osijek, Kroaci të dielën (19 korrik, njoftoi media bullgare. Grozdeva u rendit e para në qitjen me pistoletë 25 metra me një shumë të përgjithshme prej 791 pikësh.
***
Ministria shqiptare e kulturës vendosi të ofrojë hyrje të lirë në një numër të përgjithshëm prej 12 muzeumesh anembanë vendit në një përpjekje për të tërhequr më shumë vizitorë, njoftoi media vendase të premten (17 korrik). Vizitat në muzeume do të jenë pa pagesë një herë në muaj dhe në festat kombëtare.
***
Rumania festoi të hënën (20 korrik) Ditën e Forcave Ajrore, njoftoi Mediafax. Forcat ajrore të vendit janë gati të përballen me sfidave të reja lidhur me anëtarësimin e Rumanisë në NATO dhe BE, tha Presidenti Traian Bashesku gjatë festimeve zyrtare.
(Burime të ndryshëm – 15/07/09 - 22/07/09)