Biznes: domatet në krye të eksporteve të Maqedonisë

26/06/2009

Domatet maqedonase janë një sukses në tregun ndërkombëtar. Gjithashtu në lajmet e biznesit: Rumania dhe KE nënshkruan një memorandum për 5 miliardë euro dhe në Bullgari vazhdon recesioni.

Prirja në vazhdim e rritjes së eksportit të domateve në Maqedoni vazhdon këtë vit me pothuajse 80% të bimëve të saj dimërore të eksportuara, njoftoi ministria e bujqësisë. Prirja pozitive pritet të vazhdojë gjatë gjithë verës kur prodhimi arrin kulmin. Në 2008, Maqedonia eksportoi rreth 62,526 ton domate me vlerë 21.12 milionë euro, gati dyfishin e 36,593 ton domateve që u eksportuan më 2005.

***

Rumania dhe Komisoni Europian nënshkruan një memorandum për një kredi prej 5 miliardë euro për të ndihmuar Rumaninë që të përballet me krizën financiare, njoftoi të martën (23 qershor) Mediafax. Marrëveshja u nënshkrua nga komisioneri i BE për ekonominë dhe çështjet monetare Zhoakin Almunia dhe Kryeministri rumun Emil Bok.

***

Turqia mbajti të premten (19 qershor) një tender për ndërtimin e një autostrade midis Stambollit dhe Izmirit që do të zvogëlojë kohën e udhëtimit me tre orë, njoftuan gazetat vendase. Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e një prej urave më të gjata në botë që do të hidhet mbi Gjirin e Izmirit.

***

Recesioni nën Bullgari vazhdon dhe pritet të shtrihet më 2010, tha Komisioni Europian (KE) në një raport mbi financat publike të dalë të martën (23 qershor). Sipas raportit, Bullgaria ndeshet me sfidën e mbajtjes së rritjes në një rënie të ashpër të ekonomisë globale. Dokumenti rekomandon zbatimin e politikave të forta për të korrigjuar deficitin e madh të jashtëm dhe për të përmirësuar cilësinë e shpenzimeve publike.

***

Konsorciumi Ener-Alb Projects fitoi një koncesion për të ndërtuar një port jahtesh në Gjirin e Lalzit, pranë Durrësit, Shqipëri, njoftoi media vendase të mërkurën (24 qershor). Konsorciumi fitoi një ofertë prej 9.6 milionë euro dhe administrimin e portit për 32 vjet.

***

Fondi i Pensioneve i Kosovës humbi 92.5 milionë euro vitin e kaluar, njoftuan të martën (23 qershor) kontrolluesit e pavarur. Humbjet janë rezultat i recesionit që goditi institucionet financiare, ku janë shumica e kursimeve të Fondit të Pensioneve.

(Burime të ndryshëm – 19/06/09-26/-6/-09)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com