Biznes: Shtatë kompani ofrohen për të financuar Telekom Srbija

30/05/2008

Telekom Srbija i Serbisë po kërkon një financues për IPO e vet. Gjithashtu në biznesin e kësaj jave: Turqia merr 600 milion $ kredi nga Banka Botërore dhe Mali i Zi fut një eko-taksë në hyrjen e makinave të huaja këtë verë.

Shtatë kompani ofrohen të financojnë ofertën fillestare publike të Telekom Srbija të Serbisë. Ato janë Citigroup, Merrill Lynch, Goldman Sachs, Morgan Stanley, një konsorcium Raiffeisen Bank-Deutsche Bank, një konsorcium kryesuar nga JP Morgan dhe një konsorcium kryesuar nga Credit Suisse, tha të martën (27 maj) Agjensia Serbe e Privatizimit. Shpallja e fituesit duhet të vijë në fund të korrikut apo në gusht.

***

Banka Botërore miratoi një kredi eksporti 600 milion $ për Turqinë, tha të hënën 26 maj) Ulrih Zakau, drejtori i Bankës për Turqinë. Kredia pritet të rritë kapacitetin dhe konkurrencën e eksportuesve lokalë duke i dhënë atryre kapital pune afat-gjatë e afat-mesëm dhe financim investimi. Kredia do të shpërndahet nga Banka e Zhvillimit Industrial të Turqisë dhe Banka e Kreditit të Eksportit e Turqisë.

***

Ministria e turizmit e Malit të Zi njoftoi të hënën (26 maj) një eko-taksë të re mbi të gjitha makinat e huaja që hyjnë këtë verë në vend, në një orvatje për të mbrojtur mjedisin. Taksa, efektive nga 15 qershori do të jetë 10 euro për veturat dhe minibusët dhe nga 30 deri 150 euro për kamionët, autobuzët dhe makinat e tjera të mëdha.

***

Komisioni Evropian (KE) do të kryesojë Konferencën e Donatorëve për Kosovën në 11 korrik, tha zyra e KE në Prishtinë të mërkurën (28 maj). Pas thirrjeve prej qeverisë për projekte konkrete të zgjedhëshme për ndihmën e huaj, komunat dërguan 357 projekte në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi dhe turizëm, tha KE.

***

Ministria shqiptare e ekonomisë, tregtisë dhe energjisë ka vënë në shitje degën shpërndarëse të njësisë së elektricitetit të Shqipërisë, KESH, raportoi të enjten (29 maj) Financial Times. Ministria do t'i shesë nga 51% në 76% të kompanisë shpërndarëse një investitori të huaj për të minimizuar humbjet e kompanisë.

***

Njësia energjitike e Bullgarisë, NEK, ftoi të mërkurën (28 maj) dy ofruesit e përzgjedhur në një tender për 49% në centralin e dytë bërthamor bullgar (Belene) për të paraqitur ofertat e tyre deri në 23 qershor. Ofruesit për projektin 4 miliard euro janë njësia gjermane RWE dhe Electrabel e Belgjikës. Centrali 2,000 MW duhet të jetë në punë nga 2013 ose 2014.

(Burime të ndryshme – 23/05/08-30/05/08)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne