19/02/2008
Përfaqësuesit e komitetit parlamentar të NATO-s nga rajoni ndoqën një konferencë në Shkup. Gjithashtu këtë javë: ministri i jashtëm maqedonas Antonio Milososki u takua me homologun e tij të Luksemburgut Zhan Aselborn.
Një konferencë tre-ditore e titulluar "NATO: Bukureshti e përtej" nisi në Shkup të hënën (18 shkurt). Seminari mblodhi së bashku kryetarët e komiteteve parlamentare të NATO-s nga vendet në rajon e më gjerë. Ajo pritet të përqëndrohet në rolin e Aleancës në mjedisin e ri të sigurimit global dhe në Evropën Juglindore si edhe rolin e komiteteve parlamentare mbi çështjet e jashtme dhe mbrojtjen në zbatimin e objektivave dhe politikave të NATO-s. Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski u foli pjesëmarrësve të hënën.
***
Kryeministri bullgar Sergej Stanishev dhe homologu i tij moldav Vasile Tarlev, ranë dakord të enjten (14 shkurt) në Kishiniev të intensifikojnë tregtinë dhe investimet e ndërsjellta. Stanishev ishte në një vizitë tre-ditore në Molldavi, e para nga një kryeministër bullgar qëkur Molldavia u shpall e pavarur në 1990. Stanishev u takua gjithashtu me presidentin Vladimir Voronin dhe kryetarin e parlamentit Marian Lupu.
***
Mosmarrëveshja e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe mundësia që çështja mund të pengojë përpjekjen e Maqedonisë për në NATO, qenë temat kryesore të diskutuara në një takim midis ministrit të jashtëm maqedonas Antonio Milososki dhe homologut të tij të Luksemburgut Zhan Aselborn, në Luksemburg të enjten (14 shkurt). Aselborn i tha Milososkit se mopsmarrëveshja e emrit është dypalëshe dhe duhejt ë zgjidhej me ndihmën e të dërguarit të posaçëm të OKB Methju Nimetz. Aselborn theksoi se anëtarësimi në NATO është shumë më i rëndësishëm se sa emri i vendit dhe u kërkoi të dy vendeve ta zgjidhnin çështjen përpara samitit të NATO-s në prill.
***
Kryetari i parlamentit maqedonas Ljubisha Georgievski udhëtoi në Ljubljanë të enjten (14 shkurt) për t''u takuar me homologun e tij slloven France Cukjati. Georgievski theksoi se Maqedonia, si një kandidate e BE, do të ndiqte qëndrimin e BE lidhur me pavarësinë e Kosovës.
***
Ministri i mbrojtjes i Izraelit Ehud Barak u takua me zyrtarët turq në Ankara në 12 shkurt për të diskutuar mundësitë për të rritur bashkëpunimin strategjik midis të dy vendeve si edhe situatën në rajon. Barak u takua me homologun e tij turk Vexhdi Gonul, ministrin e jashtëm Ali Babaçan dhe kryeministrin Rexhep Tajip Erdogan.
***
Kryeministri kroat Ivo Sanader u takua me homologun e tij çek Mirek Topolanek, në 12 shkurt në Pragë. Topolanek vlerësoi nivelet e marrëdhënieve midis të dy vendeve dhe konfirmoi mbështetjen e fortë të vendit të tij për ofertën e Kroacisë për në BE.
(Burime të ndryshme 12/02/08-19/02/08)