27/11/2006
Fondacioni Gejts, ngritur nga Bill Gejts i Mikrosoft, ka në plan të sjellë kompjutera gratis dhe lidhje interneti në bibliotekat e Rumanisë. Gjithashtu në shkencë e teknologji: një shkencëtare kroat dhe koleget e saj llogarisin një datë kyçe në evolucionin njerëzor.
Fondacioni Gejts ka njoftuar plane për të kompjuterizuar bibliotekat publike të Rumanisë duke ofruar akses të lirë për kompjuterat dhe internetin për të gjithë rumunët. Ministria e kulturës e vendit ka mbajtur bisedime me fondacionin dhe ka paraqitur një hartë të sistemit të bibliotekave të Rumanisë, në përgatitje për një studim realizueshmërie. Projekti është pjesë e nismës Bibliotekat Globale të fondacionit.
***
Shkencëtarja kroate Maja Paunoviç dhe koleget e saj gjermane e amerikane kanë llogaritur një piketë në përpjekjet për të dekoduar genomin komplet të neandertalit, humanoidëve të zhdukur ekzistenca e të cilëve u zbulua 150 vjet më parë me fosilet e gjetura në një minierë në Gjermani. Paunoviç është pjesë e një ekipi të udhëhequr nga Svante Paabo i Institutit Maks Plank për Antropologjinë Evolucionare në Laipzig, Gjermani. Duke krahasuar DNA të njeriut, neandertalit dhe shimpanzesë, ekipi gjeti se ndryshimet kanë ndodhur rreth 516,000 vjet më parë.
***
Një tubim rajonal shkencor mbi mbrojtjen e detit Adriatik dhe burimeve të tij natyrore, u zhvillua në Institutin për Biologjinë në Kotor, Mali i Zi, nga 18-21 nëntor. Takimi tërhoqi ekspertë nga Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi. Propozimet konkrete do të shqyrtohen vitin e ardhshëm në një tjetër takim në Teramo, Itali.
***
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë (SANU) festoi 165 vjetorin e saj në 19 nëntor. Në një ceremoni zyrtare, Ministri i Shkencës dhe Mbrojtjes së mjedisit Aleksandër Popoviç tha se SANU është një institucion kyç i Serbisë dhe dhënia atij fonde të mjaftueshme për shkencën dhe kërkimin, është një përparësi e qeverisë. SANU pranoi 13 anëtarë të rinj duke e çuar numrin e përgjithshëm të akademikëve në 151.
***
UNICEF dhe qeveria japoneze organizuan një seminar ndërkombëtar në Tiranë mbi gripin e shpendëve, përqëndruar në komunikimin gjatë emergjencave shëndetësore dhe masat e duhura për të minimizuar shpërthimet pandemike. Kerri Ouer, përfaqësuese e UNICEF në Shqipëri tha se veprimtaria, e cila u bë në 20 nëntor, ishte e para nga gjashtë seminaret që do të mbahen në Evropën Qendrore e Juglindore.
***
Ministria e arsimit e Bullgarisë do të ofrojë 437 milion euro nga fondet strukturore të BE për arsimin dhe shkencën në 2007-2013. Ministria do të organizojë ditë informimi në 15 qytete ku do të paraqesë mundësitë e financimit në kuadrin e programit të titulluar "Zhvillimi i Burimeve Njerëzore". Shkollat, universitetet, bashkitë dhe OJQ-të do të jenë në gjendje të aplikojnë për financim. Projekti pritet të përqëndrohet në futjen e IT të reja për të rritur cilësinë dhe arritshmërinë e arsimit.
(Burime të ndryshme 20/11/06 - 27/11/06)