Kulturë: Grupi legjendar Leb i Sol mban koncert në Bitola

12/07/2006

Grupi i xhazit i kohës jugosllave, Leb i Sol u ribashkua pas ndarjes dhjetë-vjeëare dhe nisi një turne rajonal. Gjithashtu në lajmet kulturore: kroatët dhe serbët nderojnë Nikola Tesla; Ziko i Brazilit është përzgjedhur të trainojë Fenerbahçe të Turqisë dhe arkeologët bullgarë zbulojnë një vendbanim të lashtë.

Leb i Sol, grupi më i famshëm në ish Jugosllavi, nisi një turne rajonal me një kocert në Bitola, Maqedoni. Rreth 3,000 vetë u mblodhën të shohin kitaristin virtuoz Vlatko Stefanovski dhe shokët e tij të grupit, Bodan Arsovski (kitarë bas), Nikola Dimushevski (keybord) dhe Garo Tavitjan (bateri), të luanin 25 nga hitet e tyre më të mëdha. Krijuar në vitet 1970, Leb i Sol qe i njohur për kombinimin e e rrokut, xhaz-fuzionit dhe muzikës etnike. Ata fituan çmime të shumta në festivalet muzikore në vitet 1970 e 1980 dhe janë zgjedhur përsëritshëm si grupi më i mirë i vitit.

***

Qindra kroatë e serbë lanë dallimet mes tyre për të përkujtuar 150 vjetorin e shkencëtarit dhe shpikësit të famshëm në botë, Nikola Tesla, një serb etnik lindur në Kroaci. Përkujtimi u bë në fshatin e Teslës, Smiljan dhe u shënua me përurimin e një qendre të re multimedia. Zyrtarët thanë se Tesla simbolizon të kaluarën e përbashkët midis dy vendeve; ai dikur pati thënë se qe njëlloj krenar për origjinën e tij serbe dhe atdheun kroat.

***

Mjeshtri i futbollit brazilian Ziko do të trainojë Fenerbahçe të Turqisë, sipas një njoftimi nga drejtuesit e klubit turk, javën e kaluar. Ziko, ish traineri i ekipit kombëtar japonez, do të pasojë Kristof Daum të Gjermanisë që dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.

***

Muzeu J. Paul Getty në Los Anxheles tha se do të kthente dy objekte të rëndësishme në Greqi, një bazorelief të shekullit të 6-të para Krishtit nga ishulli Tasos i Egjeut verior dhe një stelë të gdhendur të shekullit të katërt nga Viotia. Athina pretendonte se këto dy objekte, së bashku me një statujë mermeri vajze dhe një kurorë të artë maqedonase, kanë dalë nga vendi ilegalisht.

***

Arkeologët bullgarë njoftuan javën e kaluar se zbuluan një vendbanim të lashtë thrakas datuar në shekullin e 5-të para Krishtit, në komunën qendrore të Karlovos. Gërmimet nxorrën një godinë 3,000 vjet të lashtë me një çati me tjegulla të dekoruara, e cila mund të ketë qenë pallati i sunduesit lokal.

***

Antologjia e parë e autorëve bashkëkohorë shqiptarë, përkthyer në anglisht, u botua në Britaninë e Madhe nën titullin "Bukuri Ballkanase, gjak ballkanik: tregime moderne shqiptare". Antologjia 143-faqëshe, botuar nga Northwestern University Press, u përpilua nga Robert Elsi. Ajo përfshin 11 autorë, nëntë nga Shqipëria dhe një nga Kosova e një nga Maqedonia.

***

Festivali i 57-të veror i Dubrovnikut u hap në 10 korrik në Kroaci. Programi përfshin mbi 80 shfaqje teatri, baleti dhe opere, koncerte, mbrëmje letrare dhe ekspozita arti nga pjesëmarrësit prej mbi 20 vendeve.

(Burime të ndryshme – 05/07/06-12/07/06)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne