Ambasadori i SHBA thotë se Shqipëria do të bashkohet me NATO-n brenda disa javësh

13/03/2009

TIRANË, Shqipëri -- Ambasadori i SHBA në Tiranë, Xhon Uidhers thotë se Shqipëria do të bashkohet së shpejti me NATO-n si një anëtare e plotë dhe do të mbrojë veten dhe partnerët e saj. Shqipëria pritet të bashkohet me Aleancën në takimin e saj të nivelit të lartë në fillim të prillit në Strasburg dhe Këln.

Në lajme të tjera të enjten (12 mars), Ambasadori i OSBE Robert Bosh u kërkoi të gjithë shtetasve shqiptarë që të bënin kërkesa për kartat e reja të identitetit. Bosh e bëri thirrjen gjatë një vizite në një qendër të bashkësisë në Tiranë me Avokatin e Popullit Emir Dobjani.

Gjithashtu të enjten, parlamenti miratoi një dekret presidencial që emëronte Ardian Turkun si ministër të ri të turizmit, kulturës, rinisë dhe sporteve. Ligjvënësit miratuan gjithashtu heqjen e ish-ministrit Ylli Pango, i cili u shkarkua pas një video në TV javën e kaluar që e tregonte atë të joshte dy të reja në këmbim të vendeve të punës.

Në lajme të tjera, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama njoftoi të enjten se hetimet lidhur me shpërthimet e municioneve të Gërdecit vitin e kaluar kanë përfunduar dhe zyra e saj do ta dërgojë së shpejti çështjen në gjykatë. Vendi shënon përvjetorin e parë të shpërthimeve vdekjeprurëse të dielën. (Balkan Web, Telegrafi, News 24, Alsat, Shekulli, BBC, Top Channel, Klan - 12/03/09)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne