17/08/2012
Masat e ashpra shtrënguese po bëjnë që grekët të mbajnë kuletat e çantat e dorës të tyre të mbyllura fort.
Nga Andi Dabilis për Southeast European Times në Athinë -- 17/08/12
Në shtator, Kristina Agelaki, 56 vjeç, do të mbyllë dyqanin e mallrave sportive që ajo e i shoqi i saj kanë administruar në një lagje perëndimore të Athinës për 30 vjet, viktima të një recesioni të thellë të përkeqësuar nga masat shtrënguese që kanë ngadalësuar shpenzimin pothuajse në bllokim.
"Ka patur një rënie gjithnjë e në rritje e kjo krizë ishte goditja përfundimtare," tha ajo për SETimes ndërsa ishte ulur në dyqanin e saj me një shoqe, Aliki Tanaki, 44 vjeç, që mbylli dy dyqane për furnizime dasmash.
Kudo rreth e rrotull Agelakit, raftet ishin gjysmë bosh: disa këpucë vrapimi, dy topa basketbolli për 10 euro, veshje kundër djersës me çmime të ulura. Ajo tha se disa herë pret gjithë ditën për një ose dy klientë Agelaki tha se e kuptoi në Krishtlindjet e kaluara se dyqani nuk do t'ia dilte gjatë këtij viti, pasi të shiste inventarin e mbetur.
Grekët kanë patur pagat e tyre të shkurtuara 30 përqind ose më shumë dhe verën e pushimet e shtesat e shpërblimeve të tyre u shkurtuan me deri në 80 përqind, duke i lënë ata me pak të ardhura në dispozicion gjatë një recesioni pesë-vjeçar që po bëhet më keq për ditë.
"Ndjehem e dëshpëruar," tha Agelaki. Tanaki tundi kokën në mirëkuptim. "Nuk mund të ëndërrosh më," tha ajo për SETimes .
Ato kanë plot shoqëri për këtë. Vetëm pesë muaj më parë, Konfederata Kombëtare e Tregtisë (ESEE) greke tha se sektori tregtar ishte në "mbyllje epidemike" e se deri në fund të vitit Greqia do të ketë humbur të paktën 68,000 biznese që nga janari 2011.
Edhe zonat më me trafik rreth qendrës së qytetit po e ndjejnë shtrëngimin. Rrugët janë rresht me dyqane të mbyllura, dritare të zymta që mezi fshehin letra të çngjitura e inventar të harruar.
Në Rrugën Stadiuo, një rrugë e madhe që shpie në qendër të qytetit, 42 përqind e dyqaneve kanë ikur. ESEE tha se Athina ka humbur 30 përqind të dyqaneve të saj në tërësi, pasi qeveritë njëra pas tjetrës kanë detyruar valë shkurtime pagash, rritje taksash e shkurtuan pensionet në një përpjekje dëshpëruese për të ndalur një shkarje drejt falimentimit, që nuk duket se po ecën.
Valia Aranitu, drejtore e Institutit të Punës në ESEE, tha se shumë më tepër dyqane do të mbyllen për shkak të krizës e taksave të larta që nuk i përballojnë dot me shitjet e venitura.
"Kjo është më e keqja sepse deri tani shumë shitës kishin disa para mënjanë, kështu që mund të paguanin taksat, por tani këto para po mbarojnë," tha ajo për SETimes .
Organizata pret që shitjet të bien 53 përqind këtë vit, një tregues për të cilin presidenti i saj, Vasilis Korkidis, shkroi në një artikull. "Tregu po shteron, sipërmarrësit shohin xhiron e tyre të shkatërrohet e blerësit kthehen tek blerja vetëm e mallrave që mbulojnë nevojat kryesore."
Sondazhet kanë treguar se grekët po kalojnë tek marka të përgjithshme e po shkurtojnë sendet e luksit, si stoli, por edhe për ushqime, këpucë e veshje.
Notos Galleries, një rrjet gjigant veshjesh tha se kishte një rënie prej 15 përqind gjatë periudhës së Pashkëve kur grekëve iu dhanë shpërblime më të vogla, duke fshirë parashikimet e fitimit për vitin.
Gushti është një nga dy periudhat zyrtare të shitjeve në Greqi, por edhe me çmimet e ulura deri në 80 përqind ka pak blerës në shumë dyqane.
Maritha Kalli, 36 vjeç, një krijuese e grafikëve, po vështronte në vitrinat e një dyqani këpucësh, por tha se nuk ishte gati për të blerë edhe me 35 përqind ulje, pasi biznesi i saj po luftonte t'ia dilte me listën e pagesave.
"Paguhemi vetëm gjysmën e kohës tani," tha ajo për SETimes . Ajo tha se pronarët e biznesit i thonë se nuk është faji i tyre. "Ndërmarrjet që na detyrohen para nuk paguajnë për tre muaj," tha ajo.
Ndërsa shkurtimet e pagave janë kërkuar për punonjësit e sektorit publik, sektori privat, pas një shkurtimi të pagës minimale e heqjes së të drejtave të kontratave kolektive për punonjësit, ka ndjekur me të shpejtë shembullin. Dhe me një nivel papunësie prej 23.1%, 54.9% për ata nën 25 vjeç, shumë punonjës duhet të pranojnë atë që marrin ose të mos marrin gjë fare. Dhe nuk shpenzojnë.
Me një qeveri të re koalicioni që po mendon për më shumë shkurtime të pagave e pensioneve dhe eliminimin krejtësisht të shpërblimeve, ka pak shpresë që bizneset ose vendet e punës të vijnë përsëri.
Në Rrugën Ermou, më e mbushura në qytet, ka mjaft blerës vitrinash duke përfshirë Kallin, që iku tutje pa blerë gjë. Ajo tha se ka po shkurton edhe më të domosdoshmet. "Madje ble edhe letrën higjienike më të lirë," tha ajo me një buzëqeshje.