Kosovo merr masa për të pakësuar importet e grurit të huaj

07/08/2012

Ndihma financiare nga qeveria në Kosovë për prodhimin e grurit arriti në 4.4 milionë euro këtë vit.

Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë -- 07/08/12

Ndihma financiare nga qeveria për prodhimin e grurit në Kosovë arriti në 4.4 milionë euro këtë vit, tha për SETimes Adil Behramaj, zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës. "Rezultati i ndihmës ishte 6,000 hektarë [shtesë] me grurë të mbjellë këtë vit," tha Behramaj said.

Salih Salihu, një fermer e profesor i bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, nisi të kultivojë grurin, misrin, pataten e qepë, tre vjet më parë në Viti.

Ai është një nga fermerët që mori subvencione shtetërore. "Kosova ka dhënë subvencione prej 100 euro për hektar, parashikuar vetëm për fermerët që mbjellin më shumë se dy hektarë," tha Salihu për SETimes .

Salihu ka 58 hektarë tokë, nga të cilat 45 u mbollën me grurë vitin e kaluar e 27 hektarë këtë vit.

"Zakonisht mbjellim zona të mëdha me grurë, por kjo varet nga viti në vit. Pati një prodhim të lartë këtë vit krahasuar me të kaluarin," tha Salihu për SETimes .

Të korrat e grurit nuk dhanë prodhim të lartë gjëkundi tjetër në Kosovë. E përditshmja Koha Ditore njoftoi në fillim të gushtit se në Rahovec, fermerët njoftuan gjysmën e të korrave të vjetshme; 5.500 kg për hektar vitin e kaluar e vetëm 3.900 kg për hektarë këtë vit.

Behramaj tha se prodhimi i grurit është më i ulët në të gjithë rajonin këtë vit për shkak të temperaturave të larta e thatësirës. Kosova synon të kompensojë prodhimin më të ulët për hektar me më shumë sipërfaqe të mbjellë që do të barazojë prodhimin e grurit për të dy vitet.

Por Salihu tha se se ka një numër vështirësish për prodhimin më të lartë të grurit, si sigurimi i farërave cilësore e plehrave ushqyese.

"Farërat importohen nga vendet fqinjë e nuk janë të cilësisë së lartë shumicën e rasteve. Plehrat ushqyese janë gjithashtu të rëndësishme e jo të një cilësie të garantuar," tha Salihu.

Behramaj tha se Kosova kishte 83,875 hektarë të mbjellë me grurë këtë vit e priste një prodhim prej rreth 4 tonë për hektar.

Nevoja e përgjithshme për grurë e Kosovës është rreth 410,000 tonë, tha ai. Importi i përgjithshëm i vendit është rreth 130,000 tonë. Kosova importon grurë, misër e miell kryesisht nga Serbia e Rusia.

"Kosova pritet të përmbushë 75% të nevojave të saj për konsumin e grurit," tha Behramaj për SETimes .

Tahir Tahiri, kryetari i Sindikatës së Fermerëve të Kosovës tha për të përditshmen Zeri në fillim të gushtit se me prodhimin vendor të saj, Kosova mezi përmbush 30% të nevojave të popullsisë.

Sipas Saliut, Kosova prodhon nga 200,000 deri në 250,000 tonë grurë.

"eshtë e rëndësishme që Kosova të rrisë prodhimin e grurit sepse shpenzon rreth 35 milionë euro në vit duke blerë grurë," tha Salihu, duke shtuar se duhen më shumë zona të mbjella me grurë e prodhim më i lartë për hektar.

"Për të përmbushur nevojat e konsumit për grurë, zonat e mbjella me të duhet të zgjerohen, të përmirësohen masat agro-teknike e fermerët duhet të edukohen në zbatimin e tyre. Kjo do të rrisë prodhimin," tha Behramaj për SETimes .

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.