Serbi: demokratët jashtë, socialistët brenda

29/06/2012

Mandati për të formuar qeverinë e re serbe i është dhënë udhëheqësit të Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiç -- duke e shtyrë ish-Presidentin Boris Tadiç në opozitë.

Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd -- 29/06/12

Më 8 maj, kur socialistët e demokratët e Serbisë nënshkruan një marrëveshje koalicioni pas zgjedhjeve parlamentare, u duk sikur të dyja partitë do të formonin lehtësisht një qeveri të re. Megjithatë, kjo nuk ndodhi kurrë.

Pas zgjedhjeve, Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliç ia dha mandatin kundërshtarit të tij, ish-Presidentit Boris Tadiç, por bisedimet me socialistët -- pa të cilët qeveria nuk do të formohej kollaj -- përfunduan të zvarristra për më shumë se 50 ditë.

Kur prograsistët i ofruan udhëheqësit të Partisë Socisliste të Serbisë, Ivica Daçiç funksionin e kryeministrit, socialistët ndërruan krah -- dhe të enjten (28 qershor), Daçiçi mori mandatin nga Nikoliçi për të formuar qeverinë e re.

Nikoliçi u tha gazetarëve se qeveria e ri duhet të formohet tani shpejt.

"Qeveria serbe duhet të jetë më e vogël në përmasa, e efektshme dhe e përgjegjëshme dhe duhet të vendosë mbi gjërat e rëndësishme për shtetasit me marrëveshje," tha Nikoliçi pas takimit me Daçiçin.

Daçiçi tha se qëllimet kryesore të qeverisë së tij do të ishin "të ndërtonin një shtet të fortë që kujdeset për interesat kombëtare, vazhdimësinë e integrimit evropian, drejtësinë e barazinë shoqërore e luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit."

Qeveria e re do të përbëhet nga Partia Progresiste, Partia Socialiste e Rajonet e Bashkuara të Serbisë. Dy partitë e fundit kanë qenë partnerë me demokratët në qeveri për katër vitet e fundit.

Tadiçi tha se problemi ishte se ai nuk pranoi t'u jepte socialistëve funksionin e kryeministrit.

"Qeveria e re ka të drejtën e një shansi, por çështja është -- a kanë njerëzit që administrojnë Serbinë sot njohuri e përvojë të mjaftueshme për të zgjidhur të gjitha problemet e rënda?" tha ai për gazetarëve pasi u dha lajmi.

Dezhan Vuk Stankoviç, profesor i Universitetit të Beogradit, tha për SETimes se pika e kthesës në bisedimet mbi formimin e qeverisë erdhi pasi socialistët kishin marë "një ofertë shumë të mirë nga Partia Progresiste."

"Fakti është që nuk ka dallime politike të mëdha mes partive, prandaj çështja e vërtetë është se kush nuk shkon me tjetrin sesa kush shkon me tjetrin," tha Stankoviçi.

Vladimir Radomiroviç, i Qendrës për Analizat Strategjike, tha për SETimes se Tadiçi nuk i trajtoi mirë punët pas humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale. "Nuk është e rrallë në Evropën Juglindore për përfaqësuesit e rregjimit të vjetër që u hoqën nga demonstratat masive të kthehen në pushtet."

"Disa qeveri të këtij lloji u vërtetuan të jenë shumë të mira. Përveç kësaj, edhe BE nuk pati asgjë kundër hyrjes së Ivica Daçiçit në qeveri me Boris Tadiçin më 2008 e ajo qeveri u lavdërua në Perëndim si 'pro-evropiane' në atë kohë," tha Radomiroviçi. Shtetasit kanë gjithashtu pikëpamje të përzjera.

"Demokratët janë forca kryesore pro-evropiane në vend; nuk e di nëse këto parti do të kenë personel cilësor për të drejtuar vendin," tha për SETimes Millorad Trifunoviç, 26 vjeç.

Megjithatë, Nikola Jankoviç tha për SETimes se qeveria e re do të jetë më e suksesëshme sesa e mëparshmja. "Me demokratët, vendi ra në kthetrat e korrupsionit e jemi në një gjendje shumë të vështirë ekonomike. Nuk e di kë merr malli për Partinë Demokratike."

Në Kosovë, aleanca Nikoliç-Daçiç u kujtoi disave kombinimin e ngjashëm të pushtetit në Serbi në vitet 1990.

Belul Beqaj, president i Lëvizjes Evropiane në Kosovë, tha se kjo aleancë do të sqarojë marrëdhëniet mes Serbisë e Kosovës dhe shqiptarëve e serbëve.

"Ky duet i tanishëm do të përpiqet të transformojë gjendjen në veri ... kompromisi do të jetë pranimi i një realiteti [unik] në të cilin dy sisteme do të funksionojnë. Njëri në veri, që u jep përparësi ligjeve evropiane e Kartës Evropiane për pushtetin vendor dhe ... [një në pjesën tjetër të Kosovës.] Veriu do të kontrollohej më shumë nga Serbia sesa nga Kosova."

Korrespondentja e SETimes në Prishtinë Linda Karadaku kontribuoi në këtë raport.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.