20/06/2012
Trainimi i punonjësve profesionalë mikpritës është kryesor për rritjen e një tregu turistik luksi.
Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë -- 20/06/12
Turizmi në Ballkan po ecën mirë, por ekspertët e industrisë shprehen se punonjësit në sektor kanë nevojë për arsim të shëndetshëm në nivelin e administrimit në mikëpritjen si dhe një metodë më të përqëndruar të mbështetur në plane të hollësishme me qëllim që industria të lulëzojë plotësisht.
Potenciali i turizmit të sofistikuar të rajonit ka rënë në syrin e rrjetit më të përhapur të botës të shkollave të menazhimit, Edukimi Laureat i Mikpritjes (LHE) me bazë në Zvicër, që po përpiqet tani të tërheqë studentë nga Ballkani.
"Sapo studentët me arsim të lartë të përfundojnë studimet e tyre, disa nga ta do të kthehen dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e turizmit në vendet e tyre. Kjo shpërblehet në të dy krahët," i tha SETimes Julia Tokareva, drejtore e pranimit të LHE për Evropën Lindore.
Tokareva vizitoi rajonin këtë muaj për të vlerësuar potencialin për rritjen e turizmit. "Në opinionin tim, ka shumë për turistët për të parë e për t'u treguar kështu që ata do të rigarantohen rreth sigurisë dhe komfortit të tyre ndërsa vizitojnë," tha ajo.
Ekspertët thonë se ka një theksim në prodhimin e specialistëve me aftësi të larta sepse turistët e sofistikuar dhe ata "tipikë" në rritje, presin maksimumin në komfort dhe vëmendje deri në detaje.
"Nuk duhet nënvleftësuar rëndësia e specialistëve që kanë marrë njohurinë dhe ekspertizën e duhur për zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së turizmit dhe mikrpitjes. Shërbimi i madh i klientëve, një përvojë pozitive dhe komforti janë ato që i sjellin prapë turistët dhe gjejnë referime prej tyre. Unë mendoj se Ballkani ka një shans të mirë për sukses," tha Tokareva.
Ajo shtoi se studentë potencialë nga Kroacia, Maqedonia, Bosnje dhe Herzegovina, Shqipëria e Kosova kanë shprehur një interesim.
Belul Beqaj, një profesor i Universitetit të Prishtinës, pranoi se është e nevojshme të krijohet një kontigjent personeli profesional.
"Ka një nevojë të madhe tani për profesionistë në këtë fushë, bazuar në rëndësinë vënë turizmit sot në Kosovë. Ne duhet të kemi profesionistë të rinj në qoftë se duam të zhvillojmë këtë fushë dhe të mbështesim këtë zhvillim me burimet e mjaftueshme njerëzore," i tha Beqaj SETimes.
Besart Xhaferri ka qenë një i pranuar nga Grupi i Edukimit i Kembrixhit në Shqipëri e Bullgari, që ka diplomuar mbi 80 studentë shqiptarë e bullgarë.
"Është e rëndësishme për punëdhënësit të pajtojnë personel që del nga shkolla dhe është aq i kualifikuar sa të jetë e mundur kështu që nuk ka nevojë për trainim me shpenzimet e një kompanie. Fakti që Les Roches dhe Glion i kualifikojnë studentët në shkolla me vite të detyrueshme praktike u jep studentëve këtë avantazh."
Të diplomuarit që kthehen në vendet e tyre respektive janë vlerat më të mira për të tërhequr kompanitë e mëdha të investojnë në mikpritje.
"Për ca kohë Kroacia, Greqia dhe Bullgaria kanë patur një numër të konsiderueshëm studentësh aktivë në këto dy universitete dhe mund të shihet qartë suksesi në industritë e tyre të turizmit të këtyre vendeve," tha Xhaferi.
"Sa për Shqipërinë, përgatitja e një ushtrie ekspertësh në këtë fushë është më jetike se investimi në infrastrukturën bazë të vendit," shtoi ai.
Për të nxitur turizmin e sofistikuar, ekspertët thanë se Shqipëria duhet të ofrojë shërbime më të mira, më mirë duke ndjekur standardin kroat, që është një nga më të lartët e rajonit.
"Bullgaria po shkon përpara shpejt dhe Greqia ka një shekull turizëm tani, ndërsa Turqia është tashmë kryesuesi i Evropës në fushën e turizmit luksoz," tha Xhaferri.