20/06/2012
Zyrtarët pranojnë se disa kritere të udhëzimeve janë shumë sfiduese për t'u zbatuar, por shumë mbeten me shpresë se Kosova nuk do të mbetet e refuzuara e rajonit në udhëtimin pa viza.
Nga Safet Kabashaj për Southeast European Times në Prishtinë -- 20/06/12
Pas marrjes së planit udhëzues për liberalizimin e vizave javën e shkuar, zyrtarët e Kosovës shprehën shqetësim se mungesa e një qëndrimi të përbashkët të BE-së ndaj vendit mund të shkaktojë që Komisioni Evropian të përfshijë kushte shtesë që do të ngadalësojnë procesin.
Harta udhëzuese rreshton 95 kritere -- duke përfshirë administrimin e kufirit dhe imigracionit, sigurimin e dokumenteve, ri-integrimin e ripranimin, masa kundër krimit të organizuar e korrupsionit si dhe mbrojtjen e të drejtave e lirive thelbësore, kushte këto që Kosova duhet të përmbushë për të siguruar udhëtimin pa viza për shtetasit e saj.
Ky është veprimi i parë praktik i BE-së për të përfshirë Kosovën -- të mbeturën e vetme të rajonit -- në udhëtimin pa viza në zonën Shengen. Mali i Zi, Maqedonia e Serbia u bashkuan me rregjimin pa viza të BE-së në dhjetor 2009, pasuar nga Shqipëria e Bosnjë dhe Hercegovina një vit më pas.
Ndonse Kosova ka punuar për të përmbushur kriteret, zyrtarët thanë se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit e emigracionit të paligjshëm do të jetë sfiduese.
"Këto tre kritere besoj se do të shkaktojnë një dhembje koke të madhe, pavarësisht nga përparimi i ndjeshëm në kriteret e tjera," tha për SETimes Gëzim Kasapolli, zëvendës ministër për integrimin evropian.
Prishtina u zotua të përmbushë kriteret e hartës udhëzuese, por vendeve të tjera rajonale u janë dashur mes 13 e 22 muaj për këtë.
"Jemi të vendosur që të përmbushim kriteret në kohë rekord, por disa janë përtej sferës kombëtare, si lufta kundër krimit të organizuar e bashkëpunimi kufitar," tha Kasapolli.
Një bllok tjetër pengues mund të vërtetohet të jetë qëndrimi i vendeve anëtare të BE-së ndaj vendit -- pesë nga 27 vendet anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
"Frika ime më e madhe ndaj këtij dokumenti, ndërkohë, është se do të ofrojë një mundësi për kritere shtesë, që do të vonojnë procesin," tha për SETimes Lutfi Haziri, kryetari i komitetit parlamentar të Kosovës mbi integrimin evropian.
Avni Mazrreku, drejtor i Kolegjit të Studimeve Evropiane në Prishtinë, tha se ndërsa mungesa e qëndrimit të përbashkët të BE-së mund të shpjerë në kushte të reja, problemi pasqyrohet në marrëdhëniet e përgjithshme, jo vetëm në procesin e liberalizimit të vizave.
"Pesë vendet anëtare po ngadalësojnë të gjitha llojet e bashkëpunimit mes BE-së e Kosovës," tha Mazrreku.
Haziri pranoi se ngurrimi i Bruskselit për të përfshirë një rajon të tërë në zonën Shengen ishte për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që emigrojnë në BE. "Kërkimi i azilit ekonomik vazhdon ende dhe është një shqetësim për disa vende të BE-së, veçanërisht për disa vende mike të Kosovës si Belgjika, Franca, Suedia e Austria."