02/06/2012
Qeveria e Kosovës ka hapur një dialog të gjerë me qëllim që të adresojë krimet e luftës dhe të arrijë pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve, 13 vjet pas konfliktit të armatosur.
Nga Safet Kabashaj për Southeast European Times në Prishtinë -- 02/06/12
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është duke propozuar një komision rajonal për të vërtetën dhe pajtimin për ish-Jugosllavinë që do të hetojë krimet e luftës nga konflikti i viteve 1990.
"Ne do të fillojmë të punojmë për këtë çështje aq sa mundemi, do të përpiqemi që të angazhohemi dhe të bashkëpunojnë me vendet në rajon", tha zëvendës kryeministri Hajredin Kuçi.
Komisioni do të gjejë se çfarë ka ndodhur në çdo krim lufte, do të krijojë një program dëmshpërblimi për viktimat, familjet e viktimave dhe do të penalizojë keqbërësit.
Sekretari i shtetit i Ministrisë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit do të çojë në pajtimin midis serbëve dhe shqiptarëve.
"Çdo veprim në këtë drejtim e bën pajtimin të mundur, i cili është i nevojshëm në të dy anët", tha Ivanovic për SETimes, duke shtuar se ai është i bindur se qeveria e re serbe, ende në pritje për t'u formuar, do të rifillojë dialogun me Prishtinën.
"Pajtimi duhet të zhvillohet midis dy kombeve, kështu që duhet të ketë një qasje e sinqertë nga të dyja anët, duke përfshirë të tretën, komunitetin ndërkombëtar," tha Ivanoviç.
Sipas tij pajtimi është i mundur, por ai tha se palët fajtore në të dy krahët duhet të përballen me drejtësinë.
"Ata që janë fajtorë nga Serbia janë deportuar për në Hagë ose po përballen me drejtësinë në gjykatat kombëtare në Serbi. Unë pres me padurim për të parë kur gjyqësori i Kosovës do të sjellë në gjyq rastet e krimeve të luftës të kryera kundër serbëve gjatë periudhës 1998 - 1999", tha Ivanoviç.
Anëtari serb i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, gjykatësi Ivan Çukaloviç, tha për SETimes se ideja është një hap i rëndësishëm për pajtimin, një parakusht për një të ardhme të përbashkët.
"Nëse ne jemi të sinqertë, diçka që unë besoj është duke u ndërtuar, hap pas hapi, serbët dhe shqiptarët mund të gjejnë një zgjidhje vetë duke befasuar komunitetin ndërkombëtar", tha Çukaloviç.
Përvoja të ndryshme dhe vuajtjet nga lufta reflektojnë pozitën e etnive të ndryshme mbi këtë nismë. Haki Kasumi, kryetar i shoqatës për shqiptarët e zhdukur, mendon se para këtij veprimi të qeverisë duhet të ishin kryer veprime të tjera.
"Është ende herët, sepse së pari duhet të pranohet fajësia, të kërkohet falje, dhe pastaj ne mund të vazhdojmë me këtë nismë", tha Kasumi për SETimes.
Ai pranoi se ideja është pozitive, e rëndësishme për familjet e të gjitha viktimave. "Ne sinqerisht duam të gjejmë ku ndodhen njerëzit tanë të zhdukur, të gjejmë autorët e krimit, në mënyrë që ata të marrin dënimin që meritojnë, por puna duhet të bëhet ndryshe".
Nisma e qeverisë është një mesazh pozitiv për familjet e të gjitha viktimave të luftës, tha për SETimes Nebojsha Periç, babai i të cilit u rrëmbye në tetor 1999 dhe u gjet i vdekur 13 ditë më vonë.
"Së fundmi, 12 vjet pas luftës, kemi hapa dhe masa konkrete nga institucionet zyrtare, dhe kjo është me rëndësi të madhe që institucionet shtetërore në Kosovë të fitojnë besimin nga familjet e viktimave", tha Periç.
Ketherin Kisse van den Muijsenbergh, drejtor ekzekutiv i Institutit për Drejtësi Historike dhe Pajtim në Hagë, justifikoi nismën e Prishtinës.
"Në Kosovë, ekziston një ndjenjë e lartë e pronësisë lidhur me këtë çështje që ka të bëjë me të kaluarën: duke qenë se askush tjetër nuk do të bëjë atë, Kosova duhet të bëjë atë vetë", tha ajo SETimes.
Nismat për formimin e komisioneve për të vërtetën dhe pajtimin në republikat e ish-Jugosllavisë deri më tani kanë dështuar.
Në mars 2001, ditë para arrestimit të Sllobodan Millosheviçit, politikani Vojisllav Koshtunica krijoi komisionin për të vërtetën dhe pajtimin me qëllim gjetjen e të vërtetës për krimet e kryera në ish-Jugosllavi në vitet 1990. Komisioni u mbyll nga Komisioni Kushtetues në mars 2003.Ka patur një numër përpjekjesh të pasuksesshme në Bosnjë e Hercegovinë për të filluar këtë iniciativë. Në fillim të viteve 2000 shoqëria civile ishte e vendosur për të krijuar një komision për të vërtetën dhe pajtimin, por e humbi mbështetjen e duhur nga qeveritë.
Si rezultat, rreth 1800 OJQ-të nga ish-Jugosllavia formuan një shoqatë të përbashkët, KOMRA, me qëllim përcaktimin e të vërtetës për çdo krim në ish-Jugosllavi në vitet 1990. Një nga fokuset e tyre ishte që të angazhonte qeveritë në këtë nismë.