Festivali vjetor Ditët e Sarajevës në Beograd tërheq 10,000 vetë

31/05/2012

Një festival që ka lidhur Sarajevën e Beogradin nëpërmjet veprimtarive kulturore po përpiqet gjithashtu të ndryshojë qëndrimet.

Nga Bedrana Kaletoviç për Southeast European Times në Sarajevë -- 31/05/12

Si gjithmonë, festivali Ditët e Sarajevës zgjati plot pesë ditë, duke paraqitur gati 500 artistë boshnjakë që u shpërndanë në vende të ndryshme në Beograd. Ata u ofruan auditorëve pjesë teatrore, foto-ekspozita, koncerte, lexime dramatike e filma. Këtë vit festivali tërhoqi gati 10,000 vetë mes 22 e 26 majit.

Sponsorët vazhdojnë festivalin Ditët e Sarajevës në Beograd për të përtërirë lidhjet që lidhnin fort Beogradin e Sarajevën përpara ditëve të errëta të rrethimit të Sarajevës, në fillim të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH). Për gjashtë vitet e kaluar, OJQ nga të dy qytetet janë përpjekur të forcojnë bashkimin kulturor.

Gjatë festivalit të parë më 2007, "ishte krejt e rëndësishme të niste historia e rrethimit të Sarajevës. Sot, bëjmë shumë më tepër me këtë festival e nuk përfundojmë [në] ditën e fundit; marrëdhëniet mes këtyre dy qyteteve vazhdojnë," tha për SETimes Maja Miçiç, drejtore e OJQ-së organizuese Nisma Rinore për të Drejtat Njerëzore të Serbisë.

Këtë vit, festivali iu përkushtua restaurimit të Vijeçnica apo Bashkisë së Sarajevës, simboli i kryeqytetit e një nga ndërtesat më të rëndësishme historike e monumenteve të kulturës të tij.

Ajo shërbeu si Biblioteka Kombëtare deri në gusht 1992, kur bombardimet e forcave serbe e shkatërruan atë, duke djegur më shumë se 2 milionë libra. Struktura po rindërtohet ngadalë, falë kontributeve.

"E gjitha ç'farë dija për Bashkinë është se ajo është në Sarajevë e se kishte marë fund tani; por se ç'farë do të thotë ajo për qytetarët e Sarajevës e kush çoi në shkatërrimin e saj nuk u fol kurrë në mediat serbe. Ky festival më ka ofruar një dimension tjetër të së vërtetës," tha Danijela Popoviç, një studente nga Beogradi, për SETimes.

Festivali ka për qëllim të shfaqë kulturën e Sarajevës, të lidhë njerëzit nëpërmjet saj e të nënvizojë rëndësinë e stabilitetit për mirëqënien e vendeve në rajon. Festivali nuk është më i kufizuar në një marrëdhënie mes Sarajevës e Beogradit, por ushqen një lidhje me qytetet e vendet e tjera rajonale.

Ne jemi një grup muzikor që dolëm nëpërmjet këtij festivali dhe funksionojmë mrekulli, [edhe megjithse] ne lidhim Beogradin, Sarajevën, Zagrebin. Nëpërmjet këtij festivali unë gjeta një grup të ri, miq të rinj, një kuptim të ri rreth luftës dhe pasojave të saj tragjike", tha Nenad Kovaçeviç, një baterist nga Kroacia, që së bashku me basistin nga Beogradi, Ivan Mihajloviç dhe Damir Imamoviç nga Sarajeva, formojnë grupin Sevdah Takht.

Forcimi i bashkëpunimit rajonal në fushën e arteve nuk është detyrë e lehtë, duke ditur klimën politike të rajonit. Megjithatë, disa artistë nuk dëshirojnë të kenë të bëjnë me politikën dhe e shohin punën në vende të tjera si punë në shtëpinë e dytë të tyre. Njëra prej tyre është aktorja Mirjana Karanoviç nga Serbia që interpreton në filma si në BiH, ashtu edhe në Kroaci.

''Sarajeva ka qenë jeta ime për 11 vitet e kaluara; shpesh interpretoj në pjesë atje. Më vjen shumë keq që politika shkatërron përparimet që arrijmë nëpërmjet artit e kulturës," tha ajo për SETimes.

Karanoviçi fitoi çmimin Ditët e Sarajevës në mirënjohje të përfshirjes së saj në kulturë e faktit se ende ngre ndërgjegjësim për pasojat e luftës, 20 vjet më pas.

Me forca të bashkuara, të rinjtë e Sarajevës e Beogradit vazhdojnë të punojnë për këtë festival, por gjithashtu që të ndikojnë ndërgjegjësimin publik rreth luftës që la vraga të thella në rajonin e tyre.

"Pata disa vjet luftë në qytetin tim. Nuk dëshiroj të urrej askënd, por do të dëshiroja të isha e bindur se brezi im në Serbi i sheh ngjarjet e dy dekadave më parë. Kjo është se pse vizitoj festivalin e jam krenare për të gjithë këtë që është arritur," tha për SETimes Anes Muhiç, nga Sarajeva.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.