Kosova përpiqet të mbajë larg elementët radikalë

28/05/2012

Arrestimi i elementëve radikalë në Maqedoni të lidhur me vrasjen e pesë personave pranë Shkupit në prill shkaktoi reagime në Kosovë lidhur me praninë e mundshme të islamit radikal.

Nga Muhamet Brajshori për Southeast European Times në Prishtinë -- 28/05/12

Për shekuj, islami në Kosovë ka qenë konsideruar i moderuar, duke mos pasur ndikim mbi jetën publike, por i praktikuar privatisht. Sot, megjithatë, frika nga përhapja e predikuesve e literaturës të muslimanëve fondamentalistë është një pjesë e realitetit të Kosovës, ndërsa shtetasit e huaj mund të hyjnë ende në vend pa një kërkesë për vizë që nga prania e NATO-s nga 1999-ta.

Opinion-bërësit e Kosovës thonë se islami tradicional i vendit nuk do të bjerë nën ndikimin e pikëpamjeve radikale, ndërsa qëndrimi pro-perëndimor ndryshon.

Në një vend me mbi 90% të popullsisë muslimane, feja nuk luan një rol të madh, deklaron raporti i Departmentit të Shtetit të SHBA-së për Lirinë Fetare më 2011.

"Feja nuk është një faktor i rëndësishëm në jetën publike. Retorika fetare kryesisht ka munguar nga ligjërimi publik në komunitetet muslimane e pjesëmarrja në xhami është e ulët; megjithatë, shfaqjet publike të veshjeve e kulturës konservatore islamike, ndonse ende jo të shpeshta, janë rritur," tha raporti.

Habibe Berisha, një teolog islamike, pretendoi se islami në Kosovë nuk është i kërcënuar nga islami radikal, vahabizmi ose salafizmi [rrymë militante e islamit suni].

"Islami midis shqiptarëve, turqve, boshnjakëve e të tjerëve në Kosovë është thjeshtë privat, jo i përzjerë me jetën tonë publike, sepse ka shqiptarë të orientimit të ndryshëm fetar, [muslimanë, katolikë të krishterë, të krishterë ortodoksë e të tjerë] dhe me qëllim që të ruhet uniteti kombëtar, populli e trajton fenë si një çështje private. Por kjo nuk do të thotë se institucionet nuk duhet t'u përgjigjen kërkesave të komuniteteve fetare," tha Berisha.

Ai shtoi, megjithatë, se qeveria e Kosovës duhet të zgjidhë pozitën ligjore të komuniteve fetare të saj.

"Komunitetet fetare të Kosovës nuk janë të rregjistruara ligjërisht; kanë probleme me pagimin e taksave, rregjistrimin e pronës e detyrime të tjera dhe qeveria duhet t'a zgjidhë këtë. Ajo gjithashtu duhet t'u përgjigjet kërkesave të komuniteteve fetare. Raporti i Departamentit të Shtetit tregon disa çështje që duhet të zgjidhen," tha Berisha.

Arber Fetiu, një studjues në Qendrën Ndërkombëtare për Fenë e Diplomacinë në Uashington DC, tha se qeveritë e Kosovës, Shqipërisë e vendeve fqinjë duhet të miratojnë politika liberale ndaj komunitetit musliman e komuniteteve të tjera gjithashtu.

"Nëse vendet ku muslimanët shqiptarë jetojnë ndjekin politika diskriminuese ndaj tyre, duke prishur parimin e neutralitetit të [shtetit] ndaj feve, kjo detyrimisht do të prodhojë një pakënaqësi për të shtypurit e një dukuri e tillë do të ishte e qartë në cilindo komunitet etnik apo fetar ku janë subjekte të strukturave mbizotëruese," tha Fetiu për SETimes.

Ai shtoi se se ata që janë pjesë e një ligjërimi radikal në Kosovë nuk gëzojnë mbështetjen e komunitetit të gjerë.

Seb Bytyçi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Politikës Ballkanike me qendër në Prishtinë, tha për SETimes se islami radikal si një ideologji mund të gjejë vend kudo në botë, por argumenton se shqetësimi lidhur me mirëqënien e njerëzve parandalon ideologjitë ekstremiste.

"Rruga e vetme më e mirë që të parandalohet rritja e ideologjive ekstremiste është të përmirësohet standarti i jetesës e të rrënjoset një rrjet i sigurisë shoqërore që nuk lejon vend për njerëz me motive të ulta që të vendosin rrënjë ... Politikanët e intelektualët duhet të bëjnë më shumë për të nxitur meritat e një shoqërie liberale, duke përfshirë shprehjen e një ideologjie konservatore të rrymës së përgjithëshme," tha Bytyçi.

Ai vuri në dukje se komuniteti salafi i Kosovës është i vogël, që ndjek kryesisht islamin suni.

"Për shkak se komuniteti i vogël salafi është më i zëshëm nuk do të thotë se është rritur -- ai mbetet i vogël. Ndërsa shoqëria kundërshtoi format e reja të islamit e ruajti botëkuptimin laik të saj, tani disa politikanë janë më të gatshëm që të përdorin referimet ndaj fesë për t'u përpjekur që të sajojnë ligjshmërinë e tyre e të mbulojnë mangësitë e tyre," shpjegoi Bytyçi.

Sipas Kastriot Krasniqit, një studjues në Qendrën për Studimin e Zgjidhjen e Konfliktit me qendër në Prishtinë, Kosova nuk është një shënjestër për terrorizmin islamik.

"Mund të ketë individë që priren ndaj organizatave të përfshira në terrorizëm, por janë minimalë e nuk përbëjnë një kërcënim për Kosovën ose rajonin. Ballkani Perëndimor nuk është një shënjestër, sepse vendet nuk kanë ekonomi të qëndrueshme e pesha ndërkombëtare politike është e kufizuar. Konsideroj ekstremizmin e djathtë e nacionalizmin kërcënimet më të rrezikshme sesa islamin radikal," tha Krasniqi.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.