Prishtina e pakënaqur me vonesat në liberalizimin e vizave e integrimin në BE

28/05/2012

Zyrtarët e Kosovës po i kërkojnë BE-së të jetë më e përfshirë me procesin evropian të vendit.

Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë -- 28/05/12

Qeveria e Kosovës po shpreh zhgënjim me ritmin e ngadaltë të liberalizimit të vizave e proceset e integrimit në BE. Kryeministri Hashim Thaçi tha se vonesat nuk janë të justifikueshme. "Edhe mosnjohja nga pesë vende të BE-së nuk është një justifikim për [Brukselin] për të mos bërë një angazhim të përgjegjshëm, në përputhje me interesat evropiane ... ndaj Republikës së Kosovës."

"Që nga pavarësia, Kosova ka punuar në mënyrë të njëanëshme për t'iu afruar BE-së, [por] BE ka vepruar me hapa të ngadalta," u ankua Thaçi e vuri në dukje se "Kosova nuk kërkon për trajtim të privilegjuar ose një proces të përshpejtuar. Vetëm kërkojmë një trajtim të barabartë me të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor."

Samuel Zbogar, kreu i zyrës së BE-së në Kosovë, tha për SETimes se BE investoi shumë në ndihmën që Kosova të hyjë në Bashkim nëpërmjet fondeve e këshillimit politik. Ai shtoi se, gjatë viteve, BE ka qenë dhuruesi më i madh për frymë, duke ndihmuar Kosovën të ndërtojë shkolla, rrugë e infrastrukturë tjetër, duke dhënë këshillime mbi reformat e nevojshme e duke ndihmuar në hartimin e legjislacionit.

"Rendi evropian i ditës për Kosovën është rritur mjaft brenda vitit të fundit; tani kemi liberalizimin e vizave, një studim realizueshmërie, pjesëmarrjen në programet e BE-së, një marrëveshje tregtare e anëtarësimin në EBRD në rendin e ditës. Në krye të kësaj, kemi dialogun e ndërmjetësuar nga BE që deri tani ka prodhuar shtatë marrëveshje thelbësore," tha për SETimes Maja Koçijançiç, zëdhënëse e BE-së.

Më tej ajo dha hollësi se "Kemi një zyrë të përforcuar të BE-së në Prishtinë, si dhe misionin e EULEX-it. Me fjalë të tjera, marrëdhëniet BE-Kosovë nuk kanë qenë kurrë më të forta e dinamike. Megjithatë, integrimi evropian është një proces me dy kalime. Eshtë një proces në të cilin duhen përmbushur standarte objektivë e gjithkush shkon përpara mbështetur në meritat e tij. Inkurajojmë autoritetet që të vazhdojnë me përpjekjet,"

Ministrja e Kosovës për integrimin Vlora Çitaku bëri një kërkesë të saj. "I kërkojmë BE-së të jetë më e pranishme e më konkrete ndaj Kosovës dhe të përfshijë opinionin e shumicës së vendeve anëtare të BE-së në procesin e integrimit të Kosovës," tha ajo për SETimes.

"Nuk mund të them se Kosova është gati që të hyjë në BE, por jemi gati të marrim udhëzime për liberalizimin e vizave e të nisim bisedimet për të nënshkruar marrëveshjen e stabilizimit e shoqërimit," tha Çitaku.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.