Serbia e BIH bien dakort mbi traktatin e ekstradimit të kriminelëve

28/05/2012

Marrëveshja për ekstradimin e njerëzve të akuzuar për korrupsion e krim të organizuar është një zgjerim i marrëveshjeve të prokurorive të nënshkruara vitin e kaluar.

Nga Anes Aliç për Southeast European Times në Sarajevë -- 28/05/12

Pas bisedimeve të gjata, delegacionet e ministrive të drejtësive nga Serbia e Bosnjë dhe Hercegovina (BiH) kanë përfunduar një marrëveshje ndër-shtetërore mbi ekstradimin e ndërsjelltë të njerëzve të dyshuar për krim të organizuar, korrupsion e pastrim parash.

Marrëveshja, që pritet të nënshkrohet në qershor, do të hapë rugën për Serbinë e BiH që të ekstradojnë shtetasit e tyre në rastet e veprimtarisë së organizuar kriminale, korrupsionit e pastrimit të parave e krimeve të tjera që përgjithësisht mbajnë një dënim me burgim nga pesë vjet e më shumë.

Më e rëndësishme, marrëveshja do të pengojë ata që mbajnë shtetësi të dyfishtë nga kalimi i kufirit për t'iu shmangur ndjekjes penale në vendin e tyre.

Dokumenti përbën një zgjerim të marrëveshjeve ekzistuese të prokurorive të nënshkruara vitin e kaluar.

Ndërsa pothuajse të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë kanë nënshkruar traktate ligjore, dallimet kushtetuese mes vendeve i kanë mbajtur ato traktate nga të qënit të zbatuar. Me qëllim që të bëjë të mundur ekstradimin, Kroacisë do t'i duhet të ndryshojë kushtetutën e saj, ndërsa Serbia e BiH do t'u duhet të ndryshojnë kodet penale të tyre.

Jusuf Halilagiç, sekretar i ministrisë së drejtësisë të BiH-së e kreu i delegacionit boshnjak, tha për SETimes se marrëveshja do të krijojë kushte për bashkëpunim shumë më të efektshëm bashkëpunimi mes të dy shteteve lidhur me ekstradimin e personave që janë akuzuar për një krim apo janë shpallur fajtorë.

"Kriminelët nga republikat ish-Jugosllave kanë mbetur të lidhur sikur vendi të mos ishte shpërbërë kurrë. Bosnjë dhe Hercegovina është më kritike, sepse marrëveshja jonë për dhënien e shtetësisë është më liberalja. Së paku dy të tretat e shteasve boshnjakë mbajnë shtetësi të dyfishtë -- dhe kështu dy pasaporta -- që ofron një mundësi të mirë për abuzim," tha Halilagiçi.

Qindra vetë të dyshuar ose të paditur për krime të ndryshme të kryer në republikat ish-jugosllave kanë kërkuar strehë në vendet fqinjë, ku mbajnë shtetësi të dyfishtë, që i bën ata jashtë arritjes së sistemit gjyqësor. Kjo është një e metë ligjore që ka lejuar që shumë t'i shmangen vuajtjes së dënimeve me burgim.

Milivoje Mihajloviç, shefi i zyrës për mediat i qeverisë serbe, tha për SETimes se Beogradi ka nisur një luftë të gjerë rajonale kundër krimit të orgnanizuar e marrëveshja me BiH është pjesë e atij procesi.

"Duhet të jemi absolutisht të vendosur e të hapur në luftën kundër të gjitha llojeve të krimit, pasi kriminelët nuk i shohin kufijtë si pengesa. Vetëm veprimi rajonal mes vendeve fqinjë mund të pengojë krimin e organizuar," tha Mihajloviçi.

Nga 350 vetë të dënuar nga gjyqet boshnjake, të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë së BiH-së tregojnë se 106 kanë gjetur strehë në Kroaci, 100 në Serbi e 24 në Malin e Zi. Vendndodhjet e të paditurve të mbetur janë të panjohura, ndërsa numri i atyre të paditur, por në arrati arrin deri në 600.

Në një numër nivelesh, kjo marrëveshje është një zhvillim shumë pozitiv, jo vetëm se është vendimtare për anëtarësimin në BE. Ajo do të bëjë shumë gjithashtu për të forcuar bashkëpunimin rajonal e mes vendeve në luftën ndaj krimit të organizuar e do të sigurojë se asnjë vend i vetëm nuk do të jetë një strehë e sigurtë për kriminelët, duke përfshirë politikanët e korruptuar.

Për vite, BE ka identifikuar kalimin e kriminelëve përtej kufijve si një pengesë të madhe në luftën kundër krimit të organizuar në rajon, si dhe për ndjekjen penale të krimeve të luftës nga gjykatat kombëtare.

Megjithatë, të dyshuarit e krimeve të luftës nuk do të përfshihen në marrëveshje. BiH e ka penguar marrëveshjen në këtë nivel për shkak të arrestimit së fundmi të një numri zyrtarësh boshnjakë sipas mandateve serbe për ekstradim.

Vitin e shkuar, pas muajsh përgatitjesh të mbikqyrura nga komuniteti ndërkombëtar, ekspertët ligjorë nga Serbia e BiH pritej të nënshkruanin një protokoll të posaçëm për të rregulluar bashkëpunimin lidhur me ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Në mënyrë ideale, marrëveshja do të trajtonte çështjen e hetimeve paralele e do të lehtësonte transferimin e ndërsjelltë të provave në rastet e krimeve të luftës. Ajo do të kishte rregulluar gjithashtu gjyqet e të dyshimtëve në vendet e tyre për krime të kryera përtej vijave shtetërore.

Megjithatë, pala boshnjake u tërhoq nga marrëveshja duke thënë se presidenca tre palëshe e saj nuk kishte dhënë ende pëlqimin. Jo zyrtarisht, BiH u tërhoq lidhur me disa raste të posaçme në të cilat shtetasit boshnjakë ishin arrestuar ndërsa udhëtonin jashtë vendet me urdhër arrestimi serbe e në mungesë të çfardo bashkëpunimi me autoritetet boshnjake.

Zarije Seizoviç, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, tha për SETimes se çështja e krimeve të luftës është një e tillë e dhimbshme që ka rënduar vendet e Ballkanit Perëndimor për 20 vjet. Teksa nuk ka asnjë interpretim objektiv e të besueshëm të natyrës së konfliktit, çështja e krimeve të luftës po abuzohet rëndë për qëllime politike.

"Edhe nëse palët përfshinë ekstradimin e të dyshuarve për krime lufte në marrëveshje, ajo nuk do të kishte asnjë ndikim në krimet e luftës të kryera përpara sesa marrëveshja të hynte në fuqi. Megjithatë, një marrëveshje që do të kishte zbatim prapaveprues do të parandalojë hetimet paralele të bëra për të njëjtat raste, që janë vërtetuar të jenë pika ngecëse në bashkëpunimin Bosnjë-Serbi për krimet e luftës," tha Seizoviçi.

Megjithatë, një klauzolë e ekstradimit të krimeve të luftës nuk është vetëm një çështje grindje boshnjake-serbe.

Ndërsa vende të tjera në rajon kanë nënshkruar marrëveshje të tilla, në praktikë zbatimi aktiv i tyre varet krejtësisht nga vullneti politik. Ky, nga ana e tij, udhëhiqet shpesh nga opinioni publik, që shpesh herë i përmbahet asaj se një i dyshuar për krime të luftës është një hero kombëtar, gjë që e bën ekstradimin një veprim shumë të ndërlikuar politikisht.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.