Nikoliçi i Serbisë: një njeri i ndryshuar?

28/05/2012

Presidenti i sapo-zgjedhur i Serbisë Tomisllav Nikoliç është një nga politikanët më të diskutueshëm në Serbi, pasi ka shkuar nga një ultranacionalist në një mbështetës të zjarrtë të integrimit evropian.

Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd – 28/05/12

Presidenti i sapo-zgjedhur i Serbisë Tomisllav Nikoliç është një politikan që shumë e qortojnë për mosqëndrueshmëri. Në më pak se dy dekada, ai ka shkuar nga të qënit e njeriut më të afërt të të paditurit të gjykatës së Hagës Vojisllav Sheshelj, në një kampion të së ardhmes evropiane të Serbisë.

Pavarësisht nga e kaluara, në të cilën luftoi si një vullnetar ushtarak në Kroaci, Nikoliçi mori fitoren më 20 maj mbi udhëheqësin e Partisë Demokratike e Presidentin serb Boris Tadiç me premtimet për përshpejtimin e integrimit evropian e duke premtuar që të vazhdojë një luftë të qëndrueshme kundër varfërisë, krimit e korrupsionit.

Në fjalimin e tij të parë pas fitores, ai premtoi se Serbia nuk do të ndërrojë rrugën evropiane të saj e se anëtarësimi në BE do të ishte përparësia e tij.

Disa në Serbi, megjithatë, janë skeptikë se transformimi i Nikoliç është plotësisht i vërtetë.

"Nuk besoj se Nikoliçi ka ndryshuar kaq shumë, por si një politikan i mirë e kuptoi se çfarë mund t'i sillte fitoren në zgjedhje. Tani duhet të vërtetojë gjithashtu me veprimet e tij se është me të vërtetë i përkushtuar ndaj idesë së integrimit evropian," tha për SETimes ish-Ambasadori serb në Gjermani Ognjen Pribiçeviç.

Duke komentuar mbi njoftimin se veprimi i tij i parë si president do të ishte të kërkonte një pritje në Gjermani, Pribiçeviçi tha se ishte e dyshueshme se Nikoliçi do të gjykohet nga e kaluara nacionaliste e tij.

"Pritet të ketë disa paragjykime ndaj Nikoliçit, por atij do t'i jepet një shans për të vërtetuar përkushtimin e tij ndaj parimeve që theksoi në fushatën zgjedhore," tha Pribiçeviçi.

Nikoliçi fillimisht u përfshi në politikë më 1990, kur u fut sistemi shumë partiak në Serbi. Ai u ndihmua nga Lëvizja Çetnike Serbe, një grup ultranacionalist që më pas prodhoi Partinë Radikale Serbe.

Atje ai takoi Vojisklav Shesheljin, që tani është në gjyq për krime të luftës në Hagë e shpejt u bë krahu i djathtë i tij në parti. Nikoliç ishte zëvendëskryeministër i Serbisë e pastaj zëvendës/kryeministër i Jugosllavisë gjatë rregjimit të Millosheviçit.

Pas rënies së rregjimit të Millosheviçit më 2000, radikalët vepruan si opozitë. Nikoliçi mori udhëheqjen e partisë në shkurt 2003, kur Sheshelji dorëzoi veten në gjykatën e Hagës.

Të dy ata shkuan në rrugë të ndryshme në shtator 2008, kur Nikoliç bëri një kthesë radikale, filloi të argumentojë për integrimin evropian e mori me vete një pjesë të madhe të partisë nga Sheshelji.

Të dielën, partia e Shesheljit pësoi një shkatërrim, pasi dështoi të hyjë në parlament për herë të parë që nga themelimi i saj.

Hera e tretë ishte një mrekulli për Nikoliçin në zgjedhjet presidenciale, pasi Boris Tadiçi e kishte mundur atë në dy zgjedhje të mëparshme, më 2004 e 2008.

Profesori i sociologjisë në Universitetin e Beogradit Dejan Vuk Stankoviç beson se Nikoliçi fitoi këtë rradhë kryesisht për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike e shoqërore në Serbi.

"Do të kishte qenë e çuditëshme nëse shtetasit serbë nuk do t'a kishin ndëshkuar Partinë Demokratike në pushtet në zgjedhje më ashpër, për shkak të kushteve shumë të vështira të jetesës. Kur u bë e qartë se demokratët do të formonin qeverinë përsëri, Boris Tadiç i tyre mbeti fajtori," tha Stankoviçi për SETimes.

Ai shtoi se Nikoliçi ka një detyrë shumë të vështirë përpara tij.

"Nëse fitorja e Nikoliçit nuk arrin të jetë arsyeja për partnerët e demokratëve për të ndryshuar mendje e për të formuar një qeveri të re me Partinë Përparimtare, ai duhet të arrijë bashkëjetesë me një qeveri që nuk e mbështet atë," tha Stankoviçi.

Zgjedhja e Nikoliçit është duke u vëzhguar nga afër në rajon gjithashtu.

Katër vite më parë, ai tha se nuk mund të bashkëpunonte me udhëheqësit kroatë.

"Do t'u thosha hapur atyre, 'Nuk mund të bashkëpunoj me ju, sepse qindra mijëra shtetas serbë kanë pritur për 12 vjet që të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre si qënie me dinjitet njerëzor'," tha Nikoliçi në atë kohë. Tani, megjithatë, ai pretendon se është gati të vizitojë Kroacinë e të bisedojë me udhëheqësit e saj.

Presidenti i ri serb ka thënë gjithashtu në të kaluarën se ishte gati të bënte luftë për Kosovën.

"Do të reagojmë në çdo mënyrë. Do të bëjmë luftë me shqiptarët. Ata janë gati, thonë ata. E pra, ne duhet të jemi gati gjithashtu," tha Nikoliçi përpara shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008.

Gjatë fushatës së tij të fundit, megjithatë, Nikoliçi vetëm shkurt e përmendi Kosovën, duke thënë se Serbia duhet të mbrojë shtetasit e saj atje.

Predrag Simiç, profesor i shkencave politike të Universitetit të Beogradit, tha se nuk pret që Nikoliçi të ndryshojë në mënyrë rrënjësore politikën rajonale që bëri paraardhësi i tij.

"Nikoliçi nuk ka shumë vend për manovrim. Ai premtoi integrim evropian, që varet nga marrëdhëniet e mira rajonale. Tadiçi pati një sukses të rëndësishëm në ato marrëdhënie e Nikoliçi me siguri nuk do të bëjë me ndërgjegje hapa pas, sepse Brukseli do të reagojë negativisht ndaj asaj," tha Simiçi për SETimes.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.