SHBA kërkon ndihmë në gjetjen e ushtarëve të humbur nga Lufta e Dytë Botërore

05/05/2012

Qeveria amerikane po kërkon dhjetëra ushtarë të zhdukur nga Lufta e Dytë Botërore -- disa prej të cilëve ata mendojnë se mund të kenë përfunduar nëpër Evropën Juglindore.

Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë -- 05/05/12

Unioni i Raportimit të Personelit të SHBA-së u ka kërkuar qytetarëve që të ndihmojnë të japin informacion mbi atë që ka ndodhur me dhjetëra ushtarë të zhdukur, të humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dy agjencitë e tyre udhëheqëse të ngarkuara nga ana e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes për rikuperimin dhe raportimin e personelit janë Mbrojtja e të Burgosurve të Luftës / Zyra e Personelit të Zhdukur dhe Komanda e Përbashkët e Raportimit të të Burgosurve të Luftës të Humbur në Betejë (MIA). Së bashku me organizata të tjera amerikane të mbrojtjes, të dyja formojnë "unionin e personelit të raportimit."

Nënkoloneli i ushtrisë së SHBA, James E McDonough, i cili punon në Mbrojtjen e të Burgosurve të Luftës / Zyra e Personelit të Zhdukur, tha për SETimes se projekti për të gjetur ushtarët e humbur nga Lufta e Dytë Botërore është duke u zhvilluar në territoret e ish-Jugosllavisë dhe të Shqipërisë.

"Ne kemi rreth 198 persona të humbur në betejë të cilët humbën gjatë misioneve në këtë rajon, edhe pse rreth gjysma e tyre besohet të jenë humbur në detin Adriatik", tha McDonough për SETimes, duke shtuar se zyra e tij po punon gjithashtu në disa projekte të tjera në rajone të ndryshme të Evropës.

McDonough tha se mënyra më e mirë për të kultivuar informacione 70-vjeçare në lidhje me një rast është nga qytetarët vendas.

"Mund të ndodhë që një fermer të dijë mbi një vend përplasjeje që ndodhet mbi tokën e tij, ose që një kishë vendase ose edhe xhami është e vetëdijshme për një varr në të cilin një aviator i panjohur u varros. Ndonjëherë njerëzit nuk e dinë se kanë informacion me vlerë për ne, deri sa i pyesim," tha ai.

Qeveria amerikane po ndjek "humbjet tokësore." "Për këtë mision ne jemi përqendruar në 12 raste, [që përfshijnë dhjetëra ushtarë] që mund të na çojë ne në Kosovë, Slloveni, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Shqipëri", sipas McDonough.

"Ne duam t'i sjellim të gjithë ushtarakët tanë në shtëpi me nder, qofshin të gjallë apo jo. Ne duam të dimë se çfarë ndodhi me ta, ku janë vendosur, dhe se si ne mund t'i sjellim ata përsëri në SHBA," tha personeli i unionit të raportimit, duke shtuar se çdo informacion që ka të bëjë me personelin e shërbimit të zhdukur është i vlefshëm.

Ka "të paktën 16 ushtarakë amerikanë ende të humbur në hapësirën tokësore të Republikës së Kosovës", tha unioni. Këta amerikanë shërbyen gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe ishin ose anëtarët e ekuipazhit të avionëve amerikanë të rrëzuar të Forcave Ajrore Amerikane, ose të burgosur lufte që u mbajtën nga forcat gjermane.

McDonough tha për SETimes se deri tani, të gjithë zyrat e bashkëpunimit me Kosovën ka qenë përmes Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

"Sidoqoftë [më 30 prill], ne filluam të marrim reagime nga qytetarët vendas, të cilët besojnë se ata mund të kenë informacione në lidhje me disa nga këto raste," tha ai. "Ne do t'u përgjigjemi të gjithëve, ndonjëherë për të bërë pyetje më shumë, dhe herë të tjera vetëm për mirënjohje që pranojmë informacionin e dhënë."

Një prej raporteve -- i koduar 11286 -- ka të bëjë me një ekuipazh ajror të humbur në një B-24H, i cili u u pa për herë të fundit mbi Mitrovicë, Kosovë, rrugës për Foxhia, Itali. Në këtë rast, avioni mund të jetë rrëzuar diku midis Kosovës dhe bregdetit italian.

Një rast tjetër -- i koduar 9599 -- detajon një ekuipazh ajror prej tetë personash të zhdukur. Shtatë nga burrat dihet ose besohet të ishin në bordin e B-24h, që ra duke u rrotulluar afër Mitrovicës. "Një nga burrat doli i plagosur jashtë, dhe është raportuar nga partizanët se është kapur nga gjermanët dhe është dërguar në një spital afër Mitrovicës", tha McDonough.

Rasti 10720 përfshin një personel të humbur të ekuipazhit ajror. "Kolegët e tij mbijetuan, dhe gjermanët u thanë se ai ishte qëlluar gjatë përpjekjes për arratisje, edhe pse asnjë nga anëtarët e ekuipazhit nuk beson se kjo të jetë e vërtetë. Sipas të dhënave gjermane, ai u varros pranë Brnjicës, pranë kufirit me Shqipërinë," tha McDonough.

Autoritetet e Kosovës nuk kanë qenë të përfshira në rastet e personelit të zhdukur ushtarak amerikan.

Prenk Gjetaj, kryetari i komisionit qeveritar të Kosovës për personat e zhdukur, tha për SETimes se edhe pse mandati i misionit të tij është që të japin informacion mbi fatin e personave të pagjetur nga lufta e fundit", janë të gatshëm të ndihmojnë në gjetjen e fatit të personave të zhdukur më parë, në periudha të ndryshme historike, të tilla si gjatë Luftës së Dytë Botërore. "

"Unë mund të konfirmoj se komisioni nuk ka marrë ende ndonjë kërkesë zyrtare për të ndihmuar në ndonjë proces të mundshëm për identifikimin e personave të zhdukur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojnë dhe të ofrojmë ndihmën tonë, nëse na paraqitet një kërkesë e tillë", tha Gjetaj për SETimes.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.