09/02/2012
Nëse Serbia dëshiron zhvillimin ekonomik e integrimin në BE, duhet të rrisë privatizimin, thonë udhëheqësit e biznesit.
Nga Ivana Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd -- 09/02/12
Vetëm një ditë pasi takimi i Davosit përfundoi në Zvicër në fund të muajit të kaluar, anëtarët e biznesit e komunitetit politik u mblodhën në Beograd për të diskutuar mbi ndikimin e krizës ekonomike botërore në Serbi, mënyrat për të nxitur rritjen financiare e lidhjen e saj me integrimin në BE.
Zëvendës/Kryeministrja Verica Kalanoviç theksoi se gjendja ekonomike e tanishme e Serbisë është rezultat i defekteve të saj të kombinuara me recesionin botëror, që ndikon çdo shtetas. Në përgjigje, qeveria ka një paketë masash kundër krizës që përfshin mbështetjen intensive për investitorët e huaj, mes tyre disa emra të markave të mëdha.
"Serbia tërhoqi më shumë se 1.5 miliardë euro të FDI [në para në dorë], më shumë se të gjithë konkurrentët tanë të tanishëm. Disa nga projetet tona të suksesshme janë: United Colors of Benetton -- Italy, 43 milionë euro, 2,700 punonjës; Bosch -- Germany, 71 milionë euro, 620 punonjës dhe Yura -- Koreja e Jugut, 15 milionë euro, 1,500 punonjës," tha Ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit Rajonal Nebojsha Çiriç.
"Edhe gjatë një recesioni," tha Kalanoviçi për SETimes, "arritëm të sjellim në Serbi firma që garantojnë se do të kemi eksporte më të mira e vende të reja pune."
Pavarësisht nga kjo, papunësia mbetet mbi 23% e inflacioni, në fund të 2011-tës, kaloi synimin prej 6%, duke shkuar në 7% nga viti në vit, sipas të dhënave të paraqitura nga Guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë (NBS), Dezhan Shoshkiç.
Këtë vit, qëllimi është më ambicioz. "Synimi ynë i inflacionit për këtë vit është 4%, +/- 1.5%, që është diçka që ne, zyrtarisht, besojmë se është e arritëshme. Qartazi, ka rreziqe. Rreziqet janë, në thelb, kryesisht dhe mbase nga rrethet ndërkombëtare, nga tregjet financiale ndërkombëtare e nga ana fiskale -- nëse ajo rri në përputhje me mekanizmin e porosisë ligjore nga ligji i sistemit buxhetor."
Bogdan Lisovlik, nga zyra e përfaqësuesit të FMN-së në Serbi, i tha konferencës se inflacioni po bie, i ndihmuar nga çmimet ushqimore botërore. Ai thotë se synimi i NBS-së është i arritshëm.
"Problemi më i shpeshtë është joshja për 'rregullime' afat-shkurtra, zakonisht kjo është rreth justifikimit të nevojave për veprim qeveritar e shpesh është rreth kërkesës për mbështetje financiare ... Zgjidhja e vetme është të lësh qeverinë të bëjë çfarë të mundet e t'i japësh një shans sektorit privat. Një sektor privat i gjallëruar është një gur themeli i vërtetuar i suksesit ekonomik," tha Lisovliku.
Një nga tregtarët më të suksesshëm të Serbisë, manjati i sheqerit Miodrag Kostiç, që zotëron MK Group, është dakort.
"Dëgjova që në Davos, dikush tha se kapitalizmi nuk ka një alternativë, por ky nuk është rasti në Serbi. Këtu, kapitalizmi ka një alternativë, por nuk jam i sigurtë se kemi mirëkuptim lidhur me atë se cila është kjo alternativë. Këtu, gjithkush flet rreth privatizimit në një mënyrë negative, ndonse rritja e rendimentit është katër ose pesë herë në ndërmarrjet e privatizuara dhe kryesisht ato janë eksportuesit tanë kryesorë. Por në ndërmarrjet jo të privatizuar, vlera e tyre po bie me 20%."
Kostiçi shton se "Serbia nuk ka një problem me financat; Serbia ka një problem me mentalitetin."
Përveç kësaj, Serbia duhet të ndryshojë disa zakone ekonomike, të shkojë drejt hyrjes në BE. Adriano Martins, zëvendës/kryetar i delegacionit të BE-së në Serbi, u tha pjesëtarëve të konferencës se këto përfshijnë krijimin e një ekonomie tregu të lirë e aftësinë për të ushtruar presion konkurrues në tregun e brendshëm të BE-së.
Ai zgjodhi të jepte një notë të ndritshme. "Kohët e krizave janë gjithashtu kohë të mundësive. Ky është momenti që Serbia të trajtojë disa probleme strukturore e mangësive me të cilat është përpjekur për vite."