Komandanti i KFOR: "Nuk do të ketë boshkëll sigurie në Kosovë"

19/03/2010

Ndërsa institucionet e Kosovës po marrin më shumë përgjegjësi, KFOR mbetet i vendosur për të ofruar një mjedis të sigurtë. Nuk do të merren hapa të pamatura, i tha SETimes Gjenerali Markus Bentler.

Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë -- 19/03/10

Janë rreth 9,800 ushtarë të NATO-s në Kosovë nga 25 vende të Aleancës dhe shtatë vende jo të Aleancës, të njohur kolektivisht si KFOR. Trupat kanë fituar dhe mbajnë respektin e popullsisë vendase.

Komandanti i tyre i tanishëm, Gjeneral Lejtnanti gjerman Markus Bentler këmbëngul se KFOR do të vazhdojë "të ofrojë siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet vendase dhe organizatat ndërkombëtare".

Në një intervistë ekskluzive me SETimes, Bentler diskutoi se si do të punojë KFOR për të përmbushur atë qëllim.

SETimes: NATO ka zvogëluar forcat e saj në Kosovë deri në nën 10,000. A është kjo mjaft që të bëhet puna?

Gjeneral Lejtnant Markus J Bentler: Për momentin, KFOR e konsideron gjendjen e sigurisë në Kosovë si të qetë dhe të qëndrueshme. Përshtatja e tanishme e numrit të trupave është një shenjë besimi. Me qëllim që të ruhet niveli i lartë i fleksibilitetit dhe aftësia për të reaguar ndaj çdo kërcënimi ndaj mjedisit të qetë dhe të sigurtë, KFOR kryen rregullisht stërvitje në të gjitha pjesët e Kosovës. Në procesin e përshtatjes së trupave nuk do të merren hapa të pamatur e të papërgjegjshëm dhe nuk do të ketë boshllëk sigurie në Kosovë.

SETimes: Si janë marrëdhëniet tuaja me Forcën e Sigurisë të Kosovës? Si do t'a përkufizonit forcën?

Bentler: Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) është një organizatë për lehtësimin e fatkeqësive, jo-ushtarake, e armatosur lehtë, shumë-etnike dhe për të dy gjinitë. Ajo do të sigurjë aftësi unike për reagimin ndaj emergjencave, heqjen e pajisjeve shpërthyese dhe mbrojtjen civile.

FSK e ka provuar tashmë kompetencën në rritje të saj si një organizatë e mbrojtjes civile dhe e ndihmës humanitare, duke zhvilluar operacione në Shqipëri gjatë përmbytjeve të fundit. Ka një interesim thelbësor nga përfaqësuesit e bashkësive të ndryshme të pakicave që të bashkohen me këtë forcë shumë-etnike.

SETimes: Ju përkohësisht pezulluat bashkëpunimin me FSK? Pse?

Bentler: [Më 6 mars], KFOR përkohësisht pezulloi mbështetjen, veprimtaritë këshillimore dhe trainuese të FSK. Ky veprim [që vazhdoi një javë] u mor në reagim të daljes së një roje nderi të armatosur të stilit ushtarak të FSK gjatë Ceremonisë së Përkujtimit të Dëshmorëve më 6 mars. Kjo është më mospërputhje me statusin jo-ushtarak të FSK. Gjatë ceremonisë u valvit gjithashtu flamuri i NATO-s. Kjo është e papranueshme, pasi KFOR është neutral ndaj statusit.

SETimes: Si u ndreqën marrëdhëniet?

Bentler: Pas pezullimit të mbështetjes së KFOR për Forcën e Sigurisë së Kosovës, presidenti dhe kryeministri punuan me [komandën e KFOR] për të zgjidhur në mënyrë të kënaqshme çështjet në fjalë. Marrëveshja e re mbulon përdorimin e njësisë ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që do të paraqitet duke përdorur armë të çmilitarizuara kur të bihet dakord paraprakisht. U ripohua se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të ketë asnjë rol mbrojtës apo ushatarak, pasi ky rol është ndërmarrë nga KFOR. Ne rifilluam trainimin dhe këshillimin më 10 mars.

SETimes: KFOR po ruan ende disa vende serbe të Kosovës me rëndësi fetare dhe historike. Kur do të jetë në gjendje policia shumë-etnike e Kosovës që të përkujdeset për këtë punë?

Bentler: Institucionet vendase janë gati që të marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi. Një element kryesor i misionit të KFOR është që të forcojë institucionet vendase të sigurisë, që ato të marrin përsipër hap pas hapi detyrat e sigurisë, në përputhje me aftësitë e provuara të tyre. Ruajtja e vendeve të trashëgimisë fetare dhe kulturore brenda Kosovës si pasuri të çmuara është një përgjegjësi për të gjithë popullin e Kosovës, ndërkohë që ruajtja e tyre bie nën përgjegjësinë e KFOR për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurtë.

Policia e Kosovës (PK) është gati që të marrë përsipër përgjegjësi për detyrat policore të kryera më parë nga KFOR. Në përgjithësi, KFOR bashkërendon aspekte të rëndësishëm të misionit të saj me institucionet në Kosovë dhe lidhet me PK nëpërmjet EULEX, i cili është përgjegjës për mbikqyrjen, mësimin dhe këshillimin e PK.

E kemi parë se policia e Kosovës është e aftë dhe e gatshme që të kryejë shumë detyra. Për të dhënë një shembull, mund të përmendet puna e mirë që PK bëri duke ofruar siguri gjatë zgjedhjeve bashkiake të fundit. KFOR mban kontakte me të gjitha agjensitë e duhura për çështjet e sigurisë mbi një bazë të rregullt, duke përfshirë PK, EULEX dhe ministritë përkatëse.

SETimes: A është Serbia një kërcënim ushtarak për Kosovën?

Bentler: KFOR nuk sheh ndonjë kërcënim nga jashtë Kosovës. Fusha e përgjegjësisë së KFOR është e kufizuar nga Vija e Kufirit Administrativ të Kosovës [ABL] dhe jemi të vendosur që të sigurojmë një mjedis të qetë dhe të sigurtë, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë Kosovën. Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB, KFOR ofron të njëjtën shkallë sigurie në të gjithë Kosovën. Jemi të paanshëm dhe nuk marrim kurrë pjesë apo komentojmë mbi çështjet politike për sa kohë që ato nuk [kërcënojnë] një mjedis të qetë dhe të sigurtë.

SETimes: A janë strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi në veri një kërcënim për sigurinë e përgjithshme?

Bentler: Ekzistenca e strukturave paralele është një çështje politike. Në përputhje me mandatin e tij, KFOR po ofron kushte të qëndrueshëm të sigurisë, në të cilët problemet poilitikë mund dhe duhet të zgjidhen nga lojtarët e duhur. Çdo dublikim [apo] çiftëzim i strukturave administrative nuk ka vlerë. Ajo përkundrazi çon në rezultate të padëshërueshëm apo madje prish efektet e të dy strukturave. Nëse, për shembull, nuk ekziston një sistem gjyqësor i vetëm, nuk mund të jepet siguri ligjore apo qartësi e çështjeve gjyqësore.

Shpërdorimi politik i të ashtuquajturave "struktura paralele" si dhe agjitacioni politik lidhur me to mund të jenë një kërcënim për një mjedis të qetë e të sigurtë dhe prandaj nuk tolerohet nga KFOR. Kështu që KFOR mbikqyr gjithashtu nga afër gjendjen në zonat ku veprojnë të ashtuquajturat struktura paralele, me qëllim që të reagojë nëse do të shfaqet ndonjë kërcënim për mjedisin e qetë dhe të sigurtë. KFOR është në kontakt të ngushtë me të gjithë lojtarët e duhur ndërkombëtarë e vendas dhe mbështet kërkimin prej tyre të zgjidhjeve politike brenda kuadrit të mandatit të tij. Po të kërcënohet mjedisi i qetë dhe i sigurtë i popullit në Kosovë, KFOR është gati që të marrë masat e duhura për të neutralizuar këtë kërcënim.

SETimes: Si e kontrolloni kufirin me Serbinë në veri?

Bentler: KFOR ka bashkëpunim shumë të mirë me vendet [përfshirë] Republikën Ish-Jugosllave të Maqedonisë, Shqipërinë, Malin e Zi, por gjithashtu një bashkëpunim shumë të mirë teknik me Serbinë, lidhur me vijën administrative kufitare. Kemi takime të rregullta me Serbinë në nivelin teknik. E kontrollojmë kufirin me [KFOR dhe PK] dhe patrullat e sinkronizuara të (KFOR/forcat serbe).

Kontrolli i personave dhe mallrave që kalojnë kufijtë është një detyrë policore dhe nuk i takon KFOR. Në lidhje me mënyrën sesi këto detyra do të kryehen përgjatë vijës së kufirit administrativ do të bihet dakord midis aktorëve të duhur gjithashtu. KFOR do të përfshihet vetëm nëse dhe atëhere kur siguria e popullit në Kosovë është në rrezik.

SETimes: Shumë njerëz në Kosovë vazhdojnë t'i besojnë KFOR më shumë se ndonjë organizmi tjetër vendas. Megjithatë ka ushtarë në KFOR nga vende që nuk e kanë njohur Kosovën si një shtet. A është ky një problem?

Bentler: [Njohja] nuk ndikon në mandatin e KFOR apo në pozitën e misionit si të tërë lidhur me statusin e Kosovës. Në lidhje me perceptimin e popullsisë vendase, besoj se KFOR, si një shprehje e një Aleance të besueshme, është perceptuar vetëm si një njësi homogjene. Ushtarët e KFOR janë kurdoherë të vendosur ndaj qëndrimit të paanshëm të organizatës.

SETimes: Kosova ka shprehur qartë aspiratën e saj për integrimin euro-atlantik. Si i shihni shanset për integrimin e Kosovës në këto struktura euro-atlantike?

Bentler: KFOR nuk është i përfshirë aktivisht në zgjidhjen e çështjes së statusit. Ai përmbahet nga pjesëmarrja në çdo diskutim të çështjeve politike.

SETimes: Si e shikoni shanset për Kosovën në përgjithësi?

Bentler: Jam shumë optimist. Gjatë dhjetë viteve të fundit së bashku kemi arritur shumë, veçanërisht në fushën e sigurisë. Ky është parakusht për përparimin në fusha të tjera: ekonomi dhe zhvillim politik. KFOR vazhdon të ofrojë sigurinë që duhet, duke fituar kohë të çmueshme, që problemet e mbetur të zgjidhen në mënyrë paqësore.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne