02/02/2010
Tetëdhjetë vjeçari i PASOK Karolos Papulias ka të ngjarë të fitojë rizgjedhjen.
Nga HK Tzanis për Southeast European Times në Athinë -- 02/02/10
Ndërsa parlamenti i Greqisë përgatitet të zgjedhë të mërkurën (3 shkurt) presidentin e vendit, ka të ngjarë që tetëdhjetë vjeçari socialist Karolos Papulias do të marrë një mandat pesë-vjeçar të dytë. Ai po kandidon pa konkurrencë.
Po të zgjidhet, ai do të shërbejë mandatin e shtatë presidencial që nga rivendosja e demokracisë më 1974.
Posti i presidentit të Greqisë është më së shumti ceremonial, megjithatë ardhja në një zgjedhje të planifikuar presidenciale zakonisht krijon spekullime të përhapura dhe "manovrim" politik lidhur me shanset e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohëshme. Dështimi nga parlamenti për të zgjedhur një president, shpie në shpërbërjen e parlamentit.
Kushtetuta kërkon që një kandidat të marrë dy të tretat apo 200 vota në parlamentin me një dhomë për t'u bërë president. Nëse nuk arrihet shumica, zhvillohet një raund i dytë, që kërkon të njëjtën numër votash. Një raund i tretë dhe përfundimtar zhvillohet pesë ditë më pas, që kërkon 180 vota për të zgjedhur një president.
Nëse kjo dështon, parlamenti shpërbëhet dhe zhvillohen zgjedhje të parakohëshme. Asambleja e re pastaj duhet të zgjedhë presidentin.
Përpara rimarrjes së pushtetit në tetor 2009, partia socialiste PASOK premtoi të shkaktojë një zgjedhje të parakohëshme në fillim të 2010 duke kundërshtuar çdo kandidat të mundshëm, duke përfshirë Papulias.
Atë kohë, partia konservatore Demokracia e Re (ND) kishte një shumicë të pakët në parlament dhe jo vota të mjaftueshme për të zgjedhur një president të ri.
Mandati i ri i PASOK bashkuar me daljen e zymtë të ND në zgjedhjet e tetorit, plus krizën e deficitit që dëmtoi Greqinë, u kombinuan të gjitha për të mos patur nevojë për zgjedhje të parakohëshme.
"Eshtë një gëzim dhe nder për ne që të vijmë tek ju sot me një propozim që na nderon të gjithëve, për zgjedhjen tuaj si president," i tha Kryeministri Jorgo Papandreu Papulias gjatë një vizite mirësjellje javën e kaluar.
Të premten, udhëheqësi kryesor i opozitës dhe Kryetari i ND Antonis Samaras, njoftoi mbështetjen e partisë së tij për Papulias, i cili konsiderohet i shëndetshëm dhe energjik në 80 vitet e tij.
160 deputetët e PASOK, së bashku me 91 deputetë të ND dhe 15 nga partia e qendrës së majtë Tubimi Popullor Ortodoks pritet t'a mbështesin atë.
Njëzet e një deputetë që i takojnë Partisë Komuniste të vijës së ashpër dhe Koalicionit të Majtë Radikal pritet të votojnë "i pranishëm".
Papulias që shërbeu si ministër i jashtëm në qeveritë njera pas tjetrës të PASOK, mbahet mend më mirë për normalizimin e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë në fund të viteve 1980. Në 1995, partia në pushtet diskutoi gjithashtu "marrëveshjen e përkohëshme" midis Athinës dhe Shkupit.