SHBA mbështet BiH dhe Malin e Zi për MAP të NATO-s

20/11/2009

Ministrat e Kartës SHBA-Adriatik ranë dakord të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët mbi zgjerimin e bashkëpunimit nëpërmjet qendrave rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Nga Antonio Prlenda për Southeast European Times në Sarajevë – 20/11/09

Ministrat e mbrojtjes të shtatë vendeve të Europës Juglindore dhe Departamenti i Mbrojtjes i SHBA u takuan të mërkurën (18 nëntor) në Sarajevë për të diskutuar mbi bashkëpunimin e mëtejshëm rajonal dhe procesin e zgjerimit të NATO-s.

Takimi, i pesti që përfshin ministrat e mbrojtjes të Kartës SHBA-Adriatik, ui ndoq nga Zëvendës/Ministri shqiptar i Mbrojtjes Arjan Starova, Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë dhe Herzegovinës (BiH) Selmo Çikotiç, Sekretari i Shtetit i Mbrojtjes i Kroacisë Pjer Simunoviç, Ministri maqedonas i Mbrojtjes Zoran Konjanovski, Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi Boro Vuçiniç dhe Ndihmësi i Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA Ambasadori Aleksander Vershbov. Atyre iu bashkuan Ministrja sllovene e Mbrojtjes Ljubica Jelishiç dhe Ministri serb i Mbrojtjes Dragan Sutanovac, nga vendet mike dhe vëzhguese.

Pas takimit, Vershbov përsëriti mbështetjen e SHBA për miratimin e parakohshëm të kërkesave të BiH dhe Malit të Zi për Planin e Veprimit të Anëtarësimit (MAP). Ai tha gjithashtu se anëtarësimi i plotë në NATO për Maqedoninë do të mbështetet sapo të zgjidhet çështja e emrit të saj.

Ai theksoi se bashkëpunimi rajonal duhet të përfshijë "shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës si dhe trainimin e vendosjen e kombinuar dhe kërkimin e udhëheqjes kolektive në reformat e domosdoshme të anëtarëve të Kartës".

Në takimin e së mërkurës, ministrat ranë dakord që të nëshkruajnë një deklaratë të përbashkët, e cila parashikon zgjerimin e bashkëpunimit nëpërmjet qendrave rajonale në Ballkanin Perëndimor. Ata theksuan se idetë për ngritjen e Qelizës së Bashkërendimit në Qendrën Trainuese të Operacioneve të Mbështetjes së Paqes (PSOTC) në Sarajevë do të paraqiten shpejt në nivelin e praktikës.

Ministrat theksuan rëndësinë e dhënies mbështetje BiH dhe Malit të Zi në përpjekjet e tyre për t'u integruar në strukturat euro-atlantike dhe thanë se ata presin integrimin e plotë të Maqedonisë në NATO në të ardhmen e afërt.

Duke përsëritur besimin e tyre se vazhdimi i zgjerimit të balancuar rajonal është një element thelbësor në transformimin në proces të NATO-s, ministrat inkurajuan udhëheqësit e vendeve dhe qeverive të NATO-s që të riafirmojnë politikën e "dyerve të hapura".

"Duke kapërcyer me sukses sfida të shumta që kemi ndeshur në periudhën e kaluar, rajoni ynë tregoi kapacitetin e tij për t'u ngritur në nivelin e standardeve që priten nga anëtarët e ardhshëm të NATO dhe BE dhe për të shërbyer si një model i transformimit demokratik," tha Konjakovski i Maqedonisë.

Çikotiç i BiH theksoi se vendet e rajonit duhet të provojnë se interesat e përbashkëta të tyre janë mbi interesat e vendeve individuale. "Eshtë e rëndësishme që cilido të mësojë nga përvoja e BiH e 15 vjetëve të shkuara kur paguam një çmim të lartë për mosbashkëpunimin e ndërsjelltë," tha ai.

Karta SHBA-Adriatik është një shoqatë vendesh nga rajoni i Adriatikut që punojnë së bashku për të nxitur përpjekjet e tyre për t'u bashkuar me NATO-n. Ajo u formua nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia dhe SHBA më 2003 dhe me të u bashkuan Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Herzegovina më 2008. Në 1 prill të këtij viti, Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtarë të NATO-s.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne