18/11/2009
Ndërsa janë krejt në kundërshtim lidhur me pavarësinë e Kosovës. Shqipëria dhe Serbia po farkëtojnë një lidhje të ngushtë mbështetur në interesa të përbashkëta, të tilla si integrimi në BE.
Analizë nga Robert Ostin për Southeast European Times -- 18/11/09
Një takim muajin e kaluar në periferi të takimit të nivelit të lartë të Katërshes së Vishegradit në Budapest theksoi një prirje të rëndësishme që po bëhet e mundshme: lidhje gjithnjë e më të ngrohta midis Beogradit dhe Tiranës.
Ministri i Jashtëm shqiptar Ilir Meta dhe homologu i tij serb Vuk Jeremiç, përfituan nga rasti që të hedhin bazat për ngritjen e një kuadri ligjor për marrëdhënie të ndërsjellta. Jeremiç e ftoi gjithashtu Metën të vizitojë Beogradin.
Ndonëse të dy ata kanë patur marrëdhënie pune në të kaluarën, kjo është hera e parë që takohen ndërsa shërbejnë në funksionet e tanishëm. Kjo gjithashtu shënoi një fund në mungesën e gjatë të kontakteve zyrtarë të nivelit të lartë midis dy ministrive të jashtme.
"Ne po punojmë në një mënyrë që nuk kemi punuar më parë, duke njohur pikëpamjet tona, duke trajtuar çështjet praktike, kështu që ekonomia të mos vuajë për llogari të dallimeve tona politike," tha Jeremiç.
Meta ishte i të njëjtit mendim, duke thënë se vendet janë gati të punojnë së bashku edhe ndërsa pranojnë të mos bien dakord mbi disa tema.
Sigurisht që Kosova mbetet një zonë e madhe kundërshtimi. Shqipëria i ka dhënë mbështetje të plotë Prishtinës në shkëputjen e saj nga Serbia dhe Kryeministri Sali Berisha ngjalli mëri kohët e fundit me deklarata që sugjerojnë se Shqipëria dhe Kosova janë pjesë të një kombi të vetëm.
Mënjanë kësaj retorike, Beogradi dhe Tirana kanë gjetur gjithnjë e më shumë bazë të përbashkëta në një rang çështjesh.
"Zhvillimi i marrëdhënieve tona me Serbinë është një nga elementët e rëndësishëm të politikës sonë të jashtme rajonale," tha Meta në një deklaratë zyrtare për Southeast European Times. "Unë besoj se bashkëpunimi i dobishëm dhe konkret midis dy vendve tanë do të ketë një ndikim tepër pozitiv për të gjithë rajonin, politikisht dhe ekonomikisht."
Ai shtoi se "Shqipëria dhe Serbia janë vendet kryesorë për forcimin e paqes, stabilitetit dhe begatisë në rajon. Ne jemi për një epokë të re në marrëdhëniet tona me Serbinë, një epokë të bashkëpunimit të ndërsjelltë për një të ardhme të përbashkët europiane."
Ngarja e prirjes është një njohje nga ana e të dy vendeve e roleve të tyre në rritje në rajon, brenda kontekstit të integrimit.
Shqipëria e gjen veten në rolin e ndërtuesit të urave. Si një anëtar i ri i NATO-s, përfshirë gjithashtu në një seri të tërë organizatash shumë-palëshe dhe duke aspiruar për integrimin në BE, vendi nuk ka zgjedhje tjetër veçse të veprojë në interesat më të mira të bashkëpunimit rajonal.
E njëjta gjë mund të thuhet për Serbinë, ku udhëheqja pro-perëndimore ka investuar energji të mëdha për t'a vënë vendin në një rrugë të re.
Janë gjithashtu në lojë faktorë të rëndësishëm ekonomikë. Ndërsa Jugosllavia mund të ketë dështuar si një shtet, statistikat tregojnë se modelet tregtarë historikë kanë vazhduar. Për Tiranën, qënia pjesë e lojës tregtare rajonale do të thotë farkëtim i lidhjeve më të ngushta me fqinjët e saj ish-jugosllavë.
"Ne kemi çështje të hapura, që asnjë nga ne nuk përpiqet t'i minimizojë apo shpërfillë. Unë doja të thosha se po trajtojmë këto çështjeve me maturi," tha Jeremiç në tetor. "Ne ndajmë vizionin e një Ballkani të qëndrueshëm, të integruar në BE dhe të padëmtuar nga dallimet tona. Ky udhëtim duhet të fillojë në një pikë dhe po e fillojmë atë sot."
Korrespondentët e Southeast European Times Manjola Hala dhe Sami Neza kontribuan në këtë analizë.