15/10/2009
Ndërsa vinte në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia kanë ende mjaft për të bërë, Komisioni Europian tha të mërkurën se Maqedonia kishte bërë "përparim bindës" dhe ishte gati të fillonte bisedimet e hyrjes me Brukselin.
(European Voice, VOA - 15/10/09; European Commission, AFP, AP, Reuters, DPA, Bloomberg, FT, BBC, Guardian, Euobserver, Euronews, AKI, Beta, B92, MIA, ANA-MPA - 14/10/09)
Katër vjet pas futjes zyrtare të Kroacisë dhe Turqisë si vende kandidate të BE, Komisioni Europian (KE) i tha Maqedonisë të mërkurën (14 tetor) se ishte gati të niste bisedimet e saj të hyrjes me Brukselin.
"Vendi ka bërë përparim bindës dhe ka trajtuar në thelb përparësitë kryesore të reformës," tha Komisoneri i Zgjerimit të BE Olli Rehn ndërsa paraqiti raportet vjetorë të BE mbi përparimin drejt hyrjes të vendeve kandidate dhe vendeve të mundshëm kandidatë.
Mbi bazën e këtij përfundimi, komisioni rekomandoi që blloku prej 27 vendesh të fillojë bisedimet e pranimit me Shkupin. Udhëheqësit e vendeve anëtarë do të marrin një vendim mbi këtë çështje gjatë takimit të nivelit të lartë të tyre në dhjetor.
Megjithatë, mosmarrëveshja për një kohë të gjatë e emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë mbetet një pengesë e madhe për kërkesën e Shkupit për në BE. Duke këmbëngulur se emri i fqinjit verior nënkupton pretendime të mundshme territoriale ndaj krahinës së saj të Maqedonisë, Greqia ka kërcënuar të bllokojë anëtarësimin deri sa të arrihet një zgjidhje.
Rehn shprehu shpresë se rekomandimi i KE do të shërbejë "si një inkurajim shumë i fortë për të zgjidhur çështjen e emrit dhe për t'a hequr kështu atë nga rendi i ditës dhe unë besoj se qeveria në Shkup e merr gjithashtu këtë mesazh".
Ndërsa Maqedonia pret ende një datë të nisjes së bisedimeve të hyrjes, Kroacia është pranë fazës përfundimtare me vetëm shtatë nga 35 kapitujt për t'u hapur ende, tha Brukseli. Por ai i kërkoi gjithashtu Zagrebit që të vazhdojë zbatimin e reformave të kërkuara nga BE, veçanërisht në fushat e gjyqësorit dhe reformës së administratës publike, luftës kundër korrupsionit, të drejtave të pakicave dhe kthimit të refugjatëve.
"Nëse Kroacia përmbush të gjithë standartet e mbetur në kohë, bisedimet e pranimit mund të përfundojnë vitin e ardhshëm," tha KE.
Turqia, që nisi bisedimet e anëtarësimit të saj bashkë me Kroacinë më 2005, është më tej prapa në proces, me vetëm një të tretën e kapitujve të bisedimeve të hapur deri tani.
Ndërsa vlerësonte Ankaranë për përpjekjet e saj për të normalizuar marrëdhëniet me Armeninë si dhe për nismën e njoftuar kohët e fundit që ka për qëllim zgjidhjen e çështjes kurde, KE e kritikoi Turqinë për mospërparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve me Qipron.
"Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të të dy bashkësive në Qiproi për të sjellë bisedimet në një fund të suksesshëm sa më parë të jetë e mundur dhe Turqisë për të kontribuar konkretisht për një zgjidhje të tillë të përgjithshme të çështjes së Qipros," tha Rehn të mërkurën.
Kandidatët e mundshëm Shqipëria, Bosnjë dhe Herzegovina (BiH), Kosova, Mali i Zi dhe Serbia po bëjnë përparim jo të njëllojtë dhe kanë mjaft për të bërë për të përmbushur kërkesat e BE, sipas komisionit.
"Rendi i ligjit, në veçanti lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbetet një sfidë e madhe që vendet e zgjerit duhet të trajtojnë në një fazë të hershme," tha Rehn. "Një shumicë reformash do [të duhen] për të trajtuar problemin dhe komisioni do të vazhdojë të përdorë të gjitha instrumentet e procesit zgjerues për t'i ndihmuar ato në këtë përpjekje."
Krahu ekzekutiv i BE shprehu shqetësim të veçantë lidhur me retorikën e vazhdueshme nacionaliste në BiH dhe përkeqësimin e gjendjes politike në vendin i cili "duhet urgjentisht të shpejtojë reformat".