14/10/2009
Qeveria e pakicës ishte e para që u rrëzua në 20 vjet pas një votimi mosbesimi në parlament.
Nga Paul Kiokoiu për Southeast European Times në Bukuresht – 14/10/09
Partia Social Demokratike (PSD), Partia Kombëtare Liberale (PNL dhe Aleanca Demokratike e Hungarezëve (UDMR), të gjitha tashmë në opozitë, ranë dakord të martën (13 tetor) që të emërojnë Klaus Johanis, kryebashkiaku i Sibiut dhe udhëheqësin e Forumit Demokratik Gjerman, si kryeministër.
Të tre partitë, që shkarkuan qeverinë e tanishme nëpërmjet një vote mosbesimi më parë gjatë ditës, do të informojnë zyrtarisht Presidentin Trajan Bashesku për vendimin e tyre.
PSD, PNL dhe UDMR kanë rënë gjithashtu dakord që qeveria e ardhshme të formohet ekskluzivisht nga teknokratë dhe se vëmendja kryesore e tyre do të jetë në punët e jashtme dhe portfolet e drejtësisë.
Burimet e Mediafax thonë se udhëheqësit e tre partive vendosën të mos nënshkruajnë një marrëveshje për të formuar një koalicion për të mbështetur qeverinë e re, gjë që do të thotë se ai do të konsiderohet një zgjidhje e përkohshme. që ka të ngjarë të shpjerë në zgjedhje të përgjithshme të parakohëshme, sapo të përfundojnë zgjedhjet presidenciale të 22 nëntorit.
Sipas kushtetutës, megjithatë, Bashesku ka të drejtë ta shfuqizojë propozimin pavarësisht nga fakti se tre partitë mbajnë vota të mjaftueshme në parlament për të konfirmuar qeverinë.
Disa spekullojnë se Bashesku do të emërojë si Kryeministër Emil Bok.
Gjithsej 254 ligjvënës votuan në mbështetje të mocionit të mosbesimit, ndërsa 174 ishin kundër tij. Kjo është qeveria e parë që nga 1990 që rrëzohet nëpërmjet një mocioni të ngritur nga opozita.
"Ne kemi humbur një betejë, por jo gjithë luftën. Qeveria ra sepse deputetët nuk duan të humbasin pensionet dhe privilegjet e tyre", tha Bok, duke iu referuar një projekti të kohëve të fundit që do të zvogëlonte pensionet dhe pagat preferenciale për të shkurtuar shpenzimet publike.
"Me gjithë këtë grindje politike, Rumania në thelb po harxhon dy muaj lufte kundër recesionit. Një qeveri teknokrate, e ngjizur për 45 ditë, vazhdon pasigurinë dhe largon investitorët e huaj, ndërsa ata që janë të pranishëm në tregun e vendit do të jenë më të matur," i tha SETlimes, redaktori i lartë politik Silviu Sergiu i së përditshmes Evenimentul Zilei.
"Në një nivel politik, kjo krizë i jep një goditje të ashpër Basheskut pasi ai në thelb humbet kontrollin mbi qeverinë tamam përpara zgjedhjeve presidenciale, gjë që është një disavantazh i madh," shtoi Sergiu.