11/06/2009
Jahti luksoz i Titos drejtohet për një rinovim pasi iu shit një qyteti në Kroaci.
Nga Ivo Shçepanoviç për Southeast European Times në Split – 11/06/09
Për vite, jahti i ish-diktatorit jugosllav Josip Broz Tito, Galeb (Pulëbardha), ka qëndruar pa lëvizur në kantierin e ndërtimit të anijeve Viktor Lenac, në brigjet veriore të Kroacisë. Që nga muaji i fundit, kjo ndryshoi megjithatë, kur ai u ble nga qyteti i Rijekës. Qyteti ka ndërmend ta rinovojë anijen dhe ta kthejë atë në një muze lundrues.
Rinovimi nuk do të jetë i pari. Ndërtuar si një anije detare jugosllave në Gjenova, Itali më 1938, anija e gjatë 117 metra u konfiskua nga gjermanët më 1943. Ajo u fundos më 1944 në brigjet e Rijekës nga aleatët. Në vitin 1948 u nxorr nga deti dhe u rindërtua si Galeb i sotëm më 1952.
Tito e përdori anijen deri në vdekjen e tij më 1980, duke lundruar afërsisht 160 km në misione politike. Ai e përdori gjithashtu Galeb si një vend për të argëtuar një numër politikanësh dhe njerëzish të shquar, duke përfshirë Kryeministrin britanik Uinston Çërçill, udhëheqësin e Libisë Muamar sl-Gadafi, ish-Presidentin e Egjiptit Abdel Naser, ish-Kryeministrin indian Xhavaharlal Nehru dhe yjet e Hollivudit Elisabet Tejlor dhe Riçard Bërton.
Rijeka e bleu atë për 107,000 euro.
"Jahti u shpëtua nga blerja e dikujt që do ta ... shiste atë për skrap hekuri. Rindërtimi do të kryhet nën mbikqyrjen e ekspertëve," tha Kryebashkiaku Vojko Obersnel.
Kostoja e pritëshme e rinovimit është më shumë se 7 milionë euro.
Megjithatë, shitja nuk shkoi butë. Jahti u kap dhe u vu në ankand pasi pronari, manjati i anijeve Xhon Pol Papanikolau nuk pagoi taksën e tij të portit në kantjerin Lenac, ku ai planifikoi të rinovojë jahtin.
Avokati i Papanikolaut ngriti një gjyq më 2006 për të ndalur shitjen, i cila është ende pezull.
Galebi pritet të mbetet i ankoruar në limanin e Rijekës dhe të bëhet një tërheqje turistike. Vizitorët do të jenë në gjendje të hipin në të, të pijnë një kafe dhe të zhyten në mjedisin e jahtit historik.