Zgjedhjet e marsit të rëndësishme për Maqedoninë

14/01/2009

Zgjedhjet e ardhëshme lokale e presidenciale në Maqedoni mund të kenë një ndikim të madh në perspektivat e vendit në BE.

Nga Marina Stojanovska për Southeast European Times në Shkup -- 14/01/09

Kur temperaturat nisin të ngrihen me pranverën, në Maqedoni do të ndizen gjithashtu luftrat politike. Vendi do të shkojë në zgjedhje në 22 mars për të zgjedhur një president të ri si dhe kryebashkiakët dhe këshillat e bashkive. Qeveria njoftoi të shtunën (10 janar) datën e zgjedhjeve lokale e të presidentit.

"Këto zgjedhje janë shumë vendimtare për shtetasit tanë," tha pas njoftimit kryetari i parlamentit Trajko Veljanovski. "Sipas standardeve më të larta evropiane, zgjedhjet e rregullta e demokratike janë me rëndësinë më të madhe për përfshirjen tonë të mëtejshme në BE."

Ky raund zgjdhjesh do të shohë një ndryshim të rëndësishëm në kërkesat për pjesëmarrje. Në të kaluarën, duheshin së paku 50% e elektoratit të shkonte në votime me qëllim që votat të ishin të vlefshme. Kjo shifër ka rënë tani në 40%.

Parliamenti ra dakord me ndryshimin të premten. Ai miratoi gjithashtu një kërkesë për kandidatët për të paraqitur një deklarim të notarizuar në Komisionin e Lustrimit ku betohen se ai apo ajo nuk ka bashkëpunuar kurrë me policinë e fshehtë të regjimit të mëparshëm komunist.

Partitë politike, deri tani, po mbajnë të pashpalosura listat e tyre të kandidatëve. Si VMRO-DPMNE qeverisëse dhe opozita kryesore SDSM kanë zbuluar kandidatët e tyre bashkiakë vetëm në zonat ku kanë besim për fitorren.

VMRO-DPMNE thotë se në Bitola e Prilep, kandidatët e saj do të jenë ekzistuesit Marjan Ristevski dhe Vladimir Talevski. SDSM njoftoi se kryebashkiakët e saj ekzistues në Strumicë, Ohër dhe Kumanovë, respektivisht Zoran Zaev, Aleksander Petrevski dhe Zoran Damjanovski, do të konkurojnë përsëri.

Sa për garën presidenciale, ish ministri i brendshëm Ljube Boshkovski ishte i pari që hodhi në ring kapelen. Boshkovski qe për më shumë se tre vjet në paraburgim në Hagë lidhur me bastisjen nga policia në 2001 të një fshati etnik shqiptar që la shtatë të vdekur. Prokurorët po apelojnë lirimin e tij nga gjykata e OKB.

Sondazhet i kryeson megjithatë ish ministri i jashtëm Srgjan Kerim. Të martën, SDSM e paraqiti Kerim si një kandidat që mund të merrte mbështetjen e të dy partive.

"Ne paraqitëm një propozim për VMRO-DPMNE dhe presidentin e partisë Nikola Gruevski, që të dy partitë më të mëdha të vendit të mbështesin një kandidat të vetëm jopartizan për kreun e ardhshëm të shtetit," tha kreu i SDSM Zoran Zaev. Ne e konsiderojmë...Kerim të jetë personi më i përshtatshëm për një post të tillë."

Zgjedhjet janë vendimtare për shanset e Maqedonisë për t'u bashkuar me BE. Brukseli e ka bërë të qartë se do që të shohë zgjedhje të ndershme e demokratike, ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të qershorit të kaluar të prishura nga dhuna dhe mashtrimi i votave. Sipas kryeministrit Nikola Gruevski, qeveria ka miratuar një plan për zgjedhjet e marsit për të parandaluar çdo incident të mundshëm.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne