30/12/2008
Pjesëmarrësit nga dhjetë vende në rajon diskutuan përpjekjet për të arritur hyrje më të shpejtë në BE, në një konferencë në Maqedoni.
Nga Ljubomir Kristof për Southeast European Times në Ohër -- 30/12/08
Dhoma Ekonomike e Maqedonisë priti një konferencë të dhomave nga Evropa Juglindore muajin e fundit në Ohër. Tema e konferencës: " Më shpejt drejt BE", lejoi pjesëmarrësit nga dhjetë vende, duke nisur nga Sllovenia në Turqi, të shkëmbenin përvojën dhe të diskutonin opsionet për një udhë më të shpejtë në hyrjen në BE.
Duke ju drejtuar pjesëmarrësve, nënkryeministri maqedonas Zoran Stavreski dha një përshkrim të shkurtër të përpjekjeve për të përmbushur angazhimet e vendit të tij në kuadrin e marrëveshjes së stabilizimit dhe shoqërimit (SAA), duke përfshirë nxitjen e një dialogu konstruktiv midis komuniteteve etnike të të dy vendeve, reformën gjyqësore, reformën policore, një goditje ndaj korrupsionit dhe forcimin e aftësisë administrative.
"Unë jam i bindur se [Maqedeonia], Kroacia, Bosnje dhe Herzegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria kanë të gjitha kapacitete të plota dhe janë gati të mbajnë përgjegjësitë e tyre si anëtarë të ardhshëm të BE së bashku me ato të që janë tani," tha Stavreski.
Ljubomir Kristof i Bullgarisë hapi diskutimin duke sugjeruar se rruga e pranimit dhe zbatimi cilësor i reformave në kuadrin e SAA ka rëndësi po aq sa vetë pranimi. Forcimi i institucioneve, përtëritja e infrastrukturës dhe përgatitja për lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit e njerëzve shërbyen për të zgjeruar konkurrencën e ekonomisë së vendit të tij, tha ai.
Kryetarët dhe përfaqësuesit e dhomave të tregtisë ndanë përvojën e tyre dhe problemet në përgatitjen e hyrjes në BE. Ambasadori rumun në Maqedoni, Adrian Konstandinesku shqyrtoi udhën e vendit të tij në BE në 2007. Ai përsëriti gadishmërinë dhe dëshirën e vendit të vet për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të futen në Bashkim.
CEO i Stopanska Banka, Gligor Bishev citoi raportin më të fundit të Bankës Botërore mbi bërjen e biznesit, duke vënë në dukje se ai rreshtonte disa vende në rajon, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë, midis dhjetë reformuesve më të shpejtë në botë. Ai e konsideroi këtë status provë të vullnetit politik në rajon për t'u pëprgatitur për hyrjen në BE sa më shpejt të jetë e mundur.
Konferenca ofroi gjithashtu mundësi lidhjeje në rrjet për krerët e biznesit në rajon.
Organizatorët maqedonas shprehën shpresa për ta kthyer këtë konferencë në një veprimtari të rregullt.