Ish kryeministri rumun do të formojë qeverinë e re

12/12/2008

Presidenti Traian Bashesku propozoi ish kryeministrin Theodor Stolojan të mërkurën për të formuar qeverinë e re të koalicionit PDL-PSD.

Nga Paul Kiokoiu për Southeast European Times në Bukuresht – 12/12/08

Vendimi i presidentit për të propozuar Theodor Stolojan si kreun e qeverisë së re të mërkurën (10 dhjetor) nuk ishte shumë i papritur. Politikani veteran shërbeu më parë si kryeministër i Rumanisë, dhe përpara kësaj, si ministër i financave në vitet e trazuara që pasuan rënien e regjimit të Çausheskut.

Me Rumaninë që ndeshet me ndikimin e krizës globale financiare ndërsa hyn në një periudhë reformash vendimtare, presidenti ka zgjedhur dikë që njihet për rolin e tij në rindërtimin e ekonomisë së vendit.

"Ne na duhet një kryeministër i aftë," tha Bashesku duke shtuar se i propozuari i tij kupton sfondin e rënies ekonomike botërore dhe ka autoritetin e nevojshëm të udhëheqë vendin në kohë të vështira.

Ai i preu shkurt thashethemet se qeveria do të ishte jetëshkurtër. Kryeministri do të shërbejë për katër vjet, tha Bashesku.

Stolojan tha se kabineti i tij do të ketë dy misione "tepër urgjente: trajtimin e situatës ekonomike ndërsa rinis gjithashtu reformat në fusha jetike si shëndetësia dhe arsimi.

Ai tha se shpresonte se qeveria e re do të betohej deri në 22 dhjetor.

Të dy partitë e koalicionit do të nisin negociata për portofolet ministrore. E çara e parë në atë që duket të jetë një bazament solid ndodhi kur të dyja ato nuk mundrën të binin dakord në se do të pranohej partia etnike e hungarezëve, UDMR në koalicionin qeverisës. Partia Social Demokratike (PSD) është kundër bashkimit të UDMR në koalicion dhe thotë se çështja është e panegociueshme.

Ish zyrtarët e njohur për rolin e tyre në luftën kundër korrupsionit, mund të kthehen. Ata përfshijnë Vasile Blaga që shërbeu si ministër i brendshëm nga 2004 në 2007 dhe Monika Makovei, që ishte ministre e drejtësisë gjatë së njëjtës periudhë.

Kreu i PSD Mirçea Geoana pritet të bëhet presidenti i ardhshëm i senatit dhe nënkryetar i Këshillit të Lartë të Mbrojtjes së Vendit (CSAT).

Programi i fushatës së Stolojan theksoi zgjatjen e periudhave të kredive të përfituara nga rritja e vlerës së shtëpive, për familjet në vështirësi, rritjen e diskutueshme 50% të pagës së mësuesve, përshpejtimin e reformës së administratës publike, rinisjen e procesit të privatizimit dhe zbatimin e përjashtimeve nga taksat për fitimin e riinvestuar.

Stolojan, nënpresident i Partisë Liberale Demokratike (PDL) u tërhoq nga gara presidenciale katër vjet më parë për t'i hapur rrugë Basheskut i cili fitoi postin. Një ekonomist nga formimi, ai mbajti një pozitë të lartë në Bankën Botërore nga 1992 në 1999, pas termit të tij në postin politik.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne