01/12/2008
Forcat e armatosura të Bosnje dhe Herzergovinës përbëjnë tashmë një organizëm të BiH të krijuar me sukses në nivel shteti, që po bën përparim të madh drejt integrimit në NATO.
Nga Jusuf Ramadanoviç për Southeast European Times në Sarajevë -- 01/12/08
Të hënën (1 dhjetor) forcat e armatosura të Bosnje dhe Herzegovinës (AF BiH) festojnë ditlindjen e tyre të tretë. Ngritur në dhjetor 2005, ato përfaqësojnë një përzjerje të dy ushtrive themelues, ushtrisë boshnjake-kroate të Federatës së Bosnje dhe Herzegovinës dhe ushtrisë serbe boshnjake të Republika Srpska.
Tani, përbërja e AF BiH dëshmon diversitetin e shoqërisë nga vjen ajo. Trupat e saj janë boshnjakë (45.9%), serbë (33.6%) dhe kroatë (19.8%) dhe anëtarë të grupeve të tjera etnike që shkojnë në rreth 0.7% . Gjithashtu 4.54% janë gra. Vënë nën komandën qendrore të presidencës së Bosnje dhe Herzegovinës, këto forca kërkojnë të garantojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të BiH.
Kryetari i presidencës së BiH Nebojsha Radmanoviç u dërgoi urimet e tij trupave të hënën. "Rezultatet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë të arritura deri tani në BiH më bëjnë të besoj se [AF BiH]... do të jetë një forcë profesionale që të kontribuojë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e BiH dhe të gjithë rajonit," tha ai.
Ministri i mbrojtjes Selmo Çikotiç i tha agjensisë së lajmeve Fena se "të gjitha angazhimet lidhur me reformën e mbrojtjes së vendit janë përmbushur dhe... përparim i jashtzakonshëm është bërë në udhën e vendit tonë drejt anëtarësimit të plotë në NATO." Duke njohur suksesin e saj si një anëtare e Partneriteti për Paqe (PfP), NATO e ftoi BiH në krye të 2008 të bashkohet me Planin e Veprimit të Partneritetit Individual (IPAP).
Në samitin e prillit në Bukuresht, Aleanca i kërkoi BiH të nisë procesin e Dialogut të Intensifikuar, një njohje tjetër e përparimit në rrugën e anëtarësimit në NATO. Në samitin e prillit 2009, tha Çikotiç, BiH do të aplikojë për Planin e Veprimit të Anëtarësimit (MAP), një tjetër piketë kjo. AF BiH ka përmirësuar trainimin në një përpjekje për t'ju përshtatur standardeve të Aleancës.
Në vazhdim të këtij procesi, shtatorin tjetër në Banja Luka, NATO do të bëjë stërvitjen e saj Përpjekja e Përbashkët 2009, një stërvitje e madhe për të verifikuar ndërveprimin e sistemeve komunikuese të NATO-s dhe vendeve të PfP. Do të marrin pjesë më tepër se 1,200 përfaqësues të 42 vendeve dhe dy organizatave shumëkombëtare.