Shqiptarët përballen me pasoja për mospagimin e faturave të energjisë

24/11/2008

Shqiptarët të cilët mbeten pas me pagesat e faturave të tyre të energjisë mund të humbasin ngrohjen këtë dimër

Nga Manjola Hala për Southeast European Times në Tiranë – 24/11/08

Shqiptarët janë mësuar me furnizimet e parregullta dhe disa herë ndërprerjet e plota të energjisë. Por këtë dimër, mbasi shpërndarësi i energjisë elektrike po kalon në një fazë të shpejtë privatizimi, shqiptarët do të provojnë për herë të parë një shkurtim të ri të energjisë: ndërprerje të energjisë për klientët që nuk kanë paguar faturat e tyre të energjisë.

Televizioni kombëtar shqiptar ka shpërndarë lajmërimet e shërbimit publik duke paralajmëruar përdoruesit e energjisë që të paguajnë faturat e tyre. Përndryshe, paralajmëron reklama, energjia e tyre "do të mungojë".

Ky ndryshim vjen mbasi një kompani çeke, CEZ, po mbyll negociatat me ministrinë e tregtisë dhe energjisë mbi blerjen e 76% të OSSH, shpërndarësit shtetëror të energjisë të Shqipërisë.

CEZ, me një ofertë prej 102 milion euro, fitoi në tenderin e privatizimit në fillim të tetorit. Procesi duhet të mbyllet në fund të këtij viti.

Sipas kushteve të tenderit, CEZ do të paguajë plotësisht borxhet e operatorit dhe do të investojë 200 milion euro në pesë vitet e ardhshme. Në këmbim të kësaj, Tirana do të kriminalizojë vjedhjen e energjisë, që më para ishte një prioritet i ulët i zbatimit të ligjit.

Ndërkohë, një ngulmim i ri i pagimit të faturave të veta po zhytet midis publikut. Familjarët paguan 82% të atyre që detyroheshin në tetor, ndërsa bizneset paguan 92%, sipas OSSH. Më problematikët janë institucionet shtetërore.

Sektori i energjisë së Shqipërisë është i ndarë midis tre kompanish - KESH, e cila merret me prodhimin; OST, e cila administron linjat e transmetimit; dhe OSSH e sapo privatizuar.

Sektori i energjisë i kontrolluar nga shteti është në gjendje të furnizojë 68% të energjisë në vend, sipas KESH. Firmat zviceriane, çeke dhe serbe furnizojnë pjesën tjetër.

Shqipëria po vazhdon privatizimin e sektorit të saj të energjisë me shpresë tërheqjen e më shumë investimeve, duke përmirësuar menaxhimin e setorit dhe në këtë mënyrë zgjidhjen e problemeve më të shpeshta financiare. Institucionet ndërkombëtare të pranishme në vend inkurajojnë fuqishëm këtë strategji; për shembull, Korporata Ndërkombëtare Financiare asistoi në tenderin e OSSH.

Privatizimi i OSSH, sipas asaj që presin vëzhguesit, do të paraprijë një varg privatizimesh të ardhshme.

OSSH është kompania e dytë më e madhe e zotëruar nga shteti që është në proces privatizimi, mbas ish-kompanisë monopol të naftës ARMO.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne