Ballkani vihet përsëri në vëmendje në festivalin e filmit në Kanë

16/06/2008

Një numër filmbërësish dhe aktorësh rajonalë fituan çmime dhe propozime në edicionin e fundit të festivalit prestigjioz të filmit në Kanë.

Nga Paul Kiokoiu për Southeast European Times në Bukuresht – 16/06/08

Kinemaja rumune fitoi një çmim në festivalin ndërkombëtar të filmit të Kanës, për të dytin vit me rradhë, me "Megatron" të Marian Muresan që mori Palmën e Artë për filmin më të mirë të shkurtër. Regjisori 31 vjeçar tha se ai priste një çmim pasi juria dhe shikuesit qenë tërhequr nga filmi.

"Unë e prisja atë disi. Besova se kishim disa shanse të fitonim," tha Muresan për filmin e tij i cili mundi tetë të tjerë. Kjo është e treta Palmë e Artë për një film rumun të shkurtër, pas "Një histori e shkurtër" e Ion Popesku Gopo dhe "Trafik" të Katalin Mituleskut. Muresan ka marrë tashmë pjesë në disa konkurrime ndërkombëtare me filmat e tij "Amatori", "Portret familjeje" dhe "Ditëlindje të lumtur"

"Megatron" 15 minuta i gjatë tregon historinë e një djali tetë-vjeçar fshati që shkon me nënën në një MekDonald të Bukureshtit për ditëlindjen e tij. Sapo vjen në Bukuresht, djali sheh për të atin e vet. Historia, që përshkruan një udhëtim në Bukuresht e cila shndrrohet ngadalë në një udhëtim në kërkim të një babai, ka vetëm dy personazhe, djalin dhe të ëmën, luajtur nga Maksim Trinu dhe Gabriela Krisu. Filmi u shfaq për herë të parë në Rumani në festivalin e 7-të ndërkombëtar të filmit të Transilvanisë.

Çmimi për regjisorin më të mirë i shkoi regjisorit turk Nuri Bilge Ceilan për dramën e tij familjare "Tre majmunët". Sipas Turkish Daily News, ky është çmimi i tretë për Ceilan në festivalin francez pasi mori në çmimin e madh të jurisë në 2003 për "I largët" dhe çmimin e kritikëve të filmit FIPRESCI 2006 për "Klimat".

"Ja kushtoj këtë çmim vendit tim të vetmuar e të bukur, që e dua me shpirt," tha ai pasi mori çmimin nga aktorja Fej Danuej. "Filmi është për jetën, për botën tonë të brendëshme, për shumë gjëra," spjegoi Ceilan, regjisor i gjashtë filmave deri tani.

Çmimi i madh i kritikëve ndërkombëtarë ju dha regjisores boshnjake Aida Begiç për filmin e saj të parë "Dëbora", një bashkëprodhim i Bosnje dhe Herzegovinës, Gjermanisë, Francës dhe Iranit. Ai ka të bëjë me pasojat e një lufte ballkanike në një fshat të malor të izoluar e të rrënuar nga konflikti.

E fundit po jo më e parëndësishmja, aktorja e lindur në Kosovë, Arta Dobroshi fitoi një propozim për aktoren më të mirë, për rolin e saj në "Heshtja e Lornës", prodhuar nga vëllezërit belgë Zhan-Pierr dhe Luk Dardenes i cili fitoi skenarin më të mirë. Filmi përshkruan udhën e vështirë të një vajze shqiptare në Belgjikë që lufton të marrë shtetësinë ndërsa bën kompromise.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne