14/05/2008
Një shtyrje e kohëve të fundit nga komuniteti islamik në Bosnje dhe Herzegovinë për të ndërtuar më shumë xhami në kryeqytet ndezi një debat mbi shumë-etnicitetin, tolerancën fetare dhe simpatitë e dyshuara pro-islamike të autoriteteve të vendit.
Nga Azra Martin për Southeast European Times në Sarajevë – 14/05/08
Që kur komuniteti islamik në Bosnje dhe Herzegovinë (BiH) njoftoi plane për të ndërtuar disa xhami të tjera në Sarajevë, ka dalë në sipërfaqe një debat i fuqishëm mbi çështjen. Shumë vetë pyesin në se këto plane do të kërcënojnë karakterin shumë-etnik të vendit, veçanërisht pasi donatorët e huaj ndihmuan financimin e ndërtimit të një numri xhamish në një përpjekje për të shbërë shkatërrimin e disa godinave fetare pas konfliktit të viteve 1990.
Përpjekjet e reja të ndërtimit ndeshën entusiazëm të pakët pasi kritikët e ndjejnë se mbrojtësit e xhamive të reja kanë për qëllim që të përhapin islamin në një shoqëri shumë-etnike dhe në një vend shumë-fesh. Ky karakter i shumëllojtë është dalluar veçanërisht në Sarajevë, ku banorët janë krenarë për tolerancën e tyre fetare dhe traditën evro-muslimane.
Pas konfliktit të 1990, dhjetë deri 15 xhami u ngritën vetëm në kryeqytet, një prej tyre, më e madhja, mban emrin e mbretit saudit Fahd. Sot, janë rreth 85 xhami në Sarajevën qendore që qëndrojnë si monumente arkitektonike po ashtu dhe historike.
Komuniteti islamik mori miratimin bashkiak për të ndërtuar xhami në lagjen Ciglane të Sarajevës dhe pranë Teatrit Kombëtar.
Në Ciglane, xhamia do të ndërtohet në një shesh lojrash, gjë që ngjalli kritika. Përfaqësuesit e bashkisë mbrojnë vendimin e tyre duke thënë se planifikuesit parashikuan një xhami të Ciglanes që nga 1994 si një kujtesë të ringjalljes fetare dhe si një nxitje për vlerat etno-kombëtare.
Xhamia pranë Tetarit Kombëtar, po qe se ndërtohet, do të jetë në një park të zhvilluar katër vjet më parë. Ndërsa punonin për parkun e ardhshëm, ekipet zbuluan xhaminë e vjetër të Kalin Haxhi Alisë, pas së cilës komuniteti islamik kërkoi një ndalim të menjëhershëm të zhvillimit të parkut.
Grupet radikale muslimane mbajtën lutje të mesditës për të protestuar ndaj ndërtimit të mëtejshëm. Bashkia më në fund pranoi që vendi të kthehet në një park arkeologjik. Disa javë më parë, komuniteti islamik kërkoi dhe mori lejën për të ndërtuar një xhami në atë vend.
Të kundërshtuar në se Sarajevës i duhen kaq shumë xhami kur shumë muslimanë boshnjakë nuk janë fetarë, përfaqësuesit e komunitetit musliman tregojnë historinë.
"Në 100 vjetët e fundit, nuk pati xhami të reja të ndërtuara por 27 u shkatërruan për shkak të propagandës anti-fetare," që nga themelimi i Jugosllavisë pas Luftës së Parë Botërore, thanë përfaqësuesit e komunitetit.
Për tani, debati mbi ndërtimin e xhamive të reja në BiH ngre çështje të tolerancës fetare dhe afërsisë së perceptuar midis komunitetit dhe autoriteteve në BiH që disa e akuzojnë për shpërfilljen e kundërshtimit të ndërtimit të xhamive.