14/09/2007
Kisha ortodokse rumune ka zgjedhur një patriark të gjashtë "modern". Votimi që u bë mes një shtjelle thashethemesh e akuzash, pasoi periudhën e zisë për patriarkun Teoktist i cili vdiq në korrik.
Nga Xhelu Trandafir për Southeast European Times në Bukuresht - 14/09/07
Metropoliti Daniel u zgjodh si patriarku i gjashtë i kishës ortodokse rumune të mërkurën (12 shtator) me 95 vota nga totali prej 161 i Kolegjit Zgjedhor të Kishës. Daniel do të pasojë Teoktist që vdiq në korrik. Zgjedhjet u mbajtën pas 40 ditëve të caktuara të zisë.
Daniel, i cili ka qenë metropolit i Moldavisë dhe Bukovinës në Rumaninë verilindore për 17 vjetët e fundit, është konsideruar nga shumë si një "moderator". Zgjedhja u konsiderua të ishte kryesisht midis Daniel dhe metropolitit të Kluzhit, Bartholomeu, i cili mori 65 vota. Bartholemeu, 86 vjeç, është parë si "klerik tradicionalist".
Javët që shpunë në votim megjithatë u shënuan nga zërat e thashethemet. Metropoliti moldavian u akuzua nga disa qarqe radikale se ishte frimason që mbështet "ekumenizmin, herezinë më të madhe të kohës sonë" dhe që mbante gjithashtu një plan për "për ta shitur ortodoksinë te katolikët".
Akuzat e ringjallura të bashkëpunimit me ish komunistët dhe Sekuritate i rrënuan kandidatët kryesorë. Këshilli për Studimin e Arkivave të Sekuritate ka ende për të lëshuar gjetjet e veta rreth lidhjeve që disa klerikë të rëndësishëm kishin me policinë e fshehtë.
Në deklaratën e vet të parë publike pas zgjedhjes, Daniel u zotua "të vazhdojë traditën". Një patriark nuk mund të ndryshojë drejtimin e vendosur nga Sinodi ," tha ai. "Patriarku nuk punon më vete, por me Sinodin, me priftërinjtë dhe murgjit, me besnikët, me shoqërinë rumune në përgjithësi." Daniel i cili do të vendoset si patriark në 30 shtator, bëri thirrje për "këshillë, përkrahje dhe bashkëpunim nga të gjithë ata që e duan kishën dhe vendin". Ai gjithashtu preku "trashëgiminë e bollshme" të patriarkut Teoktist i cili vdiq në moshën 92 vjeçare në 30 korrik.
Si metropolit, Daniel, 56 vjeç fitoi një repoutacion për stilin e tij prej biznesi. Kisha e tij u bë një nga më të pasurat e kishave metropolitane ndonëse rajoni i Moldavisë është një nga më të varfërit e Rumanisë. Daniel themeloi një numër të madh botimesh, shtëpish botuese dhe shoqëri bamirësie duke theksuar nevojën për përfshirjen sociale të kishës. Ai krijoi gjithashtu një nga rrjetet më të mëdha të radiove private në Rumani, Radion e Krishterë Trinitas, e cila konkurron me transmetuesit komercialë.
Daniel ka siguruar marrëdhënie të mira me katolikët dhe protestantët. Patriarku i ri rumun është mik i ngushtë i arqipeshkopit të Vienës, kardinalit Kristof Shonborn, miqësi e cila u mbruajt në vitet 1980 kur Daniel ishte një lektor në Institutin Ekumenik në Bosej, Zvicër.
Javën e shkuar, ai priti Asamblenë e tretë Evropiane Ekumenike, një takim i ndjekur nga patriarku ekumenik Bartholemeu I i Konstandinopolit, metropoliti Kirill i kishës ortodokse ruse, kardinali Kasper dhe presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso, midis të tjerëve.
Në një fjalim për grupin, Daniel u zotua të sillte "një dëshmi më intensive të krishterë" në Evropë pasi Rumania, me kishën më të madhe ortodokse në botë, pas Rusisë, qe bërë anëtare e BE. Pikëpamjes së tij i bëri jehonë Kirill i cili theksoi nevojën "për t'i kthyer shpirtin Evropës" dhe nga kardinali Kasper që u kërkoi të krishterëve evropianë "të zgjoheshin më së fundi".
Në takim, Barroso diskutoi "një Evropë multi-etnike, multi-kulturore e multi-fetare". BE i rezistoi thirrjeve për të përmendur Zotin dhe rrënjët e krishtera të qytetërimit evropian në traktatin e vet kushtetues dhe në reformën aktuale të ndryshuar të traktatit.
Bartholomeu, në mënyrë të dukshme, nuk e ndoqi asamblenë.