31/08/2006
Festivali i 12-të i Filmit i Sarajevës provoi përsëri të ishte vendi kryesor i takimit për prodhuesit dhe autorët rajonalë. Festivali është njohur nga profesionistët e filmit nga e gjithë bota si një parajsë për ata në kërkim të mundësive.
Nga Antonio Prlenda për Southeast European Times në Sarajevë – 31/08/06
Një histori e ndjeshme rreth marrëdhënieve midis dy grave nga ish Jugosllavia dhe vetëzbulimin e tyre është përshkruar në filmin "Das Fraulein" (Zonjusha), i cili fitoi çmimin e Zemrës së Sarajevës për filmin më të mirë në Festivalin e 12-të të Filmit në Sarajevë (SFF).
Filmi nga regjizori zviceran Andrea Staka u prodhua në Zvicër, Gjermani dhe Bosnjë dhe Herzegovinë (BiH). Ai fitoi çmimin prej 25,000 eurosh në festivalin më prestigjioz të filmit të Evropës Juglindore i cili u mbajt nga 16 në 26 gusht. Tetë filma nga Hungaria, Rumania, Kroacia, Serbia dhe BiH konkuruan për çmimin kryesor.
Juria ndërkombëtare e SFF i dha çmimin e posaçëm të jurisë Faruk Lonçareviç nga BiH për filmin e tij "Nënë e babë". Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë ju dha kroates Marija Skariçiç për rolin e saj në "Das Fraulein", ndërsa Rakan Rushaidat, gjithashtu nga Kroacia, mori çmimin për aktorin më të mirë për rolin e tij në "Gjithshka për lirinë" të Antonio Nuiç. Dëshmi e posaçme ju dha rumunit Radu Muntean për "Letra do të jetë blu".
Juritë i dhanë Zemrën e Sarajevës për filmin më të mirë të shkurtër "Paç fat Nedim" të Marko Santiç nga Sllovenia, ndërsa "Duke përballur ditën" me regji të Ivona Juka nga Kroacia, ju dha çmimi për dokumentarin më të mirë. Çmimi për të Drejtat Njerëzore ju dha "Vukovar - pjesa finale", nga Janko Baljak nga Serbia.
SFF i dha gjithashtu çmimin e shikuesve "Udha për në Guantanamo" me regji të Majkëll Uinterbotëm dhe Methju Santiago nga MB. Filmi tregon historinë e "Tipton Three", një treshe muslimanësh britanikë mbajtur në Guantanamo për dy vjet deri sa u lanë të lirë pa akuzë. Të tre protagonistët, që ndoqën festivalin, thanë se filmi kishte gjetur "shikuesit më të përgjegjshëm" në Sarajevë.
Së bashku me fokusin në prodhimin rajonal, SFF ofroi një zgjedhje të 170 filmave nga 41 vende, për mbi nëntë ditë në 11 vende rreth Sarajevës. Midis 100,000 vetëve që ndoqën veprimtarinë e këtij viti qenë aktori i SHBA Nik Nolti dhe këngëtari kryesor i grupit U2, Bono Voks.
SFF u themelua së pari në 1995, nga Obala Art Centre. Në fillim, ai dukej si utopi, askush nuk mendonte se kjo ëndërr e një grupi entuziastësh filmi do të rritej në veprimtarinë e vetme më të rëndësishme të kinemasë në rajon.