Rrënim për Serbi-malin e Zi: 0-6 kundër Argjentinës

16/06/2006

Dy ndeshje në grupin C në Kupën Botërore në Gjermani dhe Serbi-Mali i Zi nuk ka ç'të tregojë tjetër veç dëshpërimit. Argjentina me golat e Maksi Rodriguez (6' dhe 41'), Kambiaso (29'), Krespo (78'), Tevez (84') dhe Mesi (88') u dha Kaltëroshëve një leksion të fortë për futbollin modern të premten në Gelsenkirçen.

Nga Georgi Mitev-Shantek për Southeast European Times -- 16/06/06

Për Serbi-Malin e Zi, humbja apo barazimi nuk ishte një opsion i pranueshëm të premten (16 qershor) në ndeshjen e tyre kundër Argjentinës. Vetëm një fitore do t'i shpinte ata për në raundin e dytë të Kupës Botërore 2006 në Gjermani.

Por ishte Argjentina që jetoi çastin, duke e nisur ndeshjen me tre sulmues. Taktika e trainerit Hoze Pekerman u shpërblye me avazin e gjashtë golave në portën e Dragoslav Jevriç. Për Kaltëroshët kjo ishte mundja më e keqe ndonjëherë në kampionatet botërore.

Asgjë nuk shkoi siç duhej për skuadrën e Ilia Petkoviçit. Mbrojtja luajti pa Nemanja Vidiç të dëmtuar dhe Milan Dudiç hyri në lojë në vend të Ivica Dragutinoviç. Kombinimi, zbatuar për herë të parë qe thjeshtë i paaftë të mbante vijën kundër sulmit të fuqishëm argjentinas.

Vetëm pas gjashtë minutash në pjesën e parë, Maksi Rodriguez i shpuri përpara të vetët me anën e një goli. Me dy pasime të dyfishta në anën e majtë, Argjentina e mposhti krejtësisht mbrojtjen e Serbi-Malit të Zi. Vija e fundit të Kaltërve ishte me një njeri mangut pasi Nadj mbulonte Rikelme dhe kjo i dha mjaft hapësirë sulmuesit tjetër të Albicelestes. Dudiç e mbylli von Rodrigezin i cili nuk e pati vështirë të shënonte.

Argjentina luajti një lojë pasimesh dhe mesfusha e saj ishte efektive në mbajtjen e topit. Më së fundi, në minutën e dhjetë, Gjorgjeviç bëri goditjen e parë për Serbi-Malin e Zi, por topi doli jashtë. Pesë minuta më pas, i njëjti lojtar lëshoi një top të shkëlqyer për Kezman por sulmuesi i Atletiko të Madridit, nuk arriti ta kapte. Ndërsa pjesa e parë vazhdonte, Kaltëroshët qenë në gjendje të bënin diçka që i ngjante një loje në mesfushë, ndonse me vetëm pakë kalime në vijën e përparme.

Por në qoftë se tifozët e Serbi-Malit patën nisur të marrin shpresë, ata do të pësonin një dush të ftohtë në minutën e 29-të. Me një perfeksion si sahat, argjentinasit përdorën një duzinë pasash për ta çuar topin te Krespo në zonën e penalltisë. Ai e kaloi atë te Kambiaso i cili e lakoi goditjen në të djathtë të Jevriçit të pafuqishëm.

Megjithë avantazhin solid. Argjentina nuk fjeti mbi dafina. Përkundrazi, Serbi-Mali i Zi humbi çdo shkëlqim të vërtetë krijues. Ata nuk mund të mblidhnin asnjë sulm të vetëm të mbështetur dhe Kezman e Millosheviç e gjetën veten të izoluar përpara.

Dhjetë minuta pas golit të dytë, Albiceleste tregoi më tepër magji. Saviola i rrëmbeu një top mbrojtësit me përvojë të Shalke, Krstajiç, pastaj mposhti Nadj dhe gjuajti në portë. Portieri i Serbi-Malit të Zi e shtyu topin tutje, për fat të keq në drejtim të Maksi Rodriguez. Tabela lexoi tani 3-0.

Pas pushimit, traineri hoqi Nadj dhe më pas Koroman. Për një kohë, ndrrimet sollën pakë jetë në mesfushën serbe. Një gjuajtje nga larg e Millosheviçit e detyroi portjerin Abondazieri ta ngrejë topin mbi portë. Duljaj, nga vija anësore kapi Kezman. Ai lëshoi një pas prapa te Millosheviç dhe shënuesi i Osasunës e nxorri atë jashtë portës në krahun e djathtë. E gjithë ç'ja doli të arrijë Serbi-Mali i Zi në fund ishte një karton i kuq për Kezman në minutën e 65-të. Me një lojtar më pak, Kaltëroshët e humbën çdo vendosmëri që u kishte mbetur.

Për asnjë çast Argjentina nuk luajti për të ruajtur rezultatin. Pekerman hodhi dy të tjerë në sulm, "brazilianët" Karlos Tevez dhe Lionel Mesi, ndoshta lojtari i ri më i talentuar në botë, për të zëvendësuar Saviolaën dhe Rodriguez. Vetëm pas katër minutash në lojë, Mesi vërshoi nga e majta dhe gjeti Krespon larg. Gjitrhshka që duhej të bënte sulmuesi i Çelsit ishte ta shtynte topin në rrjetë.

Dhe sulmi vazhdoi. Karlos Tevez mori një krosim të bukur nga qendra dhe shpejt e pati Jevriç në mëshirën e tij: 5-0. Portjeri i Serbi-Malit të Zi që qe mposhtur vetëm dy herë në 11 ndeshjet e kaluara, duroi tjetër mjerim katër minuta më pas i pamundur të ndalte një top nga Mesi.

Albiceleste e garantoi daljen në raundin e dytë në një mënyrë përshtypjelënëse ndërsa për të Kaltrit dhe tifozët e tyre të dëshpëruar, e gjitha ç'mbetet është të fitojnë pakë respekt për veten. Ata do të kenë një shans për ta bërë këtë në 21 qershor kundër Bregut të Fildishtë.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne