18/04/2006
Shefi i sigurimit të BE, Havier Solana i kërkoi parlamentit të Bosnjë dhe Herzegovinës të hënën të miratojë një sërë ndryshimesh kushtetuese për të cilat u ra dakord muajin e kaluar.
(DTT-NET, EU, FENA, Office of the High Representative - 17/04/06)
Shefi i sigurimit të BE Havier Solana u kërkoi të hënën (17 prill) anëtarëve të parlamentit të Bosnjë dhe Herzegovinës (BiH) të mbështesin amendamentet kyçe kushtetuese që kanë për qëllim forcimin e institucioneve qendrore dhe përmirësimin e efektshmërisë së tyre. Ndryshimet që u pranuan nga shtatë partitë më të mëdha qeverisëse dhe opozitare në BiH muajin e kaluar, pritet gjithashtu të lehtësojnë përparimin e vendit drejt integrimit në BE.
"Unë përshëndes përparimin e bërë nga Bosnjë dhe Herzegovina drejt reformimit të kushtetutës," tha Solana para një debati të martën nga një komitet i dhomës së poshtme të parlamentit, mbi një paketë legjislative që përfshin ndryshimet e propozuara kushtetuese. "Këto amendamente ofrojnë një hap të parë të rëndësishëm drejt garantimit që institucionet qendrore të vendit të funksionojnë më efektivisht me qëllim që të përmbushin standardet evropiane."
Masat e propozuara parashikojnë zëvendësimin e presidencës aktuale me tre anëtarë, me një president të vetëm të rradhës dhe dy nënpresidentë. Të tre, secili që përfaqëson një nga grupet etnike kryesore të vendit (muslimanët, kroatët dhe serbët), do të zgjidhen nga parlamenti dhe jo drejtpërdrejt si në praktikën e tanishme dhe për katër vjet afat në post.
Sipas marrëveshjes, numri i ligjbërësve në dhomën e ulët të parlamentit, dhomën e përfaqësuesve, do të rritet ndjeshëm, nga 42 anëtarë aktualisht, në 87 anëtarë. Dhoma e epërme 15-vendëshe, dhoma e popullit, do të rritet në 21 deputetë me përfaqësim të barabartë të të tre komuniteteve etnike kryesore. Megjithatë, pushteti i saj do të kufizohet.
Krerët e shtatë partive politike ranë dakord gjithashtu të forcojnë qeverinë qendrore të vendit duke shtuar dy poste të reja ministrore në kabinet, që tani përfshin nëntë ministri, si dhe duke zgjeruar pushtetin e kryeministrit, duke e lejuar atë të vërë e të heqë ministrat.
"Këtë javë, parlamentarët boshnjakë kanë rastin të dërgojnë një sinjal pozitiv në Evropë se vendi i tyre është gati dhe i aftë për të reformuar veten," tha të hënën Solana, duke u bashkuar me zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë që kanë bërë thirrje për miratimin e shpejtë të ndryshimeve të propozuara.
BiH ka planifikuar të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në tetor. Me ligj, amendamentet duhet të miratohen të paktën gjashtë muaj para tyre ose nuk do të hyjnë në fuqi deri në zgjedhjet e vitit 2010.
Përpara debatit të së martës nga komiteti i çështjeve ligjore kushtetuese (CLAC) të dhomës së përfaqësuesve, qeveria e BiH miratoi të hënën ndryshimet dhe bëri thirrje për përgatitjen e legjislacionit që do të siguronte zbatimin e plotë të marrëveshjes së reformës kushtetuese.
"Unë besoj se kjo është një çështje aq e rëndësishme sa që e gjithë dhoma e përfaqësuesve do të kishte rastin për një debat të plotë e të sinqertë," tha Kristian Shvarc-Shilling, i dërguari i lartë ndërkombëtar në BiH. "Bazuar në afatet kohore lidhur me datën e zgjedhjeve, kjo duhet të ndodhë pa vonesë."
Raportet e medias boshnjake citojnë anëtarin e CLAC Misrad Çeman të thoshte se, teorikisht, kishte një shans për amendamentet e propozuara që të miratoheshin nga dhoma e përfaqësuesve në 25 prill.
Si Solana ashtu dhe Shvarc-Shilling vunë në dukje të hënën se ndryshimet e përpunuara muajin e kaluar përbëjnë hapin e parë në një proces më të gjatë dhe se reforma të tjera kushtetuese do të diskutoheshin pas zgjedhjeve të tetorit.
"Unë jam i vendosur të marr mbi vete një rol aktiv në këtë fazë të dytë të reformës kushtetuese, por një fazë e dytë mund të ngrihet mbi bazën e një faze të parë të suksesshme," tha Shvarc-Shilling.