Kroacia në grindje me Brukselin rreth politikës së peshkimit

21/03/2006

Plani i Kroacisë për të modernizuar flotën e saj të peshkimit ka rënë në kundërshtim me zyrtarët e BE që thonë se kjo është në konflikt me rregullat që qeverisin peshkimin në Adriatik.

Nga Kristina Çuk për Southeast European Times në Zagreb -- 21/03/06

Qeveria kroate po planifikon ndërtimin e 26 anijeve të peshkimit për të ndihmuar rritjen e kësaj industrie. Megjithatë, ideja ka rënë në kundërshtim me zyrtarët e BE të cilët thonë se kjo është një orvatje për të konkurruar me Italinë fqinjë e cila aktualisht gëzon një gati-monopol mbi peshkimin në Adriatik.

Me flotën e saj të madhe, Italia kap tani rreth 90 përqind të peshkut në zonë, ndërsa Kroacia kap vetëm 7 përqind.

Politika dypalëshe e peshkimit ndalon një rritje në flotën kroate. Paratë prej buxhetit të BE të caktuara për industrinë e peshkimit janë për t'u përdorur vetëm për edukimin dhe modernizimin ose për kthimin e anijeve të peshkimit në anije për turizëm.

Megjithatë, Zagrebi argumenton se ndërtimi i anijeve të reja është njëlloj me rindërtimin dhe modernizimin e flotës së saj të vjetër, jo një shtim në vetvete. Përveç kësaj, thonë zyrtarët kroatë, anijet do të përdoren për peshkimin e peshqve të vegjël blu të cilët nuk rrezikohen në Adriatik dhe kësisoj projekti nuk është në konflikt me kriteret mjedisore të BE.

Forcimi i peshkimit kroat ështëç një pjesë e objektivit të deklaruar të administratës së Sanaderit për të forcuar përbërësen detare të ekonomisë së vendit. Në të njëjtën kohë, megjithatë, qeveria ka marrë një zotim për të respektuar parimet e BE. Sapo të bëhet anëtare e BE, peshkatarët kroatë do të jenë subjekt i rregullimeve nga Brukseli që përcaktojnë tipin dhe sasinë e peshkut që duhet të kapin.

Synimi i parë i politikës së BE është të mbrojë industrinë e peshkimit nga shterimi, veçanërisht në Detin e Veriut. Rreth 270,000 familje në territorin e BE jetojnë nga peshkimi dhe shterimi i rezervës kërcënon jetesën e tyre si edhe biodiversitetin.

Megjithatë, politika ka rënë nën kritikat e ruajtësve të ambientit dhe kundërshtarëve të tjerë, që thonë se ajo vazhdon të vërë kuota të papërballueshme dhe përdoret nga disa vende për të mbrojtur interesat e tyre në dëm të të tjerëve.

Kundërshtimet ndaj politikës së BE janë shprehur në Kroaci, me disa që thonë se kjo e vë sektorin e peshkimit të vendit në pozitë të keqe. Megjithatë, një grup pune i ngarkuar me studimin e problemit përfundoi se vendi mund të ecë përpara me modernizimin e flotës së vet deri në kohën e hyrjes së tij në bllok.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne