Kërkohet kthimi i vlerave të konfiskuara të çifutëve kroatë

22/11/2005

Kroacia po bën hapa drejt zgjidhjes së problemit të mprehtë të kompensimit të çifutëve të çatdhesuar pasuaria e të cilëve u muar nga regjimet e ustashëve dhe komunistëve gjatë shekullit të kaluar.

Nga Kristina Cuk për Southeast European Times në Zagreb -- 22/11/05

Çifutët kroatë të çatdhesuar të cilët humbën pronat e tyre gjatë dy regjimeve pasardhëse mund të marrin kompensim ndërsa Zagrebi punon për të zgjidhur çështjen që ka kohë që qëndron. Sasia totale e kthimit mund të arrijë 20 milion euro.

Në tetor, ambasadori i posaçëm i departamentit të shtetit të SHBA për çështjet e holokaustit, Eduard B. O'Donell ishte në Zagreb për konsultime. Ai tha se Uashingtoni ishte gati të negocionte një marrëveshje dypalëshe që do t'i sillte shtetasit e SHBA nën mbulimin e Aktit Kroat të Rikthimit të vitit 1996.

Në vitin 1941, regjimi ustash në Kroaci, një regjim kukull i nazistëve gjermanë, i urdhëroi çifutët kroatë të raportonin pasurinë e tyre, duke përfshirë shtëpitë, apartamentet, llogaritë bankare dhe gjërat e çmueshme personale, të tilla si bizhuteri e gurë të çmuar. Pasuritë u muarën dhe në shumicën e rasteve ju dhanë pjesëtarëve të ish pakicës gjermane në Kroaci të njohur si volkdojçers.

Pas përfundimit të luftës, pasuria u shtetëzua nga qeveria komuniste.

Ndërsa Kroacia shkon përpara me ofertën e saj për në BE, ajo po bie nën presion për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura të kthimit të pasurive me një numër anëtarësh të bllokut, duke përfshirë Italinë, Gjermaninë, Slloveninë, Hungarinë, Republikën Çeke dhe Sllovakinë. Zagrebi ndërkohë ka kryer negociata me Austrinë rreth kompensimit të volkdojçerëve që u përzunë nga Kroacia më 1945. Kjo nga ana e vet ka nxjerrë në pah problemin e kthimit të pasurive të çifutëve pasi pasuria e humbur e gjermanëve të mërguar fillimisht u përkiste çifutëve kroatë.

Sipas historianit me bazë në Zagreb, Ivo Goldshtejn, numri i çifutëve që kërkojnë kthimin nuk duhet të jetë shumë i madh. Por procesi, shton ai, duhet të shkojë prapa në vitin 1941 kur u muarën pasuritë e para.

Në qoftë se qeveria kroate pranon kërkesën, ajo do të duhet të kthejë pasuritë në formën e pasurive të patundshme ose të ofrojë kthim financiar. Një pengesë e madhe është fakti se shumë nga pasuritë që duhej të ktheheshin janë kthyer në apartamente banimi, shtëpi, komplekse pyjore e bujqësorë apo zyra. Për shembull, godina e ambasadës së Ukrainës thuhet se i përket një familje të çatdhesuar çifute në Argjentinë.

Ministrja kroate e Drejtësisë Vesna Skare-Ozbolt thotë se kthimi duhet bërë pavarësisht nga shpresat e Kroacisë për në BE. Ka qenë një problem për më tepër se gjysmë shekulli, thotë ajo dhe nuk mund të shmanget përgjithmonë edhe në qoftë se zgjidhja është e komplikuar.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne