24/10/2005
Pas dhjetë muajsh vonese, autoritetet shqiptare kanë marrë pronat në qendër të Tiranës të cilat kanë qenë përdorur për të pastruar veprimtaritë financiare të rrjetit terrorist të al-Kaedës.
Nga Erlis Selimaj për Southeast European Times në Tiranë – 24/10/05
Autoritetet shqiptare morën të martën (18 tetor) hapësirat e zyrave në të ashtuquajturat "kulla binjake" në qendër të Tiranës. Në 2004, qeveria konfirmoi se ato qenë përdorur për të pastruar veprimtaritë financiare nga rrjeti terrorist i al-Kaedës.
Mjediset e zëna i përkasin një shtetasi të kërkuar nga Arabia Saudite me emrin Jasin Kadi, biznesmen i cili është quajtur një terrorist global i përcaktuar posaçërisht nga departamenti i thesarit i SHBA në tetor 2001.
Kadi zotëronte 18 përqind të aksioneve në të dy godinat, të vendosura përballë zyrës së kryeministrit shqiptar.
"Procedurat e marrjes janë bazuar në vendimin e këshillit të ministrave të 3 dhjetorit 2004, në kuadrin e masave për të penguar financimin terrorist. Edhe pse ka dhjetë muaj qëkurse është marrë vendimi, ai nuk është ekzekutuar deri tani," tha ministria e financave në një njoftim për shtypin.
Sipas ministrisë, mjediset nuk do të shiten por do të menazhohen nga autoritetet shtetërore. Një mundësi është të jepen ato me qira ndaj institucioneve shtetërore apo firmave private.
Si qeveria ashtu dhe opozita kanë qenë të dëshëruara të tregojnë se po e marrin seriozisht problemin e veprimtarisë lidhur me terrorizmin. Më parë këtë vit, opozita e Partisë Socialiste u zotua të kërkojë një hetim në atë se si dymijë të huaj, përfshirë njerëz që dyshohet se kanë qenë të lidhur me Osama bin Laden, qenë në gjendje të merrnin shtetësinë shqiptare gjatë 13 viteve të fundit.
Kadi mendohet të ketë patur lidhje të ngushta me Abdul Latif Saleh, një shtetas jordanezo-shqiptar i cili është përcaktuar nga departamenti i thesarit i SHBA si një mbështetës i al-Kaedës. Sipas Uashingtonit, ai është bashkëpunëtor në një numër OJQ shqiptare të lidhura me Xhihadin Islamik egjyptian, një grup me lidhje me al-Kaedën dhe ka marrë 600,000 $ nga Osama bin Laden për të ngritur grupe ekstremiste në Shqipëri.
Saleh ngriti një organizatë xhihadiste shqiptare financuar nga fondacioni Al Haramain, me qëllim destabilizimin e Shqipërisë duke "nxitur konfliktin midis grupeve të ndryshme fetare në vend," thoshte në një deklaratë departamenti i thesarit i SHBA.
Përveç kësaj, Saleh dhe Kadi drejtonin disa ortakëri të përbashkëta biznesi, duke përfshirë një biznes të importit të sheqerit, një sipërmarrje mjekësore dhe një biznes ndërtimi. "Saleh shërbente si drejtor i përgjithshëm i të gjitha bizneseve të Kadi në Shqipëri dhe thuhet se mbante 10 përqind të investimeve të Grupit Kadi në Shqipëri," thoshte departamenti.