22/04/2004
Kreu i grupit të sigurimit të Zoran Gjingjiç dha dëshmi në gjyqin e vrasësve të dyshuar, duke i thënë Gjykatës së Posaçme të Beogradit se policia e dinte se një plan po përgatitej shumë më parë se sa të kryhej.
Nga Davor Konjikusic për Southeast European Times në Beograd - 22/04/04
Gjyqi i vrasësve të dyshuar të kryeministrit serb Zoran Gjingjiç ka rifilluar në Gjykatën e Posaçme në Beograd. Një nga zhvillimet e mëdha deri tani ishte dëshmia e kreut të grupit të sigurimit të Gjingjiç, Milan Veruoviç, i cili i tha gjyqit të martën (20 prill) se policia serbe kishte dijeni për një plan për të vrarë kryeministrin shumë më parë kryerjes së krimit.
Veruoviç, i cili u plagos gjatë të shtënave, akuzoi indirekt ish zyrtarët e lartë të policisë për dështimin e marrjes së masave për mbrojtjen e Gjingjiç, edhe pas një orvatjeje të mëparshme ndaj jetës së tij.
Prokurorët kanë akuzuar Zvezdan Jovanoviç, nën komandanti i një njësie të operacioneve të posaçme atë kohë, për të shtënat. Teksa zhvillohej faza e dytë e gjyqit, erdhi një deklaratë nga njëri prej të akuzuarve, Dushan Krsmanoviç, e cila u lexua në gjyq. Krsmanoviç thoshte se ai ishte pranë ndërtesës qeveritare në 12 mars 2003 kur dëgjoi dy të shtëna dhe se një tjetër i dyshuar, Ninoslav Konstandinoviç, më pas i tha atij se Jovanoviç kishte shtënë.
Gjyqi është errësuar pjesërisht nga vërejtjet kontradiktore nga ministri i ri i brendshëm Dragan Joçiç, që u duk se sugjeroi gjatë një interviste në 10 prill se do të niste një hetim i ri i policisë për vrasjen.
Joçiç më pas tha se komenteve të tij në të përditshmen e Beogradit Blic i kishin bërë bujë dhe se rasti nuk do të rihapej.
Sipas ish zëvendës ministrit të policisë, Nenad Miliç, një hetim i ri kishte gjasa të mos zbulonte asgjë të re." Ka shumë interpretime në publik, por unë mendoj se ato janë krejt të pabazuara. Faktet materiale të gjetura në skenën e krimit, përpara godinës së qeverisë serbe dhe në vendin nga ku është qëlluar, tregojnë se ka qenë vetëm një snajper," tha Miliç.
Avokati për familjen e Gjingjiç, Rajko Daniloviç, tha se një hetim i ri është i panevojshëm, sepse janë "të gjitha faktet që tregojnë se kush e organizoi dhe kreu vrasjen". Daniloviç tha se nuk është ende e qartë se kush e porositi vrasjen dhe se çdo përpjekje e ardhshme hetimi duhej drejtuar nga kjo çështje në vend që të nisej nga e para.
"Eshtë e njohur se Klani Zemun, i fuqizuar nga krahu kriminal i Beretave të Kuqe nuk mund ta kryente vrasjen e Gjingjiç po të mos gëzonte mbështetjen e disa politikanëve të fuqishëm. Në rast se hetimi do të merrte këtë drejtim, kjo do të ishte shumë e dobishme dhe kjo është ajo që kërkojnë viktimat," tha Daniloviç.