Terrorizmi në Greqi: krijimi dhe baza ideologjike

09/12/2003

Analistët thonë se terrorizmi në Greqi i ka rrënjët në problemet shoqërore dhe në gjendjen politike të kohës.

Nga Dimitris Agrafiotis për Southeast European Times në Athinë - 09/12/03

Shtatë vjet të juntës ushtarake në Greqi, nga 1967 në 1974, ishin një periudhë që radikalizoi segmente të rinisë greke, e cila ishte përgjegjëse për krijimin e metodave "revolucionare" në trajtimin e mjedisit politik të pas-juntës. Reagimi i shoqërisë greke ndaj diktatorëve ultra të djathtë mori aspekte të ndryshme. Këto përfshinin ringjalljen e konfrontimeve të vjetra politike, një trazirë të përgjithshme dhe një prirje ndaj reaksionit të dhunshëm kundër regjimit totalitar. Ishte periudha kur grupet politike të së majtës dhe me origjinë të majtë prireshin për një betejë të armatosur.

Megjithëse rënia e diktaturës më 1974 paralajmëroi një regjim demokratik kushtetues, disa nga grupet radikale vendosën të çojnë më tej luftën kundër sistemit politik të sapolindur.

Origjina e terrorizmit grek daton prapa në kohë, në vitet 1960 në Francë, ku studentët universitarë grekë erdhën në përfundimin se e vetmja mënyrë për të luftuar diktatorët ishte nëpërmjet një lufte të armatosur. Pas rënies së juntës ushtarake, disa nga këta njerëz vendosën ta vazhdojnë më tej luftën e tyre, mbështetur në një ideologji e cila ishte një përzjerje e paqartë dhe e pastrukturuar e idealeve trockiste, maoiste, leniniste, marksiste dhe gevariste.

Në 1974 dhe 1975, terrorizmi nxorri krye në Greqi. Situata e brendshme politike dhe simpatitë për retorikën e së majtës brenda shoqërisë greke qenë arsyet themelore prapa vendimeve të terroristëve për të nisur veprimtaritë vrasëse.

Transformimi i grupeve majtiste në organizata terroriste nuk ishte një proces i thjeshtë. Fraksionet e ndryshme ideologjike dhe mosmarrëveshjet mes tyre çuan në fragmentarizimin e lëvizjes revolucionare. ELA dhe 17 Nëntori qenë polet kryesore që tërhoqën kuadrot e së majtës revolucionare. Megjithëse të dy organizatat kishin themele të ngjashme ideologjike, përqasjet e tyre ndaj terrorizmit qenë të ndryshme dhe kjo shpuri në divergjencën mes tyre.

Aleksandros Xhiotopoulos, kreu i akuzuar i 17 Nëntorit, përkrahtë një "grup të armatosur konspirativ" që do të godiste elementët bazë të jetës shoqërore, politike e ekonomike në Greqi. Karakteristika kryesore e kësaj lloj organizate është numri i vogël i anëtarëve, zgjedhja e objektivave me rëndësi të posaçme dhe shmangia e viktimave në masë. Pas një studimi tërësor të sulmeve të 17 Nëntorit, është e qartë se objektivat përfaqësonin një status socio-politik, që i kundërvihej ideologjisë së terroristëve.

Sulmet e mëdha terroriste të 17 Nëntorit

-23/12/75: Vrasja e Riçard Velç, zyrtar qeveritar i SHBA në Athinë.

-14/12/76: Vrasja e ish policit Evangelos Mallios.

-16/1/80: Vrasja e nënkomandantit të policisë Pantelis Petrou dhe shoferit të tij Sotiris Stamoulis.

-15/11/83: Vrasja e kapitenit të marinës së SHBA, Xhorxh Tsantes dhe shoferit të tij Nikos Veloutsos.

-3/4/84: Tentativa e vrasjes së rreshterit Robert Çand të SHBA.

-21/2/85: Vrasja e botuesit Nikos Momferatos dhe shoferit të tij Panagiotis Rousetis.

-26/11/85: Shpërthimi i një autobuzi policie; një polic i vrarë dhe 25 të plagosur.

-8/4/86: Vrasja e industrialistit Dimitris Agelopoulos

-24/4/87: Shpërthimi i një autobuzi të forcave ajrore të SHBA. U plagosën 16 ushtarakë.

-1/3/88: Vrasja e industrialistit Aleksandros Athanasiadis - Bodosakis

-29/6/88: Vrasja me bombë e atasheut detar të ambasadës së SHBA, kapitenit Uilliam Nordin.

-10/1/89: Plagosja e rëndë dhe vdekja disa ditë më pas e prokurorit publik Konstantinos Androyljdakis.

-18/1/89: Plagoset në këmbë gjykatësi Panagiotis Tarasouleas.

-8/5/89: Tentativa e vrasjes së ish ministrit të rendit publik, Jorgos Petsos.

-16/9/89: Vrasja e deputetit të Demokracisë së Re, Pavlos Bakojanis.

-25/12/89: 17 Nëntori merr një numër raketash antitank nga kampi ushtarak Sykourio në Larisa.

-20/11/90: Vrasja në tentativë me tre raketa e Vardis Vardinojanis.

-16/12/90: Dy raketa hidhen në zyrat e EEC.

-12/3/91: Vrasja e rreshterit Ronald Stjuart të SHBA.

-16/7/91: Vrasja e diplomatit turk Denis Bylykbashi

-7/10/91: Vrasja e ndihmës atasheut të shtypit të ambasadës turke në Athinë, Cetin Gorkou.

-2/11/91: Sulm me raketë ndaj një autobuzi policie; u vra një polic e u plagosën gjashtë të tjerë.

-14/7/92: Sulm me raketë ndaj makinës së ministrit të financave, Janis Palaiokrasa. U vra një student, Thanos Aksarlian.

-21/12/1992: Tentativë vrasjeje e deputetit të Demokracisë së Re, L. Papadimitriuo.

-24/1/1994: Vrasja e ish drejtorit të përgjithshëm të Bankës Kombëtare të Greqisë, Mihalis Vranopulos.

-4/7/1994: Vrasja e diplomatit turk Omer Sipahioglu.

-15/2/1996: Sulm me raketë ndaj ambasadës së SHBA në Athinë.

-28/5/1997: Vrasja e pronarit të anijeve Kostas Peratjkos në Pire.

-16/5/1999: Sulm me raketë ndaj rezidencës së ambasadorit gjerman në Athinë.

-8/6/2000: Vrasja e atasheut ushtarak britanik, brigadierit Stivën Sonders.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Home Regular Site Klauzolë Kush jemi ne